Kazan, armik dhe tradhtarë, media gjermane citon Edi Ramën në analizën e lirisë së mediave


Në Europën juglindore vërehet një urrejtje e politikanëve ndaj gazetarëve. Shtetet e Ballkanit janë më të rrezikuara nga Fake-news për shkak të mediave tepër të kontrolluara, shkruan fr.de.

Në ranglistën e lirisë së mediave Hungaria (vendi i 73) rënditet sëbashku me vendet e Ballkanit: Serbia (76), Kosova (78), Shqipëria (75) dhe Greqia (74). Ka zhvillime negative sa u takon pagesave të vogla kundrejt gazetarëve, botuesë frikacakë dhe redaktorë që ndalojnë gazetarët hulumtues.

Kryeministri shqiptar i quan gazetarët “kazan”, që flasin “përçart” dhe “armiq të publikut”. Maqedonia ndodhet më poshtë në listë, sëbashku me Bullgarinë dhe Malin e Zi në vendin e 109, por situata është përmirësuar që nga janari 2016, kur qeveria e re mori udhëheqjen mbi mediat.

Shteti i Maqedonisë është kthyer në qendrën e „Fake-News-Business“, me plot shkrime bosh brenda, por të vlefshme për klikime reklamash nga Google Adsense, shkruan “Frankfurter Rundschau”.

Shtetet e Ballkanit janë më të rrezikuara nga “Fake News”

Sipas indeksit më të ri të “Open Society Instituts” në Sofia të Bullgarisë, vendet e Ballkanit janë më të rrezikuara nga lajmet e rrejshme për shkak të mediave të kontrolluara, shkollimit të dobët dhe besimi i dobët ndaj shoqërisë. Dhe në rajon, më së keqi ndodhet Maqedonia. Qytetarët nuk kanë mësuar se cilës media ti besojnë dhe cila është mashinë propaganduese.

Kështu që mediat propaganduese ruse si Sputnik dhe Russia Today merren si burime serioze dhe jo siç janë në të vërtetë, përcjell albinfo.ch.

Situatë më e mirë është në Kroaci (vendi 69) dhe Bosnjë dhe Hercegovinë (62). Por në mediat boshnjake „Stav“ dhe „Faktor“ është prezente ndikimi turk. Mediat në fjalë qëndrojnë afër partisë boshnjake SDA, dhe kryen shkrime propaganduese pro-turke dhe kundër Lëvizjes së Gylenit. Muslimanët e SDA qëndrojnë nën ndikimin turk.

Për krahasim, vendet tjera janë si vijojnë: Sllovakia (vendi 27), që ka rënë për dhjetë vende poshtë si pasojë e vrasjes së gazetarit Jan Kuciak, Rumania (44), Slovenia (32) dhe Çekia (34).

Në Sllovaki pas vrasjes së gazetarit Kuciak, që kishte burime se kryeministri Robert Fico ishte i përfshirë në afera korruptive të fondeve të BE, u arrit dorëheqja e ministrit të brendshëm. Në vendet tjera të rajonit shoqëria civile nuk është aq e fuqishme, sa të ushtrojë këtë lloj presioni.

Baby Boo