“Katastrofa humanitare”, zbulohet dokumenti që kërkon nga serbët të mos blejnë ushqime nga shqiptarët


Tashmë që plani i Serbisë për një “katastrofë humanitare” në veri të Kosovës u zbulua, për të cilin KosovaPress-i kishte raportuar ditë më parë, nëpër dyqanet e veriut të Mitrovicës vërehet mungesë e shumë artikujve me prejardhje nga Serbia.

Mungon qumështi dhe pothuajse të gjitha produktet e tij, e deri tek llojet e ndryshme të detergjenteve të Serbisë.

KosovaPress mëson se nga dita e enjte në veri do të mbyllen dyqanet ushqimore, vetëm me qëllim që në prag të festës së Vidovdanit, më 28 qershor, kur shumë qytetarë nga Serbia vijnë në veri dhe Gazimestan, të pasqyrohet “gjendje e rëndë humanitare” e serbëve të veriut.

Se situata dhe gjithçka tjetër po sajohet, dëshmon edhe një dokument që po qarkullon në komunat veriore nga dita e martë, ku bëhet apel tek qytetarët që përkundër mungesave të artikujve, për asnjë çmim të mos blejnë mallra nga jugu dhe nga shqiptarët.

Dokumentin që e ka siguruar KosovaPress është i shkruar në alfabetin cirilik dhe mban firmën e të ashtuquajturës “Shoqata e Afaristëve të Kosovës dhe Metohisë”.

Burime të KosovaPressit bëjnë të ditur se pjesëtarë të organizatës “Civilna zastita” do të qëndrojnë këto ditë afër urave të Ibrit për të vëzhguar nga afër situatën nëse dikush nga qytetarët serbë po sjellë mallra nga jugu në veri të Mitrovicës dhe më gjerë.

Përkthimi i tekstit të dokumentit

“Të nderuar,

Duke marrë parasysh situatën më të re të krijuar në veri të Kosovës që në vete përmban vështirësi të shumta me të cilat shpesh po përballen afaristët të cilët janë ekspozuar presioneve të përditshme, arrestimeve, konfiskimit të kamionëve dhe mallrave, ju ftojmë në bashkim e unitet.

Në shenjë proteste për taksat që po aplikohen dhe në pamundësi të importimit të mallrave serbe në territorin e Kosovës, ftojmë të gjithë afaristët që për asnjë çmim të mos marrin mallra nga pjesa jugore e krahinës (nga shqiptarët) dhe në këtë mënyrë të dëshmojmë bashkimin dhe unitetin tonë me përshëndetjen “se nga këtu nuk ka kthim prapa”.

Me respekt, Shoqata e afaristëve të Kosovës dhe Metohisë.” /KP/

Baby Boo