Kastriot Myftaraj: Përgjigje brigadës Islamike në rrjetet sociale


“Përgjigje Brigadës islamike të Xhihadit në rrjetet sociale
(Mbi ankimin ndaj emisionit tim të datës 18 mars 2019)

Ndaj emisionit tim të datës 18 mars 2019, me titull “Skënderbeu dhe vrasjet në xhamitë e Zelandës së Re”, në RTV Oranews, ka ardhur një ankim poshtë tekstit të të cilit janë rreshtuar 1062 emra, por asnjëri prej tyre nuk kishte nënshkrim. Emrat i përkasin Forumit Mysliman Shqiptar, një organizatë e krijuar me nxitjen e Olsi Jazexhiut, vite më parë. Forumi e shpreh besnikërinë e tij duke mos protestuar që Olsi Jazexhi ka bërë disa emisione në tv te tij në Internet, në të cilat shan dhe fyen Skënderbeun si frymëzues të terroristëve.
Qëllimi i emisionit tim ka qenë mbrojtja e figurës së Skënderbeut, Heroit tonë Nacional, si dhe që të tregoj se ku duhet adresuar nxitja e atyre që kryejnë akte të tilla.
Në letrën e tyre, ankuesit nuk më citojnë, në thonjza, në asnjë rresht, por shprehen me fjalët e tyre për përmbajtjen e tekstit tim. Kështu, ata thonë në letrën e tyre.
“Në programin televiziv të sipërcituar të Ora Neës, akti terrorist i ekzekutimit të 50 besimtarëve muslimanë në dy xhami të qytetit Christchurch në Zelandën e Re u konsiderua si akt i një qytetari të edukuar dhe të mësuar, i cili e kreu atë i shtyrë nga një shqetësim legjitim për agresionin islamik të vendit të tij.”
Unë nuk kam thënë se vrasjet ishin akt i një qytetari të edukuar dhe të mësuar, por i kam bërë jehonë pyetjes së ngritur në mediat e Zelandës së Re, Australisë dhe botës se si ndodh që një djalë i edukuar dhe i mësuar që nuk ka përbërë shqetësim për komunitetin dhe autoritetet, të shndërrohej në një njeri që rrëmben armët dhe kryen vrasje në masë. Pra janë dy gjëra të ndryshme. Ja se çfarë kam thënë unë:
“Nuk mund të mos bësh pyetjen këtu se si ndodh që një djalë i edukuar, i mësuar, që nuk ka përbërë asnjë problem për shtetin në vendin e vet, as për shtetin australian, as për shtetin neozelandez, e sheh befas veten në një gjendje të tillë sa rrëmben armët për të qëlluar dhe për të vrarë njerëz me shumicë. Çfarë ndodh me këta njerëz që në rrethana të tjera duhet të ishin normalë? Se ishte i vetmuar, se ishte kështu, nuk është shenjë e keqe kjo, shumë njerëz zgjedhin të bëjnë një jetë të mbyllur, nuk është kriminale.”
Këto që kam thënë unë më lart përbëjnë vlerësimin e përgjithshëm të opinionit publik dhe autoriteteve për autorin e ngjarjes në Zelandën e Re. Pyetja që ngre unë më lart është në rendin e ditës sa herë ndodhin ngjarje të tilla. Analistët e medias, studiuesit universitarë etj., kërkojnë të zbulojnë arsyet e sjelljeve të tilla.
Unë nuk kam folur në asnjë rast për “shqetësim legjitim”, fjalë që ma atribuojnë autorët e letrës, dhe për “agresionin islamik” kam thënë madje, “sipas perceptimit të tij”.
Në asnjë rast unë nuk kam thënë se ngjarja në Zelandën e Re ishte, siç thonë ankuesit:
“pasojë e natyrshme e qëndrimit disfatist të qeverisë së Zelandës së Re përballë të ashtuquajturit rrezik islamik.”
Unë kam thënë në emision diçka që thuhet gjerësisht në debatet mediatike pas ngjarjeve të tilla:
“Këta njerëz kanë një shqetësim, kanë një shqetësim të madh për atë se si po e pret shteti i tyre atë që ata e perceptojnë si rrezikun islamik. Këtu lind pyetja, sa me të drejtë e perceptojnë.”
Unë nuk kam marrë përsipër që t’ i përgjigjem pyetjes se sa drejt e perceptojnë, por kam thënë vetëm se ka gjëra për të cilat atyre, domethënë atentatorëve potencialë, duhet t’ u jepet përgjigje që sot, jo të lihen në errësirë. Unë dhe shumë të tjerë në Zelandën e Re kemi qenë kritikë ndaj reagimit të kryeministres zelandeze e cila për të shprehur solidaritet me muslimanët e vendit të saj gjeti si mënyrë përdorimin e simbolit të shtypjes së femrës në botën islame, mbulesës së kokës. Unë kam thënë:
“Dhe si reagoi qeveria, shteti i Zelandës së Re? Del kryeministrja e Zelandës së Re, mbulon kokën me shami dhe shkon në takim me femra të tjera muslimane, për solidaritet. Dhe çfarë bën? Bën atë gjest që është robërimi i femrës në botën myslimane, i gjysmës së popullsisë të botës myslimane, poshtërimi i shkruar në Kuran ku mbulimi shkon bashkë me atë porosinë tjetër që thuhet se është e Allahut, që burri ka të drejtë të rrahë gruan. Dhe është e shkruar, është e shkruar në sure. Pra del kryeministrja e një shteti laik demokratik dhe bën një gjest disfatist. Tani, me këtë që bëri ajo, jo vetëm poshtëroi gjysmën e popullsisë së vendit të saj, se sipas Kuranit duhet të rrijë çdo ditë e mbuluar, jo veç një ditë, por alarmoi akoma më shumë dhe ata djem të rinj të përgjegjshëm për vendin e tyre të cilët duan një përgjigje për këtë që po ndodh.”
Të tilla kritika i janë bërë kryeministres zelandeze edhe në vendin e saj, madje edhe nga anëtarë të parlamentit. Kryeministrja zelandeze nuk i ka quajtur kriminelë kritikët e saj, sepse ajo është e vetëdijshme se është në një vend të fjalës së lirë. Kritikët e mi të brigadës së xhihadit në rrjetet sociale, e quajnë kriminal reagimin tim ndaj gjestit të kryeministres zelandeze, sepse ata kanë mendësinë e Islamit si fe zyrtare shtetërore, ku kritika ndaj gjesteve proislamike përbën krim.
Ankuesit thonë në letër:
“Me një fantazi të shthurur, emisioni ngriti këmbanën e alarmit për një rrezik të madh që sipas tij po vjen nga besimtarët muslimanë dhe nga praktika shekullore të fesë Islame të njohura në vendin tonë, të përqafuara nga ajo pjesë muslimane e vendit, prej së cilës kanë dalë edhe baballarë të kombit shqiptar. E gjitha kjo u vendos në funksion të ngjalljes së panikut mbi rrezikun imagjinar të dhunës nga ana e muslimanëve shqiptarë dhe frymëzimit të reagimeve të ngjashme me ato të Christchurch në Zelandën e Re.”
Ankuesit nuk e thonë se për cilat praktika shekullore të fesë islame në vendin tonë e kanë fjalën dhe të cilat qenkan cenuar nga unë. Unë në emisionin tim kam folur vec për një praktikë, që është- citoj fjalë për fjalë vetveten:
“Por mjafton, përshembull, kudo të jesh, dhe të shikosh thirrjen e ezanit në gjuhën arabe me megafonë dhe alarmohesh, shqetësohesh. Kujt i drejtohen këta njerëz, thua? A dinë besimtarët e tyre shqip? Pse nuk u drejtohen në shqip dhe pse u drejtohen kur besimtarët e tyre e kanë vendin e faljes, dijnë orën e faljes, pse këta u drejtohen me megafonë? Pra nuk u drejtohen atyre. Megafoni është një agresion psikologjik ndaj ne të tjerëve që nuk shkojmë të falemi atje. Na thonë që do të vijë dhe dita juaj, që do të nënshtroheni ndaj kësaj thirrjeje. Është e qartë kjo, s’ ka asnjë dyshim. Është agresion, është nxitje urrejtjeje. Pesë herë ditën, zyrtarisht, nga Komuniteti Mysliman Shqiptar dhe nga gjithë xhamitë e zyrtarizuara në botë. Kuptohet jashtë botës arabe, se në botën arabe nuk po iu thotë njeri mos i bëjnë. Këto shqetësime pra kanë këta njerëz.”
Thirrjet me megafonë në arabisht nga minaret e xhamive përbëjnë atentat ndaj rendit kushtetues të një shteti laik si shteti shqiptar ku gjuha zyrtare është gjuha shqipe, që do të thotë se edhe ritet fetare duhet të kryhen në këtë gjuhë përveçse në rastin e pakicave kombëtare.
Thirrjet pesë herë ditën në arabisht me megafonë nga minaret e xhamive, duhen marrë shumë seriozisht si kërcënim për sigurinë kombëtare. Duke bërë kritikën ndaj aktit antikushtetues të thirrjes së ezanit me megafonët e minareve që dhunojnë laicizmin unë bëj detyrën si qytetar i një shteti laik, si qytetar me përgjegjshmëri kombëtare. Nëse do të ndodhin në Shqipëri akte si ai në Zelandën e Re, përgjegjësia u mbetet atyre që kanë ngritur megafonët në arabisht në minaret e xhamive.
Ankuesit nuk më citojnë dot në pretendimin e tyre se paskam quajtur të përgjegjshëm vrasësin gjakftohtë të të pafajshmëve. Sa për cilësimin që i kam bërë kryeministres neozelandeze si disfatiste, kjo ka të bëjë me përdorimin prej saj të simbolit islamik të shtypjes së femrës, mbulesës së kokës dhe shumë neozelandezë e kanë këtë opinion.
Sa për shqetësimin që kanë gjithmonë e më shumë njerëz në Zelandën e Re dhe në botë ndaj Islamit, po formohet një opinion se ky shqetësim rritet sa më shumë njerëz lexojnë Kuranin. Sot gjithmonë e më tepër studiuesit po bëjnë me guxim pyetjen se sa ndikon leximi i Kuranit në raste të tilla, si i atentatorit në Zelandën e Re. Kur i jepet përgjigje kësaj pyetjeve nuk mund të mos shihet raporti i këtyre njerëzve me Kuranin, pasi ata janë lexues të vëmendshëm. Unë kam marrë si shembull Suren El Tawbah (Ultimatumi) dhe kam thënë:
Sepse këta lexojnë Kuranin dhe lexojnë për shembull suren El Tawbah (kaptina 9, vargu 29), ku thuhet:
“Luftojini ata që nuk besojnë në Allahun e as në Ditën e Kiametit, që nuk e marrin për të ndaluar atë që e ka ndaluar Allahu dhe i Dërguari i Tij, dhe ata, midis atyre që u është dhënë Libri, që nuk e pranojnë fenë e vërtetë, derisa të japin xhizjen (taksën)me dorën e tyre, duke qenë të përulur.”
Shënim në tekst: ““Xhizje’ quhet taksa vjetore, nëpërmjet së cilës hebrenjtë dhe të krishterët shprehin njohjen e tyre për shtetin islam. Pagimi i kësaj takse u jepte atyre statusin e ‘dhimmi-t’ – të mbrojturit, përmes të cilit fitonin të drejtën të jetonin në paqe dhe siguri në shtetin islam dhe të ushtronin pa pengesë fenë e tyre.”
Dhe cilët janë këta njerëz pra, që duhen luftuar:
Vargjet vijuese, 30-31, nga e njëjta sure, El Tawbah, na e bëjnë të qartë këtë gjë. Citoj Kuranin, sipas faqes zyrtare të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë:
Hebrenjtë thonë: “Uzejri është i biri i Allahut”, të krishterët thonë: “Mesihu është i biri i Allahut”. Këto janë fjalët e tyre, nga goja e tyre, i imitojnë fjalët e jobesimtarëve të mëparshëm. I vraftë Allahu! Si po shmangen (nga e vërteta)!
31. Në vend të Allahut, ata kanë zgjedhur për zot rabinët dhe murgjit e tyre, si dhe Mesinë, të birin e Merjemes, ndërkohë që janë urdhëruar të adhurojnë vetëm një Zot, përveç të Cilit nuk ka tjetër që meriton të adhurohet. I lartësuar qoftë Ai mbi gjithçka që ia shoqërojnë (në adhurim).
Lidhur me këtë sure, unë kam thënë në emision:
“Pra, Islami është e vetmja fe, libri i shenjtë i Islamit Kurani është i vetmi libër i shenjtë ku fyhen besimtarët e feve të tjera dhe mallkohen. As të krishterët dhe as hebrejtë nuk kanë diçka të tillë. Ky është fakt.”
Mbi këtë fakt unë kam bërë një pyetje që nuk është imja, por bëhet gjithandej Europës dhe botës jomuslimane, dhe së cilës pyetje unë thjesht i bëj jehonë:
“A jep dot një përgjigje kryeministrja zelandeze dhe kryeministrat e Europës për këtë gjë?”
Është një konstatim i gjerë që nuk është shpikja ime se:
“Nuk japin dot një përgjigje! Dijnë të japin vetëm përgjigje disfatiste.”
Sa për atë që thonë autorët e ankimit se unë bëj monolog pa debat në emision, kjo gjë imponohet nga kohëzgjatja e emisionit, dhjetë minuta. Por unë e mirëpres debatin me këta njerëz nëse janë të gatshëm, ose më mirë le të gjejnë ata përfaqësues në debat që t’ i njohin çështjet për të cilat debatohet.
Brigada xhihadiste e rrjeteve sociale ka nisur një fushatë për ndalimin e emisionit tim, mbylljen e faqes sime në Facebook dhe për dënimin tim. Në krye të fushatës qëndrojnë kryellogaritari i Fabrikës së Cimentos në Fushë-Krujë, Gerdi Demneri.
Ka nisur një proces intensiv i verifikimit të emrave te renditur në letër. Pak më vonë do t’ i publikoj të gjithë për të parë njerëzit se kush e udhëheq Xhihadin propagandistik në Shqipëri./Kastriot Myftaraj” ka shkruar Myftaraj në Facebook.

Baby Boo