Kasami ndalon punimet në Strasho Pinxhur, pronarët e lokaleve kërkojnë përgjegjësi nga Lista Më Mirë për Tetovën

Nga sot do të ndërpriten punimet e filluara ditën e djeshme për shkak të reagimeve dhe mosmarrëveshjeve të krijuara nga këshilltarët “Më mirë për Tetovën”.

“Komuna e Tetovës informon qytetarët, pronarët e lokaleve që gjenden në rrugën “Strasho Pinxhur” dhe të gjithë qytetarët e fshatrave të cilët kalojnë përmes kësaj rruge, se nga sot do të ndërpriten punimet e filluara ditën e djeshme për shkak të reagimeve dhe mosmarrëveshjeve të krijuara nga këshilltarët “Më mirë për Tetovën”. Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ishte i pranishëm në vendngjarje gjatë fillimit të punimeve ku para qytetarëve dhe gazetarëve potencoi se kjo rrugë do të bëhet konform të gjitha standarteve duke përfshi edhe kanalizimin e rrjetit të ujësjellësit, kanalizimin fekal dhe atmosferik dhe për këtë është shumë e qartë se duhet të bëhej edhe pastrimi i terrenit, respektivisht largimi i drunjve të vjetër dhe zëvendësimi me drunj të ri. Komuna do të pres sqarim nga këshilltarët e Listës “Më mirë për Tetovën”, në lidhje me reagimet e tyre dhe cili është propozimi për të vazhduar me punë. Tashmë dihet se kjo rrugë pothuajse më shumë se një vit është e pakalueshme dhe humbjet më të mëdha i kanë ndjerë bizneset që operojnë në këtë pjesë të qytetit dhe banorët që qarkullojnë në këtë aks rrugor.

Të gjithë e kuptojmë rëndësinë e ambientit dhe për këtë shkak Ne pohuam se do të mbjellen pemë të reja. Kërkojmë falje dhe mirëkuptim nga qytetarët për ndërprerjen e punimeve, por u garantojmë se pas zgjidhjes së mosmarrëveshjeve punimet do të fillojnë ashtu siç janë planifikuar”