Kasami: Edhe përkundër diskriminimit që na bën qeveria, Ne do i’a dalim


Tetova nuk është gjunjëzuar dhe nuk do të gjunjëzohet, edhe përkundër diskriminimit që na bën qeveria, Ne do i’a dalim

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e djeshme aspak nuk e ka shqyrtuar kërkesën e Shtabit të Krizës së Komunës së Tetovës, ku kërkohej ndihmë për rajonet e prekura nga përmbytjet. Përmbytjet e ditës së diel dhe të hënë kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në qytet, në fshatin Xhermë, Reçicë e Vogël, Poroj si dhe në fshatrat e malësisë së Tetovës, por për qeverinë këto dëme nuk ekzistojnë sepse në rend dite të seancës qeveritare Tetova nuk është vendosur fare.

Qeveria e papërgjegjshme e Kovaçevskit dhe Ahmetit, me vendimin e djeshëm nuk kanë treguar solidaritet dhe mbështetje për qytetarët për të vetmen arsye, humbja në zgjedhjet lokale të 20 gushtit. Ata nuk mund ta kapërdijnë humbjen dhe shkelmin e fundit që i’u dha populli atyre që për 20 vite shkatërruan çdo gjë, atyre që u pasuruan në kurriz të popullit dhe atyre që keqpërdorën djersën e qytetarëve. Mirëpo, ne jemi të vetëdijshëm për veprimet e qeverisë dhe nuk do ndalemi këtu, por do të vazhdojmë të punojmë dhe të jemi në shërbim të qytetarëve sepse ata besojnë në Ne, në opsionin tonë dhe në zhvillimin e qytetit.

Në anën tjetër, Komuna e Tetovës bashkë me ekipin e NKP-së, të zjarrfikësve dhe qytetarëve vazhdojnë të punojnë në terren për të pastruar të gjitha rrugët, lumenjtë, objektet për t’i treguar qeverisë se ne jemi në shërbim të qytetit dhe qytetarëve, e jo sikurse Ju që jeni në shërbim të politikës ditore dhe klaneve që dëshirojnë të shkatërrojnë Tetovën.

Nga këtu u bëjmë me dije se Tetova nuk është gjunjëzuar asnjëherë dhe do të vazhdojë të ec përpara pasi tashmë për këtë ka edhe mbështetjen e qytetarëve të cilët të shtunën i dhanë goditjen e fundit klaneve politike dashakeqëse. Ne edhe më herët e potencuam se problem i BDI-së dhe qeverisë nuk është Kasami apo këshilltarët, por janë qytetarët të cilët janë zgjuar dhe vazhdojnë të dënojnë politikat e BDI-së dhe partnerëve të tyre.

Doja të potencojë se: Tetova nuk është kundër ndihmës për Kërçovën dhe Strugën, por është kundër diskriminimit dhe diferencimit që i bëhet qytetit tonë, kundër hakmarrjes politike të cilën ju po e motivoni dhe e praktikoni çdo ditë, jemi kundër padrejtësive etj. Është hera e tretë që Tetova kërkon ndihmë nga qeveria për shkak të përmbytjeve dhe dëmeve të shkaktuar nga fatkeqësitë natyrore, por përgjigjja e tyre ka qenë negative.

Kjo qeveri, Tetovën e dëshiron vetëm në kohë të zgjedhjeve ku me mashtrime dhe propagandë tenton të bind qytetarët se ata e duan qytetin, por tashmë të gjithë e kanë kuptuar se qeveria e RVM, Tetovën nuk e llogarit fare. Nëse Ju nuk e doni Tetovën, nuk i doni qytetarët e saj, të paktën na lini neve të qetë, mos na pengoni sepse jemi duke e ndryshuar qytetin dhe duke e transformuar në një qytet evropian dhe për këtë kemi besimin e popullit. Tetova edhe këtë herë do t’ia del e vetme në përballimin me krizën e shkaktuar nga përmbytjet.

Vullneti i qytetarëve këtë herë është shumë më i lartë si kur më parë dhe bashkërisht do ti sanojmë të gjitha defektet!

Baby Boo