“Kapen nga policia burrë e grua, djali na priste i frikësuar në të ftohtë”


Në mesin e personave të каpur nga policia për protestën e dhunshme të banorëve të “Astirit” të enjten para Parlamentit, janë edhe një çift bashkëshortësh.

Burrë e grua thonë se u shoqëruan nga policia në komisariat menjëherë pas protestës, pa i dhënë mundësin të kontaktojnë me asnjë familjarë të tyre për t’i njoftuar. Dhe pasojat e këtyre veprimeve, siç tregoi Lulzim Dozhani sot në gjykatë, i ka pësuar djali i tyre 7-vjeçar.

I vogli ka pritur në shkollë që një nga prindërit të shkonte ta merrte. Por pas një pritje të gjatë ai ka ikur i vetëm në shtëpi, ku ka gjetur derën e mbyllur. Ka pritur edhe aty gjatë, i frikësuar dhe ka ndjerë të ftohtë – rrëfeu sot në seancë gjyqësore babai i tij – dhe ë pas është detyruar të shkojë tek komshinjtë.

Sot në sallën e seancave në Gjykatën për Krime të Rënda, Lulzim Dozhani, kërkoi nga gjykata që të paktën të lë të lirë atë ose bashkëshorten në mënyrë që dikush prej tyre të kujdeset për fëmijën 7-vjeçar.

“Jam arrestuar me gjithë gruan time. Nuk shkoja dot të merrja djalin 7 vjeç nga shkolla. Ne na kanë çuar në komisariat. Na lini njërin të shkojmë ta marrim fëmijën siç presin të gjithë fëmijët e tjerë në shkollë. Nuk na kanë dhënë asnjë të drejtë të kontaktojmë me njerëzit për ta marrë këtë fëmijë. Ka shkuar në shtëpi dhe e ka gjetur derën mbyllur, ka pasur frikë e ftohtë. Ka shkuar dhe është ushqyer tek komshinjtë. Ne jemi në komisariate dhe nëpër burgje”, u shpreh burri në gjyq.

Ndaj tij, Prokuroria ka kërkuar masën detyrim me paraqitje, ndërsa avokati mbrojtës ka kërkuar lirimin e tij. Dozhani pretendon se është dhunuar në qelitë e paraburgimit.

Po ashtu, Prokuroria është tërhequr nga kërkesa “arrest me burg” për Ruzhdi Dacin.

Kjo pasi, gjatë seancës Daci është shprehur se ka djalin dhe prindërit e sëmurë dhe se duhet të kujdeset për ta. Në vend të “arrest me burg”, Prokuroria ka kërkuar masën “detyrim paraqitjeje”.

“Nuk më është paraqitur asnjë provë. Kam nënën e sëmurë. Babai është gjithashtu i sëmurë me sklerozë. Kam dy fëmijë dhe gruan. Nëse me prishin shtëpitë unë bashkë me familjen s’kam ku të fus kokën. Kam dalë në protestë vetëm për të mbrojtur shtëpinë pasi në atë vend jetoj që në vitin 1993. Nuk kam qëlluar policinë. Jam shoqëruar si kriminel”, tha ai.

Baby Boo