Kapen hajdutët serialë në Tiranë


Mund të konsiderohen pa frikë hajdutë serialë, pasi numërojnë të paktën 15 të tilla. Bëhet fjalë për 4 të rinj të arrestuar nga Policia e Tiranës, të cilët dyshohen se qëndrojnë pas disa vjedhjeve në kryeqytet.

Kështu, në pranga përfunduan Artur Marku, 21 vjeç, banues në Fushë Mëzezë, i dënuar më parë për vjedhje e plagosje me dashje. Ogert Skordha, 27 vjeç dhe Amarildo Jashari, 20 vjeç, të gjithë të dënuar më parë për vjedhje dhe banues në Tiranë. Pjesë e grupit dyshohet edhe një 30-vjeçar, me iniciale F. M., i cili u shpall në kërkim. Edhe ky i fundit, i cili është banues në Durrës, rezulton i dënuar me parë për vjedhje.



Policia sqaron se në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata kanë vjedhur magazinat e një kompanie në autostradën “Tiranë – Durrës”, si dhe dyshohet se qëndrojnë pas 4 vjedhjeve të tjera të ndodhura më parë.

Ndërkohë, i arrestuari tjetër është Elidon Alla, 24 vjeç, banues Tiranë. Ai u kap gjatë kohës që po tentonte të vidhte një banesë në rrugën “Sali Butka”. Por pas arrestimit, policia zbuloi se 24-vjeçari ishte autor i jo pak, por plot 11 vjedhjeve të ndodhura më parë nëpër Tiranë, kryesisht banesa dhe dyqane./tvklan.al

Baby Boo