Kanadaja ia ndal eksportin e teknologjisë së dronëve Turqisë, shkak Azerbajxhani


Kanadaja të hënën i tërhoqi lejen për eksportimin e teknologjisë së dronëve në Turqi, pasi arriti në përfundim se pajisjet moderne janë përdorur nga forcat azere kundër Armenisë gjatë luftës për Nagorno-Karabakun, njoftoi ministri i Jashtëm kanadez, Marc Garneau.

Turqia, e cila, njësoj si Kanadaja, është anëtare e NATO-s, është gjithashtu aleate kyçe e Azerbajxhanit, forcat e të cilit fituan territore gjatë luftimeve që zgjatën gjashtë javë.
“Ky përdorim nuk ka qenë në përputhje me politikën e jashtme të Kanadasë, as me sigurimet që na janë dhënë nga Turqia”, tha përmes një deklarate kryediplomati kanadez, duke shtuar se ai i ka ngritur këto shqetësime me homologun turk, Mevlut Cavusoglu.

Kanadaja i pezulloi lejet për eksportimin e kësaj teknologjie në Turqi në tetor të vitit të kaluar në mënyrë që të kishte kohë t’i shqyrtonte pretendimet se dronët azerë që u përdorën në konflikt janë të pajisur me sisteme të prodhuara nga një kompani kanadeze.

Ndaj vendimit të Kanadasë reagoi Ambasada e Turqisë në këtë shtet. “Ne presim që aleatët tanë të NATO-s t’i shmangin hapat jokonstruktivë që do të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe do ta minojnë solidaritetin e aleancës”, thuhet në deklaratën e ambasadës.

Në mesin e pjesëve të përfshira në embargo janë sistemet e kamerave për dronët e ar*matosur të tipit “Baykar”.
Ndryshe, eksportet ushtarake të Turqisë në Azerbajxhan u gjashtëfishuan vitin e kaluar. Shitja e dronëve dhe pajisjeve tjera ushtarake shkoi në 77 milionë dollarë vetëm në shtator, para shpërthimit të lu*ftimeve në Nagorno-Karabak dhe përreth tij.

Baby Boo