Kaligrafisti i Deklaratës së Pavarësisë edhe pas 12 vjetëve nuk është ftuar nga Qeveria për pagesë


Profesori i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës, Shyqri Nimani, i cili bëri bukurshkrimin e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, sot e 12 vite nuk është ftuar nga Qeveria për nënshkrimin e kontratës për kaligrafinë historike të bërë, transmeton Gazeta Metro.

Nimani zgjodhi të tregojë gjëra mjaft interesante, që nga mbrëmja e 16 shkurtit 2008, kur edhe e nisi punën e tij për të zbukuruar këtë deklaratë me dorëshkrimin e tij, gjë për të cilën thotë se kishte punuar për 16 orë rresht.

Edhe pse nuk ka marrë asnjë ftesë deri më tani nga organet shtetërore, Nimani thotë se ndihet krenar pasi që deri në pagesën për punën e bërë, Deklarata mbetet pronë e tij artistike dhe historike.
Në një intervistë për ‘Epoka e re’, ai ka folur edhe për emocionet gjatë shkrimit të tekstit të Deklaratës së Pavarësisë në formatin A/4, për të cilën kishte pritur se do të jetë vetëm një faqe dhe jo më shumë.

“Ç’është e vërteta, në ato çaste unë kam pasur dy lloj ndjenjash të gërshetuara njëra me tjetrën,emocione dhe ankthe. Natyrisht se emocionet kishin të bënin me të qenit i vetëdijshëm se po ndodhte, më në fund, ajo ngjarje historike e shumëpritur e shqiptarëve dhe se fati kishte vendosur që unë ta kaligrafoja (bukurshkruaja) artistikisht me dorën time këtë akt të rëndësisë së parë. Nga ana tjetër, ishte ankthi i madh që më kaploi kur kuptova atë mbrëmje se ishin tri faqe të plota të tekstit të Deklaratës në formatin A/4, të cilat unë do të duhej t’i kaligrafoja në pergamenë (lëkurë viçi). Paraprakisht unë u kisha thënë se do të më duheshin së paku shtatë ditë për këtë ndërmarrje të ndërlikuar, gjithnjë duke menduar se teksti do të përmbante vetëm një faqe kompjuterike, A/4. I gjendur në këto rrethana të pavolitshme, unë nuk kisha zgjidhje tjetër pos t’i përvishesha punës me të gjitha fuqitë e mia të mundshme”, ka thënë ai.

“Unë kisha marrë me vete të gjitha veglat dhe materialet e domosdoshme në zyrat e Qeverisë (meqë kështu më kishin kërkuar). Për çdo rast, kisha marrë me vete dy fletë të mëdha pergamenetë formatit A/2 (420 x 594 mm). Kjo u tregua e arsyeshme sepse, pos tekstit shumë të gjatë të Deklaratës, duhej të llogaritej hapësira edhe për 120 nënshkrimet e kuvendarëve të Kuvendit (morën pjesë 109 gjithsej) si dhe për nënshkrimet e kryeministrit, presidentit dhe të kryetarit të Kuvendit”, ka përfunduar Nimani.

Baby Boo