Kabineti i presidentit: Ivanov ndershëm ka hyrë në politikë dhe ndershëm do të dalë


Pas paralajmërimit se Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit do të ngrit procedurë për kontroll të gjendjes pronësore të presidentit, Gjorge Ivanov, ka reaguar kabineti i tij, duke e përshëndetur procedurën e ndërmarrë.

“Presidenti Gjorge Ivanov shpreh falënderim që Komisioni për Parandalim të Korrupsionit ka ngritur procedurë për kontroll të gjendjes së tij pronësore. Presidenti Ivanov porosit se ndershëm ka hyrë në politikë dhe ndershëm do të dalë në fund të mandatit të dytë. E inkurajojmë Antikorrupsionin të veprojë për këtë rast. Por, gjithashtu, e inkurajojmë që në mënyrë të njëjtë të veprojë edhe për të gjithë bartësit e funksioneve publike në Maqedoni, ashtu siç vepron me presidentin Ivanov”, thonë nga Kabineti.

Ndryshe paralajmërimet e Komisionit vijnë pas informatave se presidenti i Ivanov, ka blerë dy apartamente në Vodno, të cilët në Kadastër janë regjistruar në emër të të birit. Në dokumentacionin kadastral, deri te i cili ka ardhur Televizioni 24, me kërkesë për qasje të lirë në informata publike, thuhet se për të dy apartamentet ekziston para-kontratë për shit-blerje, sepse ndërtesa është ende në ndërtim e sipër.

Nga kabineti i Ivanovit thanë se presidenti ka blerë vetëm një apartament, por nuk e ka paraqitur për shkak se ende nuk e ka paguar dhe nuk e ka listën e pronës.

Pas dhjetë vjetësh në presidencë Ivanov nga Vodno, përveç me dy apartamente, do të largohet me më shumë para në llogaritë bankare. Nga pyetësori mund të shihet se ai ka mbledhur rreth 100 mijë euro. I biri i tij 35 mijë, që i ka fituar me shitje të pronës. Te bashkëshortja Maja për dhjetë vjet nuk ka ndryshim. Edhe atëherë edhe tani ajo në bankë ka 2 mijë euro në denarë.

Baby Boo