Jevtic krahason qasjen e Kurtit ndaj serbëve me atë të Milosevic ndaj shqiptarëve


Dalibor Jevtic ka krahasuar politikat e Slobodan Milosevic me ato që sot, sipas tij, po tenton t’i bëjë Albin Kurti, duke zgjedhur se me këtë flasë e me kë jo për bashkëpunim në qeverinë e ardhshme të Republikës së Kosovës. Ai tërhoqi vërejtjen se Lista Serbe nuk do lejojnë të nëpërkëmben, sipas tij.

Ai ka tërhequr vërejtjen se nuk do të lejojnë mos respekt e shtoi se gabimet e mëdha të Milosevic të përsëriten nga shqiptarët tani.

“Nëse dikush nuk na do në institucione, nëse vazhdimisht refuzon t’i pranojë serbët në mënyrë të barabartë, atëherë ne duhet të sjellim vendime ku shumë qartë do të themi se nuk do të lejojmë këtë mosrespektim. Kjo nënkupton që në përputhje me vendimet që do t’i sjellim në atë moment, do të vendosim edhe për pjesëmarrjen tonë në institucione dhe do të vendosim që duhet të tregojmë se refuzojmë të jemi vetëm të pranishëm sa për përqindje e kuota. E dini, Milosevic ka bërë gabime të mëdha e katastrofale në raport me shqiptarët në të shkuarën. Nuk guxon askush nga liderët shqiptarë të vijë në situatë e të thotë ‘këta serbë më pëlqejnë e këta jo’. Lejoni që ata vetë, qytetarët vetë, të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe mos u përzieni në këtë. Mos lejoni që si Milosevic, ku në Gjakovë jetonin mbi 95% shqiptarë, të jetë kryetari i komunës serb, si në kohën e tij”, tha ai.

Jevtic ka thënë se nuk është prioritet i tyre të jenë pjesë e qeverisë. Sipas tij, ata mund të jenë edhe opozitë mirëpo nuk do të jetë Lista Serbe ajo që do ta shkelë Gjykatën Kushtetuese.

“Për ne s’është prioritet si parti politike të jemi pjesë e qeverisë së re, e as çfarë pozitash do të kemi… Nëse mandatari nuk flet me ne, atëherë në çfarë mënyre do të jemi pjesë e qeverisë? Të ëndërrojmë për seanca e vendime! E dini nëse Kosova është shoqëri multi-etnike, minimumi i saj është që kjo të reflektojë nëpërmes institucioneve. Është minimumi që ju si mandatar të flisni me ata që në mënyrë legale janë zgjedhur përfaqësues të popullit në zgjedhje. Nëse ju refuzoni ta bëni këtë, atëherë problemi nuk është te ne. Nuk jemi ne ata që do të shkelim ligjin e Kushtetutën, por dikush tjetër. Gjithsesi se nëse ne do të ndodhemi në këtë situatë dhe injorohemi si përfaqësues politikë të serbëve, do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Jevtic.

Lista Serbe do t’i përgjigjet çdo thirrje të Lëvizjes Vetëvendosje për bashkëpunim në qeverinë e ardhshme të drejtuar nga mandatari i VV-së për kryeministër, Albin Kurti ka thënë Jevtic.

Dalibor Jevtic, ka thënë po ashtu se ata nuk duan të bllokojnë procese por synojnë që t’i shtyjnë përpara meqë, po të donin, kanë mundësi për ta bërë.

“Po të donim ne të bllokonim procese dhe të donim të shkaktojmë ndonjë krizë të re politike, ne do të thoshim ‘mirë, zoti Kurti s’do të flasë me ne, s’duam as ne me të dhe të shohim si do ta formojë atë qeveri’. Nuk është kriza interesi ynë, por të zgjidhen problemet. Dhe ne do të bëjmë gjithçka për të shmangur situatën në të cilën edhe më shumë do të vështirësonim jetën e qytetarëve”, ka deklaruar Jevtic.

Ai ka thënë se nuk e kanë problem të flasin me askënd, përfshirë këtu edhe Albin Kurtin.

“Nuk kemi kurrfarë problemi të flasim me askënd, sepse në politikë, nëse doni të jeni lider, duhet të jeni të gatshëm të dëgjoni zëra e qëndrime të ndryshme, edhe kur flisni me ata që s’pajtoheni – kjo është demokraci. Nëse nesër doni të udhëhiqni qeverinë, atëherë duhet të jeni të gatshëm të dëgjoni mendime të ndryshme”, deklaroi nënkryetari i Listës Serbe, Jevtic.

Ai bëri të ditur se grupi i tyre parlamentar do të përbëhet nga 10 serbë dhe një goran.

“10 serbë dhe një goran. 11 deputetë në grupin tonë parlamentar. Do të thotë, e përsëris, asnjëherë nuk kishim sjellje shantazhuese, gjithmonë ishim për bisedim, me qëllim të stabilitetit dhe paqes. Fakti që ne duam të flasim, duam të jemi partnerë, nuk do të thotë se dikush mundet të na vërë në tavolinë si lule dhe të thotë ja ku janë. Këta janë ata të tjerët, që ishin më herët”, u shpreh Jevtici.

Tutje Jevtici ka akuzuar Nenad Rashic duke thënë se ndaj politikës ka qasje të bixhozxhiut.

“E njohim shumë mirë Rashic. Rashici që sonte thotë se votat që kanë ardhur nga Serbia janë kriminale dhe duhet të asgjësohen, dhe në mëngjes shkon në Gjykatën Supreme, ankohet dhe thotë se ato vota duhet të pranohen. Nenad Rashici i qaset politikës pak a shumë sikurse edhe jeton! Është qasje e një bixhozxhiu i cili tani do të bëjë blof, nëse kalon”, ka thënë ai.

Baby Boo