“Jemi fokusuar në Covid-19, pacientët me sëmundje tjera po kalojnë në gjendje të rënduar!


Letra e hapur nga PRAK :

LETËR PUBLIKE

I nderuar Ministër i Shëndetësisë, z. Arben Vitia
I nderuar Drejtor i IKSHPK – së, z. Naser Ramadani
I nderuar Drejtor i SHSKUK – së, z. Basri Sejdiu
Të nderuar Drejtorë të Drejtorive për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Komunave të Kosovës

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK vlerëson lart punën e juaj në menaxhimin e Pandemisë COVID-19 deri më tani. Marrja e masave nga ana juaj dhe zbatimi i tyre nga ana e qytetarëve dhe profesionistëve shëndetësor mundësuan që Pandeminë ta kemi nën kontrollë.

Si masë kundër COVID-19 është marrur edhe ndërprerja e shumë shërbimeve shëndetësore duke përjashtuar ato emergjente dhe urgjente.

Kalimi në “stand by” të sektorëve të tjerë shëndetësorë dhe bartja e fokusit në masat ndaj COVID-19, ka ndikuar që pacientëve të tjerë me sëmundje të tjera “të zakonshme” për shkak të mosofrimit të kujdesit të duhur shëndetësor, gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar edhe më tutje, gjë që një numër i tyre po e paguan edhe me jetë.

Natyrisht, për shkak se Kosova nuk ka një Sistem të Integruar të Informimit Shëndetësor, nuk mund të ofrohet ndonjë shifër e saktë e dëmeve që i janë shkaktuar pacientëve të sëmurë me sëmundje të tjera jo të lidhura me COVID-19, por, këtë më së miri po e ndjejnë ata që po kalojnë nëpër këtë sfidë.

Siç u prezantua dje nga Ministria e Shëndetësisë në lehtësimin e masave nuk është paraparë edhe rifillimi i shërbimeve shëndetësore tanimë të ndërprera.

Duke patur parasysh parashikimet e ekspertëve ndërkombëtar dhe vendor, COVID-19 nuk do të jet një “sprint” por një “maratonë”! Nëse kjo pandemi zgjatë sipas këtyre parashikimeve dhe nuk rifillohet ofrimi i shërbimeve shëndetësore, shëndeti i shumë qytetarëve që presin këto shërbime do të jet i rënduar edhe më shumë. Ndoshta do të jemi në një pozicion të vlerësojmë se nga kush po dëmtohet më shumë shëndeti publik, nga pandemia apo mosofrimi i shërbimeve të tjera shëndetësore.
Këta pacientë për dallim prej palëve të tjera nuk kërkojnë asgjë më shumë, veç realizimit të të drejtës së tyre për shëndet dhe jetë dhe kjo është një përgjegjësi e institucioneve.

Meqenëse pandemia do të zgjatë, është shumë e rëndësishme që të gjitha palet të kenë një qasje proaktive në menaxhimin e saj. Andaj, PRAK vlerëson se Institucionet e lartëcekura, me theks të veçantë Ministria e Shëndetësisë duhet të hartojnë një plan të “bashkëjetesës” me virusin COVID-19.

Nuk kemi kohë që ta presim “Reformën në Shëndetësi” e cila asesi nuk po vie, gjersa këtë vonesë, qytetarët po e paguajnë me jetë.
Ligji aktual për shëndetësi dhe aktet tjera pasuese, që ishin hapi i parë drejt reformës në shëndetësi, në frymën e ofrimit të kujdesit të integruar, parasheh themelimin e “Shërbimeve Profesionale”, e cila nuk u implementua asnjëherë.

Andaj, PRAK konsideron që është prioritet themelimi i “Shërbimit profesional për sëmundje infektive” duke e pasur në fokus COVID-19.
Ky Shërbim profesional, me urgjencë ta hartojë planin organizativ dhe operativ. Ashtu siq kërkon korniza ligjore, ky Shërbim do të udhëhiqet nga Klinika Infektive, si nivel terciar dhe do t`i ketë të përfshira Institucionet e të gjitha niveleve të kujdesit shëndetësor.

Një organizim i këtillë i koordinuar në dimensionin vertikal (edhe horizontal) do të mundësonte që Institucionet shëndetësore të kujdesit primar ta kenë përkrahjen nga kujdesi sekondar dhe terciar, dhe si të tilla të jenë më të përgatitura për t`u përballuar me sfidën COVID-19.

Rrjedhimisht, si rezultat do të kemi: pacientit do t`i kthehet shëndeti më shpejt, me një kosto më të lirë dhe se Ai do t`i kthehet punës në rimëkëmbjen e ekonomisë.
Përmes këtyre hapave do të ndahej pandemia nga zhvillimi normal i jetës shoqërore.

Presim nga Ministria e Shëndetësisë dhe të gjithë akterët tjerë politikbërës që ta vlerësojnë këtë iniciativë dhe në fazën e dytë të lehtësimit të masave të kemi hapa konkret në këtë drejtim.

Duke ju uruar punë të mbarë, ne ju përshëndesim.

Me respekt,
PRAK Kosova
049 946 201

Baby Boo