Jasharaj: Dy javë të mjaftueshme për t’u përgatitur, në të kundërtën do të kërkojmë sërish shtyrje


Kosovë/Ministria e Arsimit dhe Shkencës një ditë më parë ka bërë të ditur për shtyrjen e vitit shkollor për 14 shtator për shkak të situatës me COVID-19 në vend. Shtyrja e fillimit të vitit shkollor ishte edhe kërkesë e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës (SBASHK). Në lidhje me shtyrjen e vitit shkollor, kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Ministria e Arsimit dhe institucionet tjera arsimore e kanë kuptuar drejt apelin e SBASHK-ut për shtyrjen e vitit të ri shkollor.

Jasharaj theksoi se duhet të jetë të mjaftueshme shtyrja e fillimit të vitit të ri shkollor për dy javë, nëse Ministria e Arsimit koncentrohet vetëm në përgatitjet e duhura dhe nuk i kthehet debateve të tyre.
Nëse nuk bëhen përgatitjet e duhura siç tha ai, SBASHK-u sërish do të kërkoj shtyrje dhe kjo sipas tij në të mirë të nxënësve që mos të infektohen nga coronavirusi.

“Ministria e Arsimit dhe institucionet tjera arsimore e kuptuan drejt apelin e SBASHK-ut, për shtyrjen e vitit të ri shkollor. Ne kishim vërejtur që shkollat nuk ishin përgatitur për fillimin e vitit të ri shkollor dhe kërkuam që të shtyhet deri në përgatitjet e nevojshme në mënyrë që nxënësit të jenë të sigurt për shëndetit e tyre. Nëse Ministria e Arsimit dhe institucionet tjera koncentrohen në punë e përgatitje dhe nuk i kthehen debateve, mund të jenë të gatshëm për dy javë t’i kryejnë të gjitha përgatitjet e nevojshme, por nëse ndodh e kundërta atëherë SBASHK-u prapë do të dal dhe do të kërkoj të njëjtën gjë.

SBASHK-u do t’i përcjell nga afër dhe nëse kemi informacione se mund të kemi rrezik ne prapë do të dalim dhe të kërkojmë shtyrje. Qëllimi ynë është mbrojta e nxënësve nga COVID-19…Nëse ata veprojnë siç duhet për dy javë mund t’i kryejnë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor”, ka thënë Jasharaj për Telegrafin.

Ndryshe, ditë më parë Qeveria e Kosovës ka miratuar Master-Planin e projektit për mësimin 2020. Dokumenti prezanton tre skenarë të ndryshëm, të mundshëm për organizimin e mësimit, sipas kushteve dhe situatave të ndryshme në institucionet e arsimit parauniversitar në Kosovë:
a) Organizimi i mësimit në shkolla – kërkon investime në pastërti, mirëmbajtje dhe dezinfektim të shkollave;

b) Mësimi i kombinuar (mësimi në shkolla dhe mësimi në distancë) – kërkon gjithashtu investim në pastërti, mirëmbajtje dhe dezinfektim. Kërkon angazhim e stafit ndihmës-rezervë duke përfshirë mësues, punëtorë teknik, mjek dhe psikolog. Ky opsion kërkon që njëkohësisht të zhvillohet edhe mësimi online.
c) Mësimi online dhe në distancë – ky opsion kërkon sigurimin dhe blerjen e pajisjeve teknologjike dhe zhvillimin e mësimit online.

Baby Boo