Ja cilat mosha i prek kanceri i gjirit


Kanceri i gjirit është një lloj kanceri që fillon nga indet e gjirit. Kanceri i gjirit mund të shkaktojë simptoma si tumori, por kjo nuk është simptoma e vetme që shfaq ai. Kanceri i gjirit është kanceri më i zakonshëm që përjetojnë gratë në mbarë botën. Rreth një nga nëntë gra do të shfaqet me kancer gjiri gjatë jetës së saj deklaron për TetovaSot mjeku Argjend Imeri . Ai nënvizon se kanceri i gjirit fillon kur qelizat që ndodhen në gji, fillojnë të ndahen dhe të rriten në një mënyrë të pazakontë dhe të pakontrollueshme.

Mund të fillojë në shumë pjesë të ndryshme të gjirit. Imeri për TS deklaron se lloji më i zakonshëm i kancerit të gjirit fillon nga kanalet e gjirit dhe quhet Karcinoma Duktale. Kanalet janë tuba që çojnë qumështin e gjirit në duktuset (kanalet) e qumështit. Ndonjëherë, kanceri mund të fillojë nga lobet. Lobet janë gjëndra që prodhojnë qumësht i cili përdoret për ushqyerjen me gji.

“Faktori i dytë i rrezikut i pa modifikueshëm është mosha, kanceri i gjirit është më rrallë tek moshat e reja gjegjësisht nga 20 deri në 30 vjet dhe duke arritur kulminacionin, pikun mbas moshës 40 vjeçare, dhe atë nëse kushtimisht e zëmë siç i kemi raportet botërore nëse një grua do të jetoj 80 vjet atëherë çdo e 8 do të preket nga kanceri I gjirit” deklaron mjeku Argjend Imeri.

Rreziku i zhvillimit të kancerit të gjirit rritet me kalimin e moshës. Llojet më të shumta të kancerit manifestohen tek femrat, pas moshës 50 vjeçare, të cilat tashmë kanë hyrë në fazën e menopauzës. Sipas NHS (Shërbimi Kombëtar i Shëndetit të Anglisë), 8 nga 10 raste të kancerit të gjirit ndodhin tek gratë mbi moshën 50 vjeç, vijon mjeku Argjend Imeri.

Gratë me të afërm të shkallës 1 (nëna, motra, vajza) të diagnostikuara me kancer gjiri, paraqesin rrezik të shtuar të zhvillimit të kësaj sëmundjeje. Sa më shumë të afërm (qoftë nga ana e babait ose e nënës) që janë diagnostikuar me këtë lloj kanceri në moshë të re (tregues se është një formë e trashëguar e sëmundjes), aq më shumë ka gjasa që ta zhvillojnë atë./TetovaSot/

Baby Boo