Ja çfarë thonë partitë politike shqiptare për ndryshimin e modelit të zgjedhjeve në Maqedoni


Në rrjedha janë bisedimet në mes partive politikë në Maqedoni lidhur me mundësinë për ndryshimin e modelit të zgjedhjeve. Partitë më të vogla ankohen se modeli ekzistues i favorizon vetëm partitë e mëdha.

Artan Grubi nga partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, vlerëson se nuk ka nevojë për një njësi zgjedhore sepse ndarja e Maqedonisë në gjashtë njësi zgjedhore është treguar si model i suksesshëm.

Grubi thotë se partia që përfaqëson është pro sistemit me lista të hapura.

“Megjithatë duhet pasur parasysh se për këtë duhet të dekodohen dy të tretat e deputetëve, kjo nuk varet nga ne”, thotë për REL Grubi.

Aleanca për Shqiptarët është pro sistemit zgjedhor me lista të hapura si dhe me tre njësi zgjedhore.

“Jemi për sistem zgjedhor me lista të hapura, me tre njësi zgjedhore, edhe atë njësia 1 dhe 2 të jetë ne një njësi zgjedhore, njësia 5 dhe 6 të jetë një njësi zgjedhore, dhe njësia 3-4 të jenë po ashtu në një njësi zgjedhore ky sistem zgjedhor do të pasqyronte një ndarje reale të zonave zgjedhore. Ky edhe është propozimi zyrtar i ASH, të cilin do ta prezantojmë edhe para publikut, edhe në grupin e punës së përgatit ligjin zgjedhor”, tha për Portalb.mk, zëdhënësi Flakron Bexheti.

Zëdhënësi i partisë politike “Lëvizja Besa”, në krye me Afrim Gashin, Orhan Murtezani, thotë për Portalb.mk se ligji iri para së gjithash duhet ta reflektojë vullnetin e qytetarëve dhe ta rrisë cilësinë e përbërjes së Kuvendit

“Nëse i shihni me kujdes votat në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016, do vëreni se edhe pse dallimi ndërmjet votave të Lëvizjes BESA dhe Bashkimit Demokratik për Integrim nuk është aq i madha, ata kanë dyfish më shumë deputet se ne. Kjo e tjetërson vullnetin e qytetarëve andaj jemi thellësish të interesuar për reforma në kodin zgjedhor. Ligji iri para së gjithash duhet ta reflektojë vullnetin e qytetarëve dhe ta rrisë cilësinë e përbërjes së Kuvendit. Në funksion të kësaj edhe më herët e kemi shprehur qëndrimin tonë se jemi të gatshëm të mbështesim model me një njësi zgjedhore me lista të hapura”, tha për Portalb.

Nga partia politike “Lëvizja Besa” në krye me Bilall Kasamin, thonë se janë për ndryshimin e kodit zgjedhor dhe se Maqedonia të jetë një njësi zgjedhore dhe me lista të hapura.

“Për sa i përket modelit zgjedhor, Lëvizja Besa si pjesëmarrëse në grupin punues për ndryshimin e kodit zgjedhor do propozojë që Maqedonia të jetë një njësi zgjedhore dhe me lista të hapura. Përmes këtij modeli jemi të bindur se përzgjedhja e deputetëve të dalë nga ky model do jetë pasqyrimi më i mirë i realitetit politik në Maqedoni dhe përmes listave të hapura dukshëm do përmirësohet kualiteti i kuadrove të propozuara nga partitë politike”, thotë për Portalb.mk sekretari gjeneral, Arjanit Hoxha.

Ndryshe nga partitë më të vogla, nga VMRO-DPMNE thonë se është ende herët që të deklarojnë pozitën e tyre, nga LSDM njoftojnë për REL se janë pro ndryshimit të modelit ekzistues.

Ndërkaq, modeli zgjedhor në Maqedoni është i rregulluar sipas rregullores ligjore zgjedhore. Vendi deri më tani disa herë ka ndryshuar sistemin zgjedhor, kurse banorët kanë votuar 20 herë për zgjedhjet lokale, parlamentare dhe presidenciale në vend.

Baby Boo