Izraeli: Spitalet palestineze të Gazës kanë 2 orë për t’u boshatisur


Operacioni ushtarak i Izraelit ndaj Rripit të Gazës duket se është shumë i afërt. Ushtria izraelite dha në mëngjes një urdhër evakuimi për 1.1 milionë banorë të veriut të Gazës, të cilët do të duhet të lëvizin në jug brenda 24 orëve. Autoriteti i Hamasit për Çështjet e Refugjatëve ka ftuar banorët në Rripin verior të Gazës që të qëndrojnë në shtëpi “dhe t’i rezistojnë luftës psikologjike të bërë nga pushtimi izraelit”. Në mbrëmje Izraeli i dha një ultimatum edhe spitalit Al Aëda në Rripin e Gazës se ka vetëm 2 orë për evakuim. Organizata “Mjekët pa kufij” tha se e ka të pamundur të kryejnë një gjë të tillë pasi stafi është ende duke trajtuar pacientët.

“Ne e dënojmë pa mëdyshje këtë veprim, gjakderdhjen e vazhdueshme pa dallim dhe sulmet ndaj kujdesit shëndetësor në Gaza. Ne po përpiqemi të mbrojmë stafin dhe pacientët tanë” – thuhej në një reagim të “Mjekët pa Kufij” në një mesazh në Twitter.

Ultimatumi i Izraelit për evakuim masiv është dënuar edhe nga Bashkimi Europian dhe Turqia. Edhe Kombet e Bashkuara kanë bërë një apel të fortë për Izraelin që të anulojë vendimin. Rreth 6 mijë bomba kanë rënë në Gaza në 6 ditë duke shënuar të paktën 1500 të vrarë. Në Izrael ndërkohë numri i viktimave llogaritet në 1300.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken udhëtoi për në Jordani pas Tel Avivit dhe në mbrëmje do të jetë në Katar. Sot liderët e BE-së kanë deklaruar se janë në gatishmëri për atë që ka marrë emrin si “e premtja e zemërimit”. Ndërkohë në Liban ka pasur një takim mes sekretarit të përgjithshëm të Hezbollahut dhe ministrit të Jashtëm iranian. Ndërsa Arabia Saudite po ngrin planet e mbështetura nga SHBA për të normalizuar marrëdhëniet me Izraelin. Lajmin e konfirmuan dy burime të afërta me Riadin për agjencinë Reuters.

Baby Boo