Izraeli po i përmirëson dukshëm raportet me shtetet arabe


Udhëheqësit izraelitë shpesh deklarojnë se gjenden në një fqinjësi të vështirë, por kohëve të fundit janë shfaqur disa shenja të jashtëzakonshme të miqësisë me pjesë të caktuara të botës arabe. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu dhe bashkëshortja e tij u takuan me Sulltanin e Omanit muajin e kaluar në një vizitë të befasishme, e cila ishte e para pas më tepër se dy dekadash.
Ata u pritën në një darkë luksoze dhe me muzikë tradicionale omanase, ndërsa Netanyahu kishte thënë se kishin zhvilluar bisedë shumë të rëndësishme, duke premtuar se në të ardhmen vizitat do të shtohen. Në kohën kur ai po jepte këtë deklaratë, Ministrja e Izraelit për Sport dhe Kulturë, Miri Regev, po merrte pjesë në garën ndërkombëtare të xhudos në Abu Dabi, kryeqytet i Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ajo u shpreh e gëzuar kur një atlet izraelit fitoi një medalje të artë dhe kur u intonua himni i Izraelit, diçka që nuk kishte ndodhur më parë në Gadishullin Arabik.

Disa ditë më vonë, një ministër izraelit foli për paqen dhe sigurinë në një tubim në Dubai të Emirateve të Bashkuara. Ndryshe, Ministri i Transportit ndodhet në Oman për të propozuar një hekurudhë që do ta lidhte Izraelin me vendet arabe. E tërë kjo po bëhet pavarësisht faktit se Izraeli nuk ka marrëdhënie zyrtare dhe diplomatike me Omanin apo Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në anën tjetër, palestinezët janë alarmuar nga këto aleanca të reja në kohën kur Donald Trump po premton se do ta paraqesë “Marrëveshjen e Shekullit”, e cila synon t’i japë fund konfliktit të tyre me Izraelin. Ata kanë frikë se administrata e Trumpit do të kërkojë nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vendet tjera që t’i bëjnë trysni palestinezëve që ta pranojnë një marrëveshje të paqes e cila nuk i plotëson kërkesat e tyre të përhershme, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Baby Boo