Palestinezët raportojnë sot një sulm vdekjeprurës izraelit në një kompleks shkolle që shërbente si strehë në Gaza, ndërsa sekretari amerikan i shtetit Anthony Blinken ndodhet në Jordani për të dëgjuar kërkesat arabe për një armëpushim.
Dëshmitarët okularë pohojnë se sulmi ajror goditi shkollën Al Faqura në Jabalia, ku jetojnë mijëra të evakuuar. Të paktën 15 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, tha Mohammad Abu Selmeya, një zyrtar i ministrisë së shëndetësisë në enklavën e kontrolluar nga Hamasi.
BREAKING: AL-FAKHOURA SCHOOL TARGETED AND BOMBED BY ISRAEL – 12 KILLED AND 54 WOUNDED pic.twitter.com/dtg1Essd2T
— Sulaiman Ahmed (@ShaykhSulaiman) November 4, 2023
Juliet Touma, drejtoreshë e komunikimit për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), konfirmoi për Reuters se shkolla e drejtuar nga organizmi botëror ishte goditur. Mes viktimave ka edhe fëmijë, por UNRWA ende nuk e ka konfirmuar numrin e saktë të të vdekurve.
“Të paktën një sulm ajror goditi këndin e lojërave të shkollës ku kishte tenda për familjet refugjate. Sulmi i dytë goditi një shkollë ku gratë po gatuanin bukë”, tha ajo në një deklaratë telefonike. Fotot e Reuters të pasojave tregojnë mobilje të shkatërruara dhe prona të tjera të shpërndara në dysheme, pellgje gjaku dhe njerëz që qajnë.
“Njerëzit po përgatisnin mëngjesin kur papritmas filloi bombardimi,” tha një burrë në një video të siguruar nga agjencia e lajmeve. “Kam gjetur dy vajzat e mia të vogla, njëra e qëlluar në kokë, tjetra e qëlluar në këmbë. “Ajo është plagosur nga predha”.
Ministria e shëndetësisë e Gazës tha se dy gra u vranë gjithashtu në një sulm me raketa izraelite në hyrje të Spitalit të Fëmijëve Nasser. Aty ka edhe të lënduar. Izraeli nuk ka komentuar ende këto pretendime.
Ushtria izraelite ka njoftuar se do të lejojë palestinezët të largohen nga veriu përmes rrugës kryesore për në Gaza sot nga ora 13:00 deri në 16:00.
“Nëse kujdeseni për veten dhe të dashurit tuaj, ndiqni udhëzimet tona dhe shkoni në jug”, tha ajo në arabisht.
I dërguari i posaçëm amerikan David Satterfield në Aman tha se nga pjesa veriore e Rripit tashmë janë larguar nga 800 mijë deri në një milion njerëz, ndërsa aty kanë mbetur nga 350 deri në 400 mijë.