Ivanov zbut tonet, hera e parë që flet dhe nuk shkakton reagime


Presidenti, Gjorgje Ivanov sot u shfaq pak më ndryshe. Foli më shumë se 15 minuta dhe nuk shkaktoi asnjë polemikë në opinion. Tha që ushtari i ARM-së është modest, e për këtë shkak ai, si komandant suprem i forcave të armatosura, ka insistuar gjatë gjithë kohës që të rritet buxheti.

Në suaza të festës së ditës së armatës, u ndanë dekorime, por edhe u emërua edhe komandanti i ri i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës. Vasko Gjurçinovski do të jetë pasardhës i Gjeneralit, Metodija Veliçkovskit. Ky i fundit në fjalimin e tij e konsideroi si një ndër sukseset më të mëdha, marrjen e datës për hapjen e bisedimeve me NATO-n. Pasardhësi i tij premtoi se në çdo pozicion të armatës, do të jetë personi i duhur. Ministrja, Radmilla Sheqerinska u lavdërua për punën e bërë. E rritëm buxhetin, me çka u sigurua rritje për 15% e rrogave, siguruam para për uniforma të reja, tha ajo. E më rëndësishmja sipas saj, është që nga një shtet i robëruar, Maqedonia u shndërrua në një aleat të besueshëm për NATO-n dhe fqinjët. Por ky përparim po i pengon dikujt, sipas saj.

Përparimi i Republikës së Maqedonisë, si duket nuk është lajm i mirë për ata të cilët nuk i ndajnë vlerat e njëjta demokratike, për ata të cilët frikësohen nga shteti i së drejtës dhe mendimit kritik. Me vëmendje, por pa brenga po i përcjellim lajmet e rrejshme të cilat po shpërndahen në këtë periudhë të fundit, të qëllimshme dhe mirë të menduara me qëllim që ti diskreditojnë këto procese reformuese, që ta ngadalësojnë rrugën tonë drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Në mungesë të argumenteve shfrytëzohen gënjeshtra. Gënjeshtra me të cilat synohet që qytetari i Maqedonisë ta humbë nga shikimi orientimin strategjik të shtetit, deklaroi ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.

“Kur është rëndë, dallohen trimat”… me këtë fjali ministrja i bëri thirrje popullatës që të dalë dhe të votoj për ardhmërinë evropiane. E për opozitën, Zaev dhe Sheqerinska e kanë ulur në dy gjunjë armatën me skandalet dhe aferat.

Sheqerinska duhet ta dijë se me nënvlerësime dhe poshtërim të armatës, nuk shkohet në NATO. As ata, dhe askush tjetër, përveç pjesëtarët e ARM-së me profesionalitetin dhe përgatitjen, sakrificën dhe trimërinë, janë fajtorë për mendimin e lartë për ARM-në në botë. Edhe pse po përballen me kushte të dobëta për punë, ata e mbajnë në nivel të lartë përgatitjen e tyre luftarake, reaguan nga partia opozitare VMRO-DPMNE.
Mjete më shumë kërkoi dhe komandanti i ri i Shtabit të Përgjithshëm. Ai i tha qeverisë që t’ia siguroj mjetet, e për punën tjetër, sipas tij përkujdesen vet ushtarët.

Baby Boo