ISIS-i synon sërish kryengritje


Grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS) mund të jetë i bazuar në Irak, mirëpo rrjeti synon të bashkohet sërish për ndonjë kryengritje eventuale, ka thënë një grup i ekspertëve të Kombeve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit.

Qëndrimi i tyre është i bazuar në raportin e OKB-së për grupin ekstremist, në të cilën është thënë se “qendra e tij e gravitetit” gjendet në Irak, aty edhe ku besohet se jeton lideri i këtij grupi, Abu Bakr al-Bghadi.

Pas largimit nga Baghuzi në muajin mars, njëherësh bazës së fundit në Siri, udhëheqësia e IS-it tani synon të përgatitet për rikthim, është thënë në raport.

Aty është thënë edhe se ky grup e shfrytëzon “propagandën” për të udhëhequr si “rrjet terrorist global”.

Pikëpamje të njëta për IS-in kanë ndarë edhe zyrtarët e inteligjencës amerikane.

Pas mposhtjes së tyre në Baghuz, i dërguari amerikan në Siri, James Jeffery, ka thënë se “ky nuk është fundi i luftimeve”.

Duke cituar një raport të Institutit për Studime të Luftës, Zëri i Amerikës ka raportuar se kthimi i IS-it “mund të jetë më i shpejtë dhe më shkatërrues”, se më parë.

Aktualisht besohet se 10,000-15,000 luftëtarë mund të jenë në Siri dhe Irak.

Në raport është përmendur edhe se IS-i ka aktualisht të ardhura nga 50 milionë deri në 300 milionë dollarë, mirëpo “ka mungesë fondesh” për të kryer sulme.

Ndërkohë e ardhmja e grupit tjetër militant Al-Kaida nuk dihet pasi lideri i tij, Ayman al-Zawahiri, është raportuar të jetë në “gjendje të keqe dhe ka dyshime se si do të menaxhohet kalimi i kompetencave te dikush tjetër”.

Mediat amerikane kanë raportuar më 31 korrik se Hamza bin Laden, djali i themeluesit të grupit al-Kaida, tashmë është i vdekur.

Baby Boo