Ishin përfitues të ndihmës sociale bënin një jetë luksoze: Pastronin para nga lojëra fati online, klientët u paguanin me kriptovaluta

Njësia për Hetime Financiare pranë Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Serioz në MPB, në koordinim me hetuesit nga Qendra Hetimore e Prokurorisë Themelore Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, dje, për shkak të dyshimeve të bazuara për kryerjen e veprave penale, ka dorëzuar kallëzim penal në PTHP për Krim të Organizuar dhe Korrupsion kundër katër personave: F.D. (41) dhe E.D. (43) nga Shtipi për kryerjen e veprës penale sipas nenit 156, paragrafi 3 të Ligjit për Lojërat e Fatit dhe Lojërat Argëtuese në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal, dhe sipas nenit 273 të Kodit Penal (“pastrim parash dhe të ardhura të tjera nga vepra penale”), si dhe kundër personave E.D. (19) dhe F.R. (34), gjithashtu nga Shtipi, sipas nenit 273, paragrafi 4 në lidhje me paragrafët 1 dhe 2 të Kodit Penal.

Në kuadër të aktiviteteve të djeshme të Njësisë, në bashkëpunim me PTHP për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, MPB njoftoi sot se janë ndërmarrë dhe përmbyllur të gjitha masat operative të nevojshme për dokumentimin e plotë të rastit, gjatë të cilave janë siguruar një numër i madh provash materiale. Gjithashtu, janë kryer bastisje tek të dyshuarit, ku janë gjetur dhe konfiskuar stoli ari, katër automjete luksoze, pesë motoçikleta dhe një katërçikël.

– I dyshuari i parë dhe i dyti, si bashkëkryes të veprës penale, nga data 01.01.2020 e deri më tani, në mënyrë të përbashkët dhe pas një marrëveshjeje paraprake, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Lojërat e Fatit dhe Lojërat Argëtuese, në shtëpinë e tyre familjare në Shtip, kanë organizuar dhe zhvilluar në mënyrë të paligjshme lojëra fati në internet përmes rrjetit global të internetit. Bashkëshortët F.D. dhe E.D., pasi kanë siguruar fonde dhe pajisje kompjuterike, kanë angazhuar persona të cilët e dyshuara e parë i ka trajnuar për përdorimin e platformës për shërbimin e klientëve të interesuar, ndërsa i dyshuari i dytë u ka dhënë këshilla dhe ka siguruar pajisje elektronike, pajisje celulare dhe kartela SIM për të punësuarit, duke dhënë një kontribut të veçantë në veprimtaritë e paligjshme.

Me klientët, të cilët duhej të ishin shtetas turq, kanë komunikuar përmes aplikacioneve Skype dhe Whatsapp, duke u ofruar atyre mundësi të favorshme për bastvënie dhe lojëra fati, për të cilat, sipas të dhënave fillestare, të dyshuarit kanë marrë një përqindje të caktuar në kriptovaluta në një “Portofol Elektronik” në pronësi të të dyshuarës së parë, thuhet në njoftim.

Me qëllim që të fshehin burimin e parave, të ardhurat e paligjshme që merrnin në formë kriptovalutash, siç thuhet në njoftim, i konvertonin në valutë të huaj – dollarë ose euro – dhe i transferonin në një “Portofol Elektronik” në pronësi të një këmbimoreje për shkëmbim të kriptovalutave.

– Prej andej, paratë i tërhiqnin në formë të gatshme, një pjesë të vogël i fusnin në qarkullim duke i transferuar te shtetas të huaj me të cilët nuk kishin marrëdhënie borxh-dhënës, ndërsa pjesën më të madhe e futnin në rrjedha legale financiare, i depozitonin në llogaritë e tyre në denarë dhe blinin pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, duke bërë një jetë luksoze, megjithëse ishin të papunë dhe përfitues të ndihmës sociale, njoftoi MPB.

Në fshehjen e burimit të parave kanë marrë pjesë edhe vajza e tyre dhe personi i katërt i paditur, duke pranuar fonde për të cilat ishin të detyruar dhe mund të dinin se ishin siguruar nga një vepër penale përmes organizimit të lojërave të fatit përmes rrjetit global të internetit. Këto fonde i kanë futur në qarkullim duke blerë dy automjete.