Ish-ushtari UÇK’së dorëzon certifikatën e veteranit, thotë fjalë të rënda për mashtruesit


Për afër 20 vjet është abuzuar dhe kontrabanduar me vlerat e luftës. Nuk dua te jem pjesë dhe numër i statistikave në një proces krejtësisht korruptiv. Kjo dhe shumë arsye tjera më kanë detyruar të dorëzojë certifikatën e veteranit dhe të heqi dorë nga të gjitha benificionet. Betimin që e kam dhënë në luftë nuk do ta shkeli derisa dheu i kësaj toke të më mbulojë. Kjo është një pjesë e përmbajtjes së Letrës së njëri prej luftëtarëve të parë të UÇK’së, Besnik Sheqiri, e dorëzuar në Komisionin për Veteranët.

Besnik Sheqiri, njëri prej luftëtarëve të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Zonën Operative të Llapit, ka hequr dorë nga pozita e veteranit. Ka vendosur të mos i shfrytëzojë asnjë nga benificionet që i ofron një dokument i tillë i lëshuar për ata që kanë luftuar por i keqpërdorur edhe nga mijëra matrapazë e profiterë.

Pikërisht, keqpërdorimin e këtij statusi nga ata që kurrë s’kanë luftuar, Besnik Sheqiri e ka dhënë si argument se nuk dëshiron të jetë më pjesë e kësaj liste të çoroditur.

Ka thënë se po e dorëzon certifikatën e veteranit pasi nuk dëshiron të jetë pjesë dhe numër i statistikave të një proces krejtësisht korruptiv,të pamoralshëm dhe të turpshëm.

“Jam i vetëdijshëm se luftën e bëri UÇK krah për krah me popullin, intervenimin e NATO’së, para se gjithash me ndihmën e Zotit. Është naivitet sot pas gati dy dekadave të diskutohet se kush është veteran, është joprofesionalizëm. Ishin ata që ishin vetëm se duhet një muaj kohë për ti shkruar në letër-kaq.

Dokumentin me refuzim të të gjitha benificioneve të veteranit, Sheqiri e ka dorëzuar në Komisionin për Njohjen e Statusit të Veteranit që drejtohet nga ish-udhëheqësi i UÇK’së, Agim Çeku, i cili është edhe i akuzuar për mashtrim me lista të veteranëve.

Ish-luftëtari i UÇK’së, shoku dhe bashkëluftëtari i dëshmorit Bedri Bajrami thotë se duhen edhe 20 vjet të tjera për të pastruar turpin për atë që ka ndodhur këto vite me statusin e veteranit.

Ai thotë se ende s’i kupton qysh dikush mund të përfitojë nga

“Në vend se të kujdeseshim dhe të bënim përpjekje për ndërtimin e një shteti ligjor të së drejtës, për sundimin e ligjit, për mirëqenien dhe sigurinë e qytetarit, për ngritjen e moralit, në degraduam, rrëshqitëm nga verbimi për të grabitur pasuri e pushtet dhe tani jemi këtu ku jemi në një pozite ku s’ka besë e nderë. Edhe lakminë e të pangopurve e kuptoj, porse të përfitohet në emër të luftës, në emër të dëshmorëve e invalidëve, veteranëve të vërtetë, kjo është një padrejtësi që po i bëhet historisë dhe gjeneratave që vinë pas nesh”, ka shkruar Sheqiri.

“Humbëm shumë kohë gati për dy dekada duke abuzuar në mënyrën më poshtëruese duke kontrabanduar me vlerat e luftës, dëmtuam shtetin, shkatërruam vlerat më vitale duke mashtruar opinionin, dhe tani edhe sikur do të dëshironim nuk do të kishim pasë mundësinë edhe për dy dekada tjera për të pastruar njollat që lëmë pas”, ka shkruar Sheqiri, në Letrën dorëzuar Komisionit, të cilën e ka siguruar Gazeta Express.

“Kjo nuk do duhej të ndodhte”, vazhdon më tej ne letër.

Reagimi i ish-ushtarit të Njësisë Speciale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vjen pak ditë pasi një prokuror, Elez Blakaj, iku në Amerikë, pasi kishte ngritur një aktakuzë ndaj ish-udhëheqësve të luftës për fryrje të listave të veteranëve.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte themeluar në vitet e 90’ta për ta luftuar pushtetin e Jugosllavisë dhe regjimin e Sllobodan Milloshevicit. Deri tash janë përmendur disa shifra se sa mund të kenë qenë pjesëmarrës në luftë. Është thënë se ishin 13 mijë, 15, 20 ndërsa me letra janë shënuar 60 mijë njerëz. Prokurori i dorëhequr dhe i ikur në Amerikë ka thënë se 20 mijë prej tyre janë mashtrues dhe e dëmtojnë shtetin për afro 40 milionë euro në vit.

Besnik Sheqiri thotë se po heq dorë pikërisht se është keqpërdorur statusi i shenjtë i luftëtarit të vërtetë.Dështuam ti mbrojmë vlerat e luftës duke i dhënë përparësi pasurimit në mënyrë të paligjshme e të pamoralshme,të uritur për lek e pushtet nuk kemi lënë parim pa e shkelë.

“Andaj unë si pjesëtar i UÇK-së,i rreshtuar në kohë dhe vend aty ku duhej rreshtuar, sikure edhe bashkëluftëtarët tjerë, ne shenjë revolte, hjek dorë nga të qenit veteran luftëtar i UÇK-së,si dhe çdo benificioni që do të kishte me rrjedhë nga ky status në një proces krejtësisht korruptiv. Pra, s’dua të jem pjesë e këtyre statistikave”, shkruan Sheqiri, aktualisht avokat.

Besnik Sheqiri ishte ndër pjesëtarët e parë të UÇK’së në Kosovë dhe Llap. Ka treguar se për çka është betuar kur ka hyrë në luftë bashkë edhe me ushtarët që kanë dhënë jetën për Kosovë.

“Jam betuar në luftë se krejt jetën do të punoj për këtë vend. Këtij betimi i qëndroj prapa edhe sot, edhe nesër, derisa të më mbuloj dheu për të cilin kanë dhënë jetën shokët tanë”, thotë Sheqiri, babai i të cilit ka qenë i dënuar politik për shtatë vite nga regjimi i Jugosllavisë, një procesi politik me dëshmi të disa shqiptarëve të cilët tash e quajnë veten patriot.

Sheqiri që kishte punuar për më shumë se 17 vjet në Policinë e Kosovës ka thënë se pikërisht këto dallavere dhe tjera kanë krijuar depresion dhe pasiguri te qytetarët. Ka thënë se korrupsioni,nepotizmi,krimi i organizuar e kanë kontaminuar Shtetin në kundërshtim me idealin e luftëtarit të UÇK’së.

“Kauza jonë ishte lufta për Lirir-kjo na mjafton. Kemi futur popullin në një depresion dhe pasiguri institucionale, kemi krijuar një ambient totalisht të kontaminuar nga korrupcioni-ky nuk ishte ideali ynë. I paçim në qafë gjeneratat që vinë pas nesh. Unë vazhdoj të mbajë në zemër vulën Ushtar i UÇK-së,një historie e shkruar me gjak e sakrifica-kjo më mjafton”, ka shtuar ai.

Megjithëkëtë, Besnik Sheqiri ka thënë se nuk do të pranojë asnjë benificion pse ka luftuar por do ta mbajë në zëmër vulën e ushtarit të UÇK’së.

“Çdo hap e mund që kam bërë falë i qoftë Kosovës dhe popullit tim. Unë vazhdoj të mbajë në zemër dhe me krenari vulën USHTARI I UÇK’së, një historie të shkruar me gjak e sakrifica, kjo më mjafton.”, ka ish-ushtari i Njësisë Speciale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Letra e Sheqirit Drejtuar Komisionit për Njohjen e Statusit të Veteranit:

Duke i përcjellur me vëmendje dhe shqetësim zhvillimet e fundit në lidhje me verifikimin e listave të Veteranëve të luftës së UÇK-së,dhe duke besuar me bindje se tërë këtë proces e kanë përcjellur parregullësi dhe probleme të shumta dhe me qëllime jo fisnike,në shenjë revolte unë Besnik N. Sheqiri nga Podujeva me statusin Veteran Luftëtar i UÇK-së, nga ZOLL me Nr.protokolit 21/2644 të datës 17.08.2015 të lëshuar nga Komisioni Qeveritar Për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit,Invalidit,Veteranit,Pjesëtarit apo të Internuarit të UÇK-së, dhe të nënshkruar nga kryetari i komisionit z.Agim Çeku, deklaroj se me vullnetin tim të lirë dhe pa presion ,pranë komisionit përkatës,dorëzoj vullnetarisht certifikatën time Veteran Luftëtar dhe” nga I njëjti komision kërkoj që të më shlyejë nga evidence, dhe përfundimisht hjek dorë nga statusi i veteranit dhe çdo benificion që do të kishte me rrjedhë nga ky status”.

Unë vazhdoj të mbajë në zemër dhe me krenari vulën Ushtar i UÇK-së, një historie të shkruar me gjak e sakrifica, kjo më mjafton.