Ish-prokurori serb: Ish-krerët e UÇK-së do të dënohen, pres të akuzohen edhe për trafikim organesh


Ish-prokurori i krimeve të luftës në Serbi, Vladimir Vukçeviq ka thënë se e mbështet plotësisht mesazhin e ish-prokurorit të EULEX-it, Clint Williamson, i cili tha ABC News në Shqipëri se kurrë nuk është vonë për t’i gjykuar krimet që pretendohet të jenë kryer nga ish-anëtarë të UÇK-së. Vukçeviq kujtoi se ka pasur bashkëpunim shumë të mirë me Williamsonin, ndërsa tha se beson që ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së do të dënohen.

“Unë mendoj se kjo është deklaratë e saktë dhe pasqyron situatën faktike. Më lejoni t’ju kujtoj, pasi ia dorëzova materialin e plotë që ia bëmë Dick Martyt dhe pas raportit të tij bazuar në këtë, Clint Williamson filloi hetimin e tij. Kam pasur një bashkëpunim shumë të mirë. Ne ia dhamë atij logjistikën e plotë, ai dëgjoi më shumë se 40 dëshmitarë me ne në Prokurori dhe pas kësaj u mor një vendim për të krijuar atë gjykatë, kështu që unë mendoj se ka prova të mjaftueshme dhe vendimet do të jenë dënuese, por unë nuk do të paragjykoja rezultatin, prokurori nuk duhet ta bëjë kurrë atë ”, ka thënë Vukçeviq për mediumin serb në Kosovë, “Kosovo Online”.

Lidhur me pretendimet e trafikimit të organeve dhe “shtëpisë së verdhë”, të cilën Williamson tha se pret që Prokuroria e Hagës të paraqesë gjatë gjykimit të Hashim Thaçit dhe ish-drejtuesve të tjerë të arrestuar të UÇK-së, Vukçeviq thotë se pret që edhe trafikimi i organeve të përfshihet në procesin e gjykimit.

“Gjithçka filloi me zbulimin tonë që ka indikacione dhe madje prova materiale që kishte trafikim organesh. Nga atje, ne filluam të gjithë procesin dhe arritëm në atë që kemi sot. Pra, është normale dhe mund të presim që trafikimi i organeve do të jetë fokusi i gjykatës, por unë nuk do të jepja parashikim për rezultatin përfundimtar” tha Vukçeviq.

Baby Boo