Ish-kandidati i VV-së për deputet: Kurti relativizoi humbjen, në raund të parë u mposht 9:0


Liri Loshi i cili ka qenë kandidat për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit përmes një shkrimi në profilin e tij zyrtar ka thënë se partia që drejton Kurti në raundin e parë të zgjedhjeve lokale ka humbur 9:0, raporton Gazeta Express.

Loshi ka drejtuar edhe kritika në adresë të Kurtit duke thënë se s’mund të mbulohet i gjithë dështimi në zgjedhje lokale me një deklaratë që Vetëvendosje është e kënaqur se si ka dalë nga votimet e 17 tetorit.

“Dje kam shkruar disa statuse ironike e satirike për me e relativizu deshpërimin për humbjen, por jo me e relativizu edhe humbjen, siç e relativizoi kryeministri dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, zoti Albin Kurti me deklaratën e tij për emocionin e kënaqësisë për humbjen!Zgjedhjet lokale i kanë dy runde. Rundin e parë Vetëvendosje e ka humbur 9:0. Pra, 9 për opozitën dhe 0 për Vetëvendosjen. Rundi i parë është deshtim. Kjo tregon defektin e madh brenda vetes, pra brenda partisë dhe ky defekt nuk mbulohet me një deklaratë të stisur, se jemi të kënaqur! Ne nuk jemi mazohistë që më mbetë të kënaqur kur kundërshtarët na grushtojnë e na plandosin para këmbve të tyre!”, ka shkruar ai.

Loshi tutje ka thënë se Kurti duhet të mbledh partinë urgjentisht për të analizuar shkaqet që kanë çuar Vetëvendosjen në një humbje të tillë.

“Vetëvendosje duhet të tubohet urgjentisht dhe të identifikojë shkaqet e vërteta që çuan në këtë humbje të madhe. Dhe, të organizohet e të punojë 24/7 në katër javët e ardhshme për të marrë sa më shumë komuna në balotazh. Apo, më thjeshtë, për të qenë fituese absolute e rundit të dytë të zgjedhjeve”, ka shtuar tutje ai.

Në fund Loshi thotë se nëse partia e Kurtit humb edhe në raundin e dytë, atëherë duhet shkohet në zgjedhje të reja nacionale meqë sipas tij vihet në pikëpyetje legjitimieti i pushtetit në nivel qendror.

“Nëse Vetëvendosje humb rundin e dytë, atëherë edhe legjitimiteti i pushtetit qëndror do të jetë në pikëpyetje të madhe. Ky legjitimitet duhet me u verifiku me zgjedhje të reja të nivelit qëndror sa më shpejt që kjo të jetë teknikisht e mundur.

Populli nuk e ka dhënë votën që të zgjedhurit e tyre me flejtë, por me punu. Rezultati eventual i humbjes në zgjedhjet lokale do të jetë indikacion i mospunës, përkatësisht i pakënaqësisë së popullit me qeverinë e tyre. Situata duhet me u vlerësu drejt dhe lidershipi i partisë me vepru me përgjegjësi dhe me marrë masa adekuate”, ka përfunduar ai

Baby Boo