ISH DEPUTETËT E VMRO-SË KUNDËR ATYRE AKTUAL, DIMITROVA QORTON GJORÇEVIN, PATRIOTËT NUK JANË ME JUVE


Edhe pse në moshë dhe me pengesa në lëvizje, deputetët e përbërjes së parë erdhën në Kuvend për ta shprehur përkrahjen për marrëveshjen me Greqinë.
Feriz Sadiku i Partisë Popullore, është njëri prej deputeteve që e kishin më rënd që të ngjiten në katin e dytë të Kuvendit. Pas 27 vjetëve po kthehet në ndërtesën e institucionit ligjdhënës, por kësaj radhe jo për ta bojkotuar votimin e kushtetutës, por për të bërë thirrje që të votohet në referendum, i bindur se anëtarësimi do të sjell të mira për të gjithë qytetarët, përfshirë këtu edhe barazinë për shqiptarët.

“Për shkak të situatës së tanishme për shkak të referendumit, e pash të arsyeshme që pas 27 vjetëve edhe kështu siç jam me handikap, e pash të rrugës që të vijë këtu.
Sipas mendimit tim, shqiptarët vetëm mundet të përfitojnë, nuk mund të humbin.
27 vjet e pamë se nuk kishte mundësi tjetër se si të dalim nga kjo baltë”, tha Feriz Sadiku, ish deputet.

Bashkë me të erdhi edhe kryetari i parë i Kuvendit në Maqedoninë pluraliste, Stojan Andov.

“Prej vitit 91 e këndej, shumë rëndë unifikoheshim. Shumë rëndë ishte që maqedonasit në mes vete të merren vesh, kishin një sjellje militante në mes vete. Edhe me rëndë ne nuk mundeshim ta gjejmë formën e unifikimit edhe me shqiptarët, por edhe me përfaqësuesit e etnive tjera tek ne. Kjo na kushtoi shumë dhe e paguam shtrenjtë. Për disa punë vdiqën edhe njerëz.
Sot në Maqedoni ekziston unitet formal… Unitet mes maqedonasve, shqiptarëve dhe të gjitha bashkësive tjera etnike”, tha Stojan Andov, Kryetar i parë i Kuvendit.

Të bashkuar për referendumin ishin edhe disa ish-deputet të VMRO DPMNE-së, kurse njëri prej tyre është edhe nga pjesa e Greqisë, që maqedonasit e konsideronin si Maqedonia e Egjeut.

“Unë jam i bindur se Maqedonia asnjëherë më nuk do të fitojë një marrëveshje kaq të mirë. Në Greqi asnjëherë nuk do të ketë kryeministër siç është Ciprasi.
Unë e kam prejardhjen prej Maqedonisë së Egjeut, prindërit e mi janë lindur atje, në luftën qytetare, nëna ime e humbi vëllain dhe motrën dhe mund lirshëm të them se të gjithë kryeministrat e deritanishëm vijnë nga ai mentaliteti monarko-fashist që ka sunduar me Greqinë me vite. Cipras është kryeministri i vetëm familja e së cilit vjen nga Armata Demokrate Greke, të cilët luftuan me paraardhësit tanë”, tha Mihaill Panovski, ish deputet i VMRO DPMNE-së.

E ish deputetja e VMRO DPMNE-së, Ratka Dimitrova, e takoi para Kuvendit Vllatko Gjorçevin, i cili është një ndër deputetet që më së zëshmi e kundërshton marrëveshjen. Nuk e la pa i treguar se pse ajo është më patriote se ai.

“Përse ju jeni më patriot se zonja e cila sapo u prononcua se do të votoj në referendum dhe dha përkrahje për marrëveshjen!?
Patriotët e vërtetë të VMRO-së janë të gjithë me mua dhe atë e bisedonim me Vllatkon. Mos ti thyejnë dhe ti pjekin në hell qytetarët… Ata janë shumë të brengosur nga VMRO-ja.
Kemi mendime të ndryshme për shumë punë dhe qëndrime të ndryshme. U pajtuam se nuk pajtohemi”, u shpreh Ratka Dimitrova, Vllatko Gjorçev.

Përgatiti: Furkan Saliu

Baby Boo