Isa Mustafa e godet edhe njëherë Albin Kurtin


Lideri i LDK-së, Isa Mustafa edhe njëherë e ka goditur kryeministrin e shkarkuar, Albin Kurti.
Në një letër dërguar anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, Kryesisë dhe kryetarëve të Degëve, Mustafa ka shkruar se Qeveria e shkarkuar po ndërmerr veprime të rrezikshme.

“Vendi ka nevojë për një qeveri të përgjegjshme. Vendi ka nevojë të koncentrohemi në këtë tragjedi që e kaploi gjithë botën”, ka shkruar ai.

Njoftimi i plotë:

Të nderuar, bashkangjitur keni nje mesazh nga Kryetari Mustafa:
Të nderuar anëtarë të Keshillit të Përgjithshëm, të Kryesisë dhe kryetarë të degëve të LDK-së;
Të nderuar deputetë, ministra dhe kryetarë të komunave, nga LDk;
Gjendja e krijuar me Pandeminë Covid-19 nuk po na lejon të tubohemi dhe të komunikojmë për gjendjen aktuale.

Duhet të punojmë me anëtarësinë dhe me qytetarë, që të respektohen të gjitha masat për ta fituar betejën me këtë virus dhe për të shpëtuar çdo jetë njeriu.
Qëndrojmë në shtëpi, komunikojmë nga shtëpia, punojmë aq sa mundemi nga shtëpia dhe në kohën e lejuar, por nuk duhet të rrezikojmë as veten dhe as të tjerët.

Si Kryetar i LDK-së nuk i kam tërhequr ministrat e LDK-së nga Qeveria në këtë kohë Pandemie. Për aq sa munden dhe sa u ipet hapësirë ata do të punojnë në shërbim të qytetarëve. Roli i tyre, për sa janë pjesë e Qeverisë në dorëheqje, është të ndihmojnë në betejën për të mposhtur Covid-19. Ashtu siç, konsideroj se, do duhej të ishte edhe roli i gjithë Qeverisë në dorëheqje. Ne nuk jemi aty të shkarkojmë borde e të emërojmë njerëz të VV-së. As të krijojmë monopole jokushtetuese. Prandaj ministrat tonë po i përmbahen rolit dhe përgjegjësisë së tyre, kurse kryetarët e komunave po e bëjnë një punë shumë të mirë. Punë vetëmohuese po bëjnë edhe të gjithë punonjësit shëndetësor.

Vendi ka nevojë për një qeveri të përgjegjshme. Vendi ka nevojë të koncentrohemi në këtë tragjedi që e kaploi gjithë botën.

VV, jo vetëm që shkaktoi rrëzimin e qeverisë në këtë kohë por po vazhdon me veprime të rrezikshme të shumicës së saj qeveritare. Po demaskohet me aspirata të qeverisjes njëpartiake; Me shkelje të paskurpullta kushtetuese dhe ligjore; me monopolizim partiak te kompanive publike. Ne i kemi vërejtur me kohë këto tendenca, por kemi vlerësuar se i tejkalojmë. Ata po zhvillojnë një fushatë të paparë kundër LDK-së. Ne do tu pergjigjemi me argumente për të gjitha veprimet e dëmshme të tyre. Nuk do të lejojmë që qytetarët dhe anëtarësia jonë të ndikohen nga një fushatë e rreme dhe e orkestruar kundër nesh.

Do të punojmë që, duke respektuar procedurat kushtetuese, sa më shpejtë të themelohet një qeveri e cila do ta merr përgjegjësine e plotë, do të krijojë unitet të nevojshëm institucional, për tu përballur me Covid-19, për tu përballur me dialogun dhe për tu përballur me rimëkëmbien ekonomike.
Është dëm i pakompensueshëm për vendin mbetja në detyrë e kësaj qeverie dhe e kësaj mendësie politike edhe për një kohë.

Kryetari i LDK-së
Isa Mustafa

Baby Boo