Interesim i ulët i diasporës për referendumin


Ka përfunduar afati për inspektimin e listës zgjedhore si dhe paraqitja e qytetarëve të diasporës për votim. Nga 87,000 qytetarë që jetojnë në diasporë vetëm 2,755 kanë shprehur interesim për tu paraqitur për votim në referendumin për çështjen e emrit. 100 nga të paraqiturit janë refuzuar për shkak të mos posedimit të dokumentacionit të nevojshëm si dhe mungesës së vendqëndrimit të përhershëm në Maqedoni. Nga gjithsej 50 përfaqësi diplomatike nëpër botë, tani për tani vetëm në 33 prej tyre do të hapen vendvotimet pasi në 17 ambasadat e tjera nuk është përmbushur numri mbi 10 të paraqitur, që është kusht për hapjen e një vendvotimi. Ndërkaq kostoja e zbatimit të referendumit në diasporë, do të kushtojë rreth 12 milion denarë, që është një e treta e shpenzimeve që janë bërë gjatë zgjedhjeve të kaluara për diasporën, njofton Alsat-M.

Tani për tani do të votohet në 33 përfaqësi diplomatike edhe atë në Bern ku ka 320 të paraqitur për votim, Venecia 238, Lubjanë 217, Vjenë 151, Toronto 148, Londër 139 , Hag 120, Berlin 105, Melburn 104 , Kanbera 103, Minhen 89. Mendoj se do të shpenzojmë një të tretën e parave që shpenzuam herën e kaluar. Nëse herën e kaluar ka kushtuar rreth 35 milionë mund ta përllogaritni- tha Oliver Derkoski, kryetar i KSHZ-së.

Ndërkohë numri i qytetarëve vendor të cilët kanë inspektuar listën zgjedhore nëpër zyrat e KSHZ-së ka mbërri në rreth 6,000. Nga KSHZ njoftuan se ministria e Brendshme ka përgatitur letërnjoftime për rreth 300 të burgosur të cilët nuk kanë poseduar dokumente identifikimi, që të njëjtët të mund të japin votën e tyre rreth referendumit.

Baby Boo