Intelektuali i mirëfilltë duhet ta shkruajë pa gabime gjuhën e vet


Studim nga Donika Bakiu:

Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë ta mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë. Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajë mbi të! Frymëzona me një ndjenë të mprehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm me paanësi, por edhetë sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga ashtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthitjet e shtypit. Ashtu qoftë!” Faik Konica.

Arti i të shkruarit, si çdo mjeshtëri tjetër, kërkon punë e durim për t’u zotëruar. Latinët thonin: ‘’ Nulla dies sine linea ‘’ – ‘’ Asnjë ditë pa shkruar nga një rresht ‘’. Kuptimi i kësaj shprehjeje është që çdo ditë duhet të shkruajmë nga pak, poashtu si sportistët që stërviten çdo ditë. Si rezultat i mosnjohjes së mirëfilltë të rregullave drejtshkrimore të gjuhës shqipe , por dhe atyre gramatikore, çdo ditë e më shumë, gjithandej po bastardohet gjuha jonë e ëmbël shqipe. Gabime, nuk ka dyshim që bëhen. Me shtimin e numrit të mediave, me mungesën e kuadrove profesionale, redaktorëve e lektorëve, shtohen edhe gabimet. Gabimet në të shkruar të gjuhës standarde shqipe dhe në komunikim bëhen që nga qytetarët e rëndomtë e deri te krerët e institucioneve në vendin tone, po ashtu kemi ndikim të madh nga gjuha maqedone. Te disa  politikanë ,te disa profesorë të drejtimeve të ndryshme , te  studentët , te nxënësit e shkollave fillore dhe të shkollave të mesme shohim se ka gabime të shumta drejtshkrimore, në publikimet e tyre në rrjetet sociale, bëjnë gabime të shumta drejtshkrimore.  Gabime drejtshkrimore gjenden edhe në tekstet shkollore, si dhe në shumë dokumente të tjera, të cilat bëhen publike nga organizatat dhe mekanizmat tjerë në vendin tonë. Për këtë studim jemi konsultuar me  arsimtarë të gjuhës shqipe në shkolla fillore , profesorë të shkollave të mesme dhe profesorë universitarë . Të anketuarit kanë dhënë mendimet e tyre të cilat janë  paraqitur në  studim .  Prof.dr Fatmir Sulejmani – dekan i fakultetit filologjik në UT thotë : ‘’Gabimet bëhen, para së gjithash, për shkak të mosnjohjes së gjuhës (e kam për standardin e shqipes), po nganjëherë edhe për shkak të mungësës së kujdesit të detyrueshëm që kemi ndaj saj (gjuhës), të paktën kur e shfrytëzojmë atë në jetën publike (dokumente zyrtare, tekste shkollore, vepra letrare, medie të shkruara e elektronike…). Ndër shkaqet tjera… sigurisht bën pjesë mënyra e të mësuarit të shqipes, që lë për të dëshiruar, po dhe interesimi ynë për praktikimin e standardit nëpër institucionet ku ai (standardi) është obligim ligjor, profesional e moral. Mbi të gjitha, gabimet bëhen edhe për shkak të mungesës së një ligji që do ta detyronte gjithsecilin ta respektoje standardin. Ka shtete që, bie fjala, për një lëshim gjuhësor në një temë masteri a doktorature, vë gjoba të mëdha., kurse ne edhe në mediet publike tallemi me gjuhën tonë. Mjafton të degjojë njeriu lajmet e RTK dhe të bindet sa kujdesin e kemi për drejtpërdorimin e gjuhës…’’ Prof.dr. Vebi Bexheti thotë : ‘’ Gabime drejtshkrimore bëhen dhe do bëhen në çdo gjuhë të shkruar të botës. Për fat të keq, gjuha shqipe, bën pjesë në gjuhët ku më së shumti bëhen gabime gjatë të shkruarit, mirëpo kjo nuk do të thotë se është e pamundur t’i mënjanojmë këto gabime. Nëse jemi të kujdesshëm në shkrimin e disa fjalëve problematike, ku është e pranishme dilema se duhet shkuar ashtu ose kështu dhe nëse atë fjalë e verifikojmë në Fjalorin drejtshkrimor ose në Fjalorin e gjuhës shqipe, ka pak mundësi që atë ta gabojmë kur ta shkruajmë sërish. Përveç angazhimit në mësimin e rregullave drejtshkrimore, pa i përjashtuar edhe ato gramatikore dhe fonetike, nuk do mundemi të shkruajmë pa gabime. Ajo që është më e rëndësishmja për shkrimin e gjuhës pa gabime, është leximi i vazhdueshëm. Gjatë leximit të veprave të ndryshme, pëfshirë edhe ato shkencore e artistike, gjithmonë duhet të jemi të vëmendshëm se si janë shkruar fjalët më problematike, te të cilat kemi dilema më të mëdha. Gabimet drejtshkrimore të fushës së morfologjisë mund të mënjanohen më lehtë se ato sintaksore, sepse fjalitë, bashkërenditja e tyre, nënrenditja dhe shenjat e pikësimit, mësohem më me vështirësi. Nëse disa gabime thjesht drejtshkrimore mund të na i mësojë edhe teknika elektronike, një gjë të këtillë, ajo teknikë asnjëherë nuk mund ta mësojmë në fushë të Sintaksës. Ajo që do na mësonte ta shkruajmë gjuhën tonë të bukur, pa gabime, është vullneti i mirë, dashuria për gjuhën dhe vetëdija e lartë intelektuale, sepse në një shoqëri të përparuar mund të llogaritesh intelektual i mirëfilltë përveç tjerash, edhe nëse e flet dhe e shkruan gjuhën amtare drejt dhe pa gabime.’’Prof.dr.Berton Sulejmani shef i Programit Studimor Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, UT thotë:’’ Gjer në ditët tona, në Maqedoni janë shënuar arritje të dukshme në kristalizimin e mëtejshëm të normës drejtshkrimore e drejtshqiptimore të shqipes dhe, në një kënd më të gjerë, edhe të kulturës së gjuhës. Megjithatë, para shoqërisë sonë qëndrojnë e do të qëndrojnë edhe në të ardhmen detyra të rëndësishme, që ajo të forcojë e të përsosë në forma të ndryshme ndikimin e saj të drejtpërdrejtë për kristalizimin e plotë të normës së gjuhës standarde në përgjithësi. Mbase, për gjendjen kaq të palakmueshme të shqipes standarde te ne, e cila sa vjen e rëndohet, detyrimisht është koha e fundit që krahas institucioneve arsimore, shkencore e kulturore, nevojitet një ndërgjegjësim më i madh i gjithsecilit dhe medoemos, duhen krijuar edhe forma të reja veprimi për ta lëvizur çështjen. Krahas shkollës, mediet në përgjithësi e, punonjësit e radios e televizionit në veçanti, në radhë të parë, të cilët kanë një ndikim të madh mbi formimin gjuhësor dhe përgjithësisht mbi kulturën e gjuhës, duhet të punësojnë gazetarë, spikerë e spikere, përkthyes e lektorë që kanë përgatitje të mirë gjuhësore. Spikeret e spikerët që i lexojnë lajmet ose programet e ndryshme, duhet të përzgjidhen nga komisione të veçanta, në të cilat komisione, patjetër të ketë edhe profesorë universitarë që vokacion të vetin, veç tjerash, i kanë edhe problemet e shqipes standarde. Të tillë ka edhe katedra e Shkupit, edhe e Tetovës. Hëpërhë, një shembull pozitiv në Maqedoni për drejtshqiptimin e shqipes standarde, në rend të parë, për mendimin tim, janë spikeret e spikerët e Radio Shkupit (kryesisht ata/ato nga gjenerata më e moshuar) dhe të televizionit shtetëror (TVM2), por aty-këtu gjejmë edhe te radiot e televizionet private.  Të rinjtë të lexojnë shqip, të lexojnë vepra letrare shqip dhe ta shfletojnë gramatikën dhe fjalorin shqip, madje këtë të fundit mund ta përdorin edhe në versionin elektronik. Sepse halli më i madh për ne në Maqedoni është ky: ndikimi i maqedonishtes është shumë i madh e, për fat të keq, ky ndikim, po vërehet edhe në sistemin gramatikor të shqipes.  Andaj, sa më shpejt, shteti në të cilin jetojmë, duhet të nxjerrë Ligjin për gjuhën shqipe, njashtu siç e ka nxjerrë për maqedonishten. Në ligj duhet të gjejnë vend të gjitha çështjet dhe detyrimet për gjuhën shqipe (standardin gjuhësor). Ndërsa radio e televizionet shqiptare ta kenë obligim ligjor punësimin edhe të lektorëve e redaktorëve të gjuhës shqipe, e jo siç e kanë tani obligim që me ligj të punësojnë vetëm lektorë të gjuhës maqedonase (ndërsa thirren si radio e televizione në gjuhën shqipe). Sepse, përkthimet “neveritëse” (po e jap vetëm një shembull nga një mbishkrim në qytetin e Shkupit) të tipit: *Maqedonisht Operës dhe Baletit (nga maq. Македонска Опера и Балет, i cili do të duhej të ishte: Teatri i Operës dhe i Baletit) e shumë e shumë gabime të tilla, s’besoj që do të përsëriteshin në të ardhmen.’’   Profesoresha LuljetaAdili Çeliku  në UEJL thotë se ka shumë arsye pse bëhen gabime drejtshkrimore. E para është se nuk lexojnë ose shumë pak lexojnë. E dyta ka ra niveli i arsimimit dhe nuk i marrin bazat e duhura në shkollë, e treta shqipja ka një gramatikë të bukur aq edhe të rëndë , duhet shumë punë për ta mësuar, mund të themi se rrjetet sociale janë një armik i vërtetë , secilit i jepet mundësia të shkruaj pa mos u kontrolluar nga ndonjë profesionist, po ashtu profesoresha në fjalë na sugjeron që secili ta ketë fjalorin e drejtshkrimit në tavolinen e punës. Profesoresha Jehona Rushidi-Rexhepi nga Fakulteti Pedagogjik –UT thotë :’’Gabimet kryesisht vijnë nga mungesa e leximit.Të lexuarit në moshë të hershme krijon te fëmijët fotografitë e fjalëve dhe shprehitë. Sa më vonë përpiqemi t’i përmirësojmë aq më vështirë.Sidoqoftë, vetëkritika, vullneti dhe puna janë çelës i përmirësimit. ‘’

 

Profesoresha Valdeta Dulahi në shkollën e mesme të tekstilit thotë: Shkollimi jo cilësor, fakti që pak punohet me nxënësit në pjesën e gramatikës bën që ata të kenë pasoja gjithë jetën. Vet që jam në arsimin e mesëm e shoh se nxënësit dinë vetëm lakimin në trajtën e shquar, ndërsa të pashquarën fare nuk e kanë punuar. Derisa mesimdhënësit i ikin gramatikës atëherë do kemi gjithë probleme me drejtshkimin.Problemi me shkonjën ë, një detaj që e kemi goxha te nxënësit të dukshëm, por do shtoja edhe dicka tepër të rëndësishme, mos komunikimi i mësimdhënësve s’paku të gjuhës shqipe në gjuhën standarde me nxënësit mund të themi se është një nga faktorët e cilësisë aq të dobët të gjuhës së shkruar.Kam nxënës që nuk dinë të lakojnë në trajtën e pashquar një nxënës më pyeti ç’është kjo? Ai mi solli fletoret e shkollës fillore asnjë lakim ne trajtën e pashquar. Po ashtu kemi dhe nxënës të mirë që dinë të shkruajnë bukur! Vetëm kur e mendojmë se çfarë masakre i bëhet gjuhës shqipe është një tmerr i vërtetë! Prof.dr.Avzi Mustafa  e shtron  nga aspekti pedagogjik dhe metodik : ‘’Gabime dhe ankesa  për formimin gjuhësor ka pasur dhe do të ketë, por ku janë shkaqet dhe mangësitë  në formimin gjuhësor të nxënësve dhe të tjerëve.Janë dy faktor: familja dhe shkolla. Faktori shkollë : Nuk ka shkrirje të drejt organike të njohurive teorike me atë praktike . Përgatitja e pamjaftueshme shkencore dhe pedagogjike të mësimdhënësve Shumë mësimdhënësi në përgatitjen e orës mësimore nuk e përcakton qëllimin apo pikësynimin  që duhet të arrihet në çdo orë mësimi .Mësimdhënësit e lendëve tjera nuk i japin ndihmesën për të lehtësuar formimin gjuhësor të nxënësve .Puna e pamjaftueshme  individuale e nxënësve .Nuk behet lidhja organike në mes temave të njëjta me ato të përafërta pë sh, elementet e e reja që mësohen në një klasë më të lart për të njetën temë  nuk përfillen . P.sh, MËNYRA DEFTORE. Jepen edhe përdorimin e kohëve, duke e mësuar në klasën e 7? Ndonjë nga kuptimet e tyre, por vetëm për të tashmen dhe të shkuarën, ndërsa për të ardhmen jo Pse? Pra nuk ndiqet kriteri njejtë ku temat janë të njëjta ose të përafërta. Nuk ka orë të duhura të ushtrimeve.Shumë njohuri drejtshkrimore nuk janë të përputhshme me moshën e nxënësve në shkolla, rajone. Shumë nxënës nuk i njohin rregullat themelore të drejtshkrimit si dhe rastet e shenjave të pikësimit. Nuk ka përsëritje të koncepteve dhe nocioneve që të behet lidhje sa më të madhe ( efikase) e njohurive gramatikore me ato drejtshkrimore.Transferi pozitiv dhe negativ. Forma ,shabllone e receta  për mësimin e gjuhës shqipe  dhe mësimdhënie e saj  nuk duhet të ketë, por vetëm përfundime dhe  rezultate.Zotërimi  praktik dhe aktiv i gjuhës mbetet detyrë e vazhdueshme e shkollës ,por për të shkruar dhe folur sa më mirë gjuhën nxënësit duhet të nxiten e të drejtohen të mësojnë gjuhën nëpërmjet gjuhës së librave.’’ Flutur Beluliarsimtaree gjuhës shqipe  në shkollën fillore ‘’Naim Frashëri ‘’- Tetovë thotë :’’ Do të kisha dashur të flasim shumë për këtë problematikë dhe do të ishte mirë të studiohet sa më në thellësi kjo çështje. Mirëpo në mungesë të kushteve dhe gatishmërisë mendoj se jemi në këtë gjendje të mjerë. Mendoj se gabimet drejtshkrimore vijnë si pasojë e shumë faktorëve.Mirëpo, më të rëndesishmet janë mosleximi mjaftueshëm dhe mosfokusimi i mësuesve në fushën e gjuhës . papërgjegjësia e publikimit të shkrimeve me gabime mendoj se na bëjnë të gabojmë në drejtshkrim, ngaqë syri si organ ka aftesinë e fotografimit dhe kur ndodh qe të lexojë një fjalë me gabim, pastaj regjistrohet dhe gjithmonë na çon ta shkruajmë atë fjalë gabim.’’                    Muhabije Fejzuli – profesoreshë në shkollën e mesme të ekonomisë thotë : ‘’Sa i përket drejtshkrimit, gjëja më shqetësuese është ajo se, shumica e shqipfolësve, përfshirë dhe një pjesën të profesorëve e sidomos ata të gjuhës shqipe dhe letërsisë, bëjnë gabime drejtshkrimore. Ndodh shpesh që ato të jenë lëshime të momentin dhe kjo mund të paraqitet si dobësi te çdo njeri, por kur flitet për fenomene që nuk dinë se si shkruhen fjalët dhe bëjnë gabime gati në çdo fjalë që hedhin në letër, kjo është e rëndë. Duhet thënë se kjo vjen si pasojë e asaj se nuk lexohet shumë, pastaj dhe ajo se sa e kemi mësuar drejtshkrimin në shkollë, gjithashtu dhe moslexim i lektyrave/romaneve e shumë gjëra të tjera ndikojnë në përvetësimin e shkrimit. Arsyeja kryesore para së gjithash është ajo se sa njohuri kemi nga shkolla fillore, paqi që aty e kemi bazën e dijes. Po të ndalemi më konkretisht, gabimet më së shumti bëhen gjatë përdorimit jo të drejtë të tingullit <ë> gjë që është shumë e rëndësishme në gramatikën e gjuhës shqipe, pasi që ajo ka funksion shumë të rëndësishem qoftë për të bërë shumësin e emrit apo edhe trajtën e pashquar dhe në disa raste edhe për të bërë dallimin e mbiemrit nga ndajfolja e sidomos kur ai është fundor, përveç kësaj me të madhe bëhet edhe ngatërrimi i tingullit <xh> me <ç> si p.sh. xhdo për çdo, ose <gj> me <xh> si p.sh. gjelozi për xhelozi, gjithashtu kemi dhe rastin e ngatërrimit të <q> me <ç> si p.sh qatia për çatia. Ka dhe shumë raste të tjera sidomos kur bëhet fjalë për përdorimin e diatezës joveprore, gjë së cilës i ikin gjatë të shkruarit, por gjithsesi besoj në atë se po të lexohet më shumë mund të arrihet eliminimi i këtyre gabimeve dhe është e udhës që të shfletohen sa më shumë fjalorët drejtshkrimor, pasi që ato ndihmojnë në korrigjimin e gabimeve.’’ Profesoresha e gjuhës dhe letërsisë shqipe Lindita Emërllahu në Gjimnazin e Tetovës ‘’Kiril Pejçinoviq’’  thotë: Gjatë përdorimit të gjuhës standarte bëhen  gabime të shumta drejtshkrimore nga njerëz të të gjitha kategorive. Ta shkruash bukur gjuhën tënde sipas rregullave të drejtshkrimit, nuk është vetëm kulturë, por është edhe detyrim. Mirëpo, përdoruesit e gjuhës shqipe nuk i kushtojnë rëndësi këtyre rregullave. Kjo përgjegjësi i mungon, si  qytetarit të rëndomtë ashtu edhe institucioneve shtetërore. Bastardimi i gjuhës shqipe është bërë një fenomen i pandjeshëm nga këto institucione, prandaj kjo gjë më shtyn të mendojë se popullit tonë i mungon vetdija kombëtare në aspektin përdorimit të rregullave drejtshkrimore. Një faktor që ndikon më së shumtë në gabimet drejtshkrimore është cilësia e dobët e arsimit në shkollën fillore dhe të mesme. Kjo kulturë e ulët arsimore ndikon keq  në zhvillimin e interesit tek nxënësit parashkollor që të fillojnë përgatitjet për rregullat e drejtshkrimit. Pikërisht, këtu është faza e moshës ku duhet domosdoshmërisht të rrënjosen rregullat gramatikore të përdorimit të gjuhës.Një arsye tjetër e gabimeve drejtshkrimore është  përdorimi formal i gjuhës standarte, e cila flitet vetëm në shkollë, por jo në  jetën e përditshme. Prandaj edhe  lindin problemet në përdorimin e gjuhës standarte pa gabime.  Ka shumë arsye të tjera se përse ndodh ky fenomen i gabimeve duke mos anashkaluar edhe rrjetet sociale, por ky problem duhet të zgjidhet në shkollat fillore dhe të mesme. Aty duhet të avancohen metodologjitë e mësimit të drejtshkrimit dhe të gjuhës në përgjithësi, aty duhet të fillojë vetdijësimi i nxënësve në edukimin gjuhësor. Vetëm nëpërmjet këtij angazhimi do të rritim një brez që gjuha amtare të flitet dhe të shkruhet sipas rregullave gramatikore.’’ Profesoresha e gjuhës shqipeArmina Shabani në Gjimnazin ‘’7 Marsi’’– Tetovë thotë : ‘’Secili nxënës që  shkruan një  hartim pa gabime drejtshkrimore nuk ka, gabimet më të shpeshta janë sepse nxenësit vazhdimisht flasin në dialekt edhe e kanë të vështirë çdoherë të  përshtaten me gjuhën standarde pra përdorin shumë dialektizma, krahinizma, ndërsa gabime tjera janë psh: mungesa e shkronjës ë, rradhitja e fjalive e paragrafeve , e fillojnë hartimin direkt duke u futur në temë pra mungon pjesa hyrëse .Vazhdimisht u’a tërheq vëmendjen kur përdorin terme që nuk janë  te gjuhës standarde dhe shpresoj qe një ditë t’i përmirësojnë këto gabime dhe të kemi një drejtshkrim pa gabime’’. Fatjona Abdullahi – asistente në UT thotë :’’ Kur flasim për gabime drejtshkrimore dhe u referohemi vetëm atyre që hasim në shkrimet e të rinjve, pa qëllim anojmë padrejtësisht dhe pa vetëdije shmangim një të vërtetë e cila është shumë e dukshme. Gabime drejtshkrimore bëjnë edhe brezat më të rritur, madje për mendimin tim, kjo është çështje edhe më e ndishme se ajo e para, sepse përderisa një i ri ka kohë për përmirësime, një individ i plotësuar tashmë intelektualisht, që nuk e shkruan mirë shqipen është rrezik më i madh, për faktin se gëzon besueshmëri te masa dhe mund t’i përcjellë ato gabime si diçka të mirëqenë.Sidoqoftë, te moshat më të reja, ka rënë dukshëm interesi për të qenë korrekt gjuhësisht. Tanimë jemi në kohë kur teknologjia ka mbërthyer fort rininë dhe sa më shumë të përdorësh shprehje zhargonore, apo te flasësh në “slang-un” e moshës aq më i pranuar do të jesh në rrethin tënd. Mungesa e leximit është faktori kryesor që e rëndon situatën, ose në rastin më të mirë, leximi i librave të palekturuar, të paredaktuar dhe të pakorrigjuar gjuhësisht shkakton konfuzion për atë se cila është forma e drejtë dhe cila e gabuar. Gjatë ligjërimit me studentët më ka ndodhur shpesh të më thonë: “Por, ata të Shqipërisë në televizion, kështu e thonë…”, teksa ju shpjegoja se fjalët: vend, mend, brenda, zemër, qendër etj. nuk shënohen si mënd, vënd, brënda, zëmër apo qëndër. Kjo më bën të kuptoj edhe më shumë rolin që mediumet kanë në dhënien e informacioneve gjuhësore, në mënyrë shumë të natyrshme, por fatkeqësisht jo gjithmonë të dobishme. Besimi në atë se çfarë dëgjojnë është më e saktë se një rishikim apo rilexim i rregullave gjuhësore, në librat përkatës, e përkeqëson situatën dhe lejon përhapjen, gabimet dhe shkeljen e rregullave drejtshkrimore dhe jo vetëm. Ndërsa, nëse do të flisnim për shkelje të normave sintaksore e morfologjike atëherë do të cilësoheshim si kërkues të “qimes në tra” dhe ky është një tregues tjetër i cili pohon faktin se jemi mjaft të pakujdesshëm ndaj gjuhës sonë dhe fare pak të vetëdijshëm për dëmin që i shkaktojmë.’’Profesoreshë Vjollcë Berisha në UT thotë:’’ Fatkeqësisht përdorimi i shqipes standarde në mediat tona lë shumë për të dëshiruar, aq sa kam filluar të besoj që kjo shmangie nga standardi i ka kaluar kufijtë e të qenit një mungesë kulture drejtshkrimi e drejtshqiptimi. Ajo ka filluar të shfaqet si pakujdesi totale ndaj gjuhës, për të mos thënë si nënçmim ndaj saj. Nëse vihen re lëshimet që bëhen gjatë hartimit të një teksti në mediat tona elektronike e të shkruara, gjithkush mund të vijë në këtë përfundim fatal për ngritjen kulturore të një kombi. Gjithandej hasim lëshime që s’janë vetëm mungesë dijesh gramatikore, por mospërfillje dhe pavetëdije për krimin do të thosha unë.Jemi dëshmitarë të shkeljes së rregullave gjuhësore pothuajse në të gjitha llojet e komunikimit, përfshirë edhe librat që i botojmë e, që është më skandalozja e më e dhimbshmja, tekstet shkollore që i hartojmë. Sa u përket portaleve, mendoj që janë ato që më së shumti po i mëshojnë indit të gjuhës. Nëse mediat tradicionale (siç po i quani ju shtypin dhe televizionet) kanë ende një grimëz përgjegjësie, kontrolli e filtri redaksional (pavarësisht nga niveli i njohjes së tyre gjuhësore), portalet janë tërësisht jashtë këtij sistemi mbikëqyrës. Ato aty-këtu strehohen vetëm në ndërgjegjen e shkruesit, gjë që shkakton erozionin gjuhësor e kulturor kur e dimë që kemi të bëjmë me mediume të kudondodhshme, që kanë ndikim të keq sidomos në kulturën gjuhësore të të rinjve.  Përgjatë kontaktit me këto mediume, tok me gjuhën, të rinjtë e bjerrin edhe kujdesin, vlerësimin, vetëdijen mbi rëndësinë e gjuhës së tyre, gjë që është më e rrezikshme edhe se cilido lëshim që vjen nga mosnjohja e një rregulle gramatikore.Mundësia për ruajtjen nga ky erozion është vetëm mbrojtja institucionale, përkatësisht mbrojtja ligjore e gjuhës shqipe, që është nevoja themelore dhe më e ngutshmja e shoqërisë sonë.’’ Profesoresha në fjalë po ashtu shton ‘’Mjerisht, faktorët që ndikojnë në shmangie nga standardi gjuhësor janë shumë në numër dhe të natyrave të ndryshme. Ato lidhen edhe me çështje të tjera tonat të pambaruara me karakter historik-politik e social. Mbrojtja me ligj e gjuhës është zgjidhja kryesore, pastaj vijnë faktorët e tjerë që mbyllen me ngritjen e vetëdijes sonë kombëtare të paktën në shkallën që patëm gjatë Rilindjes Kombëtare. Të tjerat vijnë lehtë.’’Prof.dr.Mustafa Ibrahimi- UNT, Shkup thotë’’  Shpeshtimi i gabimeve gjuhësore bëhet, parasëgjithash si rezultat i mungesës së gjuhëtarëve dhe moskujdesjes së institucioneve dhe individëve për zbatimin e drejtë të normave gjuhësore. Kjo ndodh edhe për shkak mungesës së një ligji për përdormin dhe zbatimin e drejtë të gjuhës shqipe. Nëse shtohen edhe faktet se institucionet përkatëse dhe përgjegjësit e tyre, pothuajse asnjëherë nuk konsultohen me gjuhëtarët për çështje që nuk mund t’i zgjedhin vetë, atëherë bëhet e qartë pse kemi aq shumë gabime. Institucionet shtetërore dhe private nuk duan të punësojnë ekspertë të gjuhës ose së paku të konsultohen me ta para se të publikojnë materiale. Mendoj se kur çdo dokument do të nënshkruhet me emër dhe mbiemër nga ekpserti gjuhësor, jo vetëm që nuk do të ketë më gabime, por do të lirohen edhe institucionet apo individët që nuk e njohin gjuhën të jenë në shënjestër. Për këtë duhet të fillohet me trajnime për marrjen e licencës për lektorim dhe vetëm ata të kenë të drejtë të lekturojnë, deri sa nuk bëhet kjo, mund çdokush të merret me lektorim edhe kimisti, biologu, mjeku e kushdo tjetër. Në fund dua të theksoj edhe një element bazë për shmangjen e gabimeve, e ajo është ngritja e ndërgjegjës dhe kulturës gjuhësore të secilit prej nesh. Çdo individ e ka për detyrë të bëj çmos për mbrojtjen dhe zbatimin e drejtë të normave dhe rregullave gjuhësore.’’

Baby Boo