INSTITUCIONET ENDE NUK E DINË MOTIVIN E INCIDENTIT NË REÇICË TË VOGËL


Një përplasje brendapartiake që pasoi me rrahje fizike, e që përfundoi me përdorimin e armëve të zjarrit, mori jetën e një personi, dy persona përfunduan të plagosur ndërkaq disa të tjerë të arrestuar.
Ky incident i përgjakshëm ndodhi të enjten në mbrëmje në Reçicë të Vogël të Tetovës, afër selisë së Bashkimit Demokratik për Integrim.
Bëhej fjalë për përleshje mes anëtarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim ku si pasojë mbeti i vrarë Naip Rexhepi – Bellanoca, ndërkaq u  plagosën Florim Misimi  nga fshati Çerkez i Kumanovës, si dhe vëllai i Naipit, Sabri Rexhepi. Policia ka arrestuar 12 persona të dyshuar për këtë ngjarje. Prej tyre 11 persona janë arrestuar, ndërsa njëri ndodhet për shërim në spital. Shkak për zënkën mes dy krahëve rivalë ka qenë zgjedhja e kryetarit të degës së BDI-së në Kumanovë.

Partia e Ali Ahmetit reagoi menjëherë nëpërmjet një komunikate ku nuk shprehi as ngushëllime dhe as keqardhje për vrasjen dhe plagosjen e anëtarëve të BDI-së në Reçicë të Vogël, por mohoi se incidenti ka të bëjë me këtë parti.

BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
“BDI edhe sot sikurse çdo ditë tjetër ka vazhduar me aktivitetet e saja të zakonshme. Përgëgnjeshtrojmë çdo informacion  lidhur me atë se sot në BDI ka pasur përleshje apo incident. Ne si subject politik nuk kemi dhe nuk mund te kemi përgjegjësi për incidentet individuale që nuk kanë të bëjnë me bdi dhe për BDI”

Por informatat shtesë që lidhin incidentin me partinë të cilës i takonin personat e përfshirë në të është edhe mbledhja që kishte përfunduar vetëm pak kohë para incidentit. Sipas informatave nga kjo parti, Fatmir Idrizi, këshilltar i BDI në Komunën e Kumanovës është zgjedhur kryetar dege i BDI-së në Kumanovë, ndërsa Feriz Dervishi sekretar. Pas kësaj zgjedhje kanë filluar tensionet mes mbështetësve të Idrizit dhe grupit që ka kundërshtuar atë dhe më pas perleshja në rrugë dhe incidenti i armatosur.

Edhe pse BDI mohoi se incidenti ka të bëjë me këtë parti, dy ditë më vonë funksionari i lartë i BDI-së, njëherësh ish deputet, Nazmi Beqiri, ka rrëfyer publikisht shkaqet e këtij incidenti duke konfirmuar përplasjen mes dy krahëve të kësaj partie. Beqiri ka konfirmuar poashtu edhe zgjedhjen e kryetarit të degës së BDI-së në Kumanovë, ndërsa ka fajsuar kreun e kësaj partie Ali Ahmeti, si dhe persona të tjerë të kryesisë për mënyrën e zgjedhjes dhe si fajtor për nxitjen e tensioneve. Në shkrimin e tij në profilin personal në Facebook Nazmi Beqiri konfirmuar se të dy palët janë anëtarë të BDIsë, kurse zënkat e këtyre palëve i kanë ditur të gjithë. Madje sipas tij, në listën e propozuar nga lideri i BDI-së, për anëtarë të kryesisë së degës kishte anëtarë nga të dy familjet që pësuan.

Beqiri thotë se në mbledhjen e mbajtur në Tetovë ka përmendur shkurt ndodhitë që të gjithë i dinin, si dhe ka cekur se kjo degë, nuk ka mbajtur as njëherë kuvend zgjedhor, por janë emëruar kryetar të saj njëpasnjë të cilët, të gjithë kanë dhënë dorhëqje dhe njëkohësisht të gjithë kanë pasur konflikte e zënka (janë rrahur) dhe me keqardhje ka thënë se ka pasur edhe vrasje.

Beqiri thotë se pasi ka dëgjuar për incidentin ka telefonuar njerëzit që kryesojnë këtë parti që të ndërhyjnë në qetësimin e situatës, Por përgjigjja thotë se ishte më absurdja “nuk mund të ndërhyjet në këto momente”. Beqiri komentoi edhe deklaratën e partisë.

NAZMI BEQIRI
“E përmbaj deklaratën e partisë pa varësisht nga kush është dhënë (nuk kam dëgjuar farë lajmesh ngase po neveritem ndaj tyre), se nuk ka pasur involvim në zënkë, por familjet që pësuan dolën nga selia e partisë. Andaj, ju që u zgjodhët pa bazën, ju që propozuat këto dhe mënyrën e kësaj pune, ju që nuk dëgjuat, ju që votuat, ndërhyni në qetësimin e afrimin e këtyre dy familjeve të djegura, ose do të vazhdoj të kërkoj stenogramin e fjalimit tim. Ndryshe nuk do të ndalët “lubia” derdhja e gjakut tonë. Mjaft më veprimeve mafioze, ngase po derdhët gjaku ynë…”

Por polemikat në BDI vazhduan edhe dje. Beqiri i ka replikuar funksionarit të po kësaj partie Fariz Dervishit duke i thënë atij që të mos shpërndajë dhimbje dhe se deklaratat e tij dhëna në opinion se zënka nuk ka të bëj me politikën, është një deklaratë kontroverse. Beqiri po ashtu ka thënë se tani ndjehet i rrezikuar nga deklaratat e Dervishit duke shtuar se ky i fundit do të jetë adresa ku do të kërkohet përgjegjësi nëse ati i ndodh diçka që do t’i cënojë sigurinë.

NAZMI BEQIRI, FUNKSIONAR I BDI-SË
“Kjo deklaratë e jotja nuk e mbulon propozimin tim në atë mbledhje (që tani më është i publikuar), as deklaratën time që iu drejtova degës së po sa zgjedhur se do t’u shembi nga ajo strukturë politike brenda partiake me gjithë postëmbajtësit, dhe as nuk të shfajëson ty e as të tjerët që nuk më keni përkrahur. Thëniet e mia nuk i ke dëgjuar vetëm ti, por të gjithë që ishit aty, madje në publikimin paraprak kam cekur edhe stenogramet e mbledhjes (po i përsërisë për lexuesit e mundshëm, ngase ti dhe 40 të tjerë e keni dëgjuar aty). Ke përmend edhe numrin e votave që ishin kundër propozimeve të mia, mbase nuk u interesonte siguria e njerëzve tanë, por pushteti. Me këtë deklaratë po kërkon vazhdimin e problemit e rritjen e vuajtjeve të shqiptarëve. Madje përmende edhe emrin tim… Tani, për cenimin e sigurisë time (pavarësisht se si mund të ndodh dhe ku mund të ndodh ai) opinioni dhe organet e drejtësisë kanë një adresë”

Ky ishte incidenti i dytë që ndodh për të njëjtën arsye. Në vitin 2015 në një incident të ngjashëm, Bajram Limani, kryetari i deleguar nga kreu i BDI-së Ali Ahmeti, vrau Xhemail Rexhepin, Komandant Shqiponjën i cili paraprakisht ishte zgjedhur kryetar dege në një mbledhje ku morën pjesë mbështetës të tij dhe anëtarë të BDI-së në Kumanovë

Baby Boo