Infektologu Krasniqi: Pandemisë po i vjen fundi, por duhet të kemi ende kujdes


Infektologu kosovar, Valbon Krasniqi është deklaruar rreth përfundimit të pandemisë Covid-19, për të cilën thotë se po shkon drejt fundit të përhapjes së saj.

Edhe pse janë liruar një numër i madh i pacientëve të shëruar dhe çdo herë e më shumë po bie numri i rasteve pozitive gjë që tregon se po shkon drejt fundit të kësaj pandemie, Krasniqi apelon që edhe më tutje qytetarët të respektojnë masat e rekomanduara dhe të evitojnë grumbullimin në masë.

“Trendi është i tillë, ne mendojmë se jemi në atë rrugë, megjithatë pandemia ende është prezentë, ne jemi ende në kohën e pandemisë, ende kemi mbi 300 raste aktive në nivel të vendit, pra që janë COVID pozitiv dhe kemi disa mijëra të tjerë të cilët janë persona të kontaktit dhe janë nën monitorim të ekipeve në terren. Sidoqoftë, mendojmë se jemi në rrugë të mirë dhe mendojmë se jemi duke shkuar drejtë fundit të pandemisë. Kjo nuk na lejon të nënvlerësojmë ende situatën, nuk na lejon të relaksohemi në tërësi, duhet të jemi të kujdesshëm në veçanti për sa i përket zbatimit të masave të higjienës personale dhe të distancës fizike”, deklaroi ai për KP.

Krasniqi tutje thekson se mund të pritet që gjatë sezonit të ardhshëm të dimrit të ketë një valë të dytë të të infektuarve me COVID-19, por që thotë se mbetet të shihet.

“Për sezonin e ardhshme të dimrit ajo është një gjë e cila mund të pritet, por edhe ajo mbetet për t’u parë. Për shkak se viruset të cilët janë shkaktar të sëmundjeve të rrugëve të mushkërive dhe të organeve të mushkërive dhe që përcillen me rrugë të tilla si është koronavirusi, zakonisht e kanë një cikël biologjik që fillojnë në vjeshtën e vonë ose në dimër dhe pastaj përfundojnë në pranverë ose në verë, për t’u rikthyer përsëri në vjeshtën e ardhshme. Mbetet të shihet se si do të sillet ky virus, prandaj edhe krahas përfundimit nëse mund ta quajmë të kësaj pandemie, mendoj që ne të gjithë ekspertët e fushës, institucionet vendimmarrëse të qeverisë duhet të analizojnë situatën në të cilën kemi kaluar, si kemi vepruar, çka kemi bërë mirë, çka kemi mundur të bëjmë më mirë dhe të fillojmë të përgatitemi për pandemitë të tilla të mundshme”, tha ai.

Deri më tani në Kosovë janë 854 raste të konfirmuara me COVID-19, ndërsa janë shëruar 490 persona dhe 26 persona kanë vdekur.

Baby Boo