Incidenti në Reçicë të Tetovës, mbetet enigmë autori i gjuajtjes me armë


Ende mbetet engimë gjuajtësi me armë zjarri në ahengun e mbrëmshëm në Reçicë të Vogël, ku për pasojë mbetën të plagosur dy persona, A.B dhe F.A, njëri i biri i deputetit Xhevat Ademi, të cilët jo zyrtarisht, janë plagosur nga vet deputeti në fjalë, edhe pse sipas Policisë, me armë zjarri kanë gjuajtur më tepër persona.

E di që ka marr pjesë edhe një deputet në atë dasmë, andaj gjitha faktet e hetimit janë bërë dhe sistematizuar dhe do dorëzohen tek prokuroria. Kjo është shumë pak e rëndësishme, më e rëndësishme është niveli i vetëdijes publike tek njerëzit dhe këto ngjarje duhet të na ndërgjegjësoj thellë të gjithë neve se dasmat nuk janë vendet ku duhet të sillemi pa përgjegjësi dhe të përdorim armë zjarri. Asnjëherë nuk e kam kuptuar dhe nuk e kuptoj edhe tani, në gëzime të përdoren armët e zjarrit. Apeloj gjithë qytetarët që marrin pjesë nëpër ahengje, të festojmë si njerëz si na ka hije – tha Oliver Spasovski Ministër i Punëve të Brendshme.

Alsat gjatë ditës ka tentuar të marr qëndrimin e familjarëve, përfshirë edhe Ademin, si dhe zyrtarë të partisë që i takon, por deri në këto momente ka qenë e pamundur të kontaktohen.

“Meqë në ahengun e mbrëmshëm është gjuajtur nga disa persona me armë zjarri, gjashtë persona gjatë ditës së sotme janë thirrur në polici për tu bërë parafina e duarve të tyre nëse kanë përdorur apo jo armë zjarri, ndërkohë që pritet që me detaje të del edhe prokuroria publike”.

Pas intervenimit të mbrëmshëm mjekësor në klinikën për kirurgji në Shkup, gjendja e dy të plagosurve paraqitet e stabile dhe jashtë rrezikut për jetën, konfirmojnë mjekët.

Pas dhënies së ndihmës së parë fillimisht njëri u transportua për në qendrën urgjente në klinikën universitare të kirurgjisë së gjoksit ndërsa tjetri është mbajtur në observim disa orë tek ne por më pas u paraqitën indikacione edhe për atë për klinikën për kirurgji torakale. Nga biseda me kolegët, gjendja e tyre sot paraqitet stabile – deklaroi Ylber Besimi, kryeshef i repartit të Kirurgjisë në Tetovë.

Ndryshe, për përdorim të armëve nëpër ahengje familjare, vitin e shkuar ka pasur mbi pesëdhjetë denoncime për gjuajtje me armë zjarri dhe ndaj tre personave janë marrë masat adekuate dhe procedura ka përfunduar, ndërsa për 6 raste të tjera, procedura ende vazhdon. Për përdorim të armëve të zjarrit sipas dispozitave ligjore parashihen dënime të rënda që shkojnë deri në 10 vjet burg për përdorim të armëve pa leje, por edhe dënime tjera më të rënda për aktet që përfundojnë me pasoja fatale.

Baby Boo