Incidenti në Reçicë, Ademi mohon të ketë gjuajtur me armë


Deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi mohon të jetë përfshirë në incidentin më armë zjarri në një dasmë në Reçicë të Vogël të Tetovë ku djali i tij dhe një person tjetër mbetën të plagosur nga plumbat e shkrepur nga pjesëmarrësit në këtë aheng familjar. Deputeti i BDI-së tha se ka marrë pjesë në këtë aheng familjar, po kategorikisht hedhë poshtë pohimet se ka gjuajtur me armë zjarri.

Reagimi i deputetit Ademit vjen një muaj nga incidenti që hapi debate të shumta në opinion, por edhe apostrofimit të tij si shkaktar kryesor i ngjarjes tragjike.
“Është e vërtetë se unë dhe familja ime kemi qenë pjesëmarrës në këtë aheng familjar ku dhjetëra persona në mënyrë të pahijshme kanë gjuajtur me armë zjarri, por nuk është aspak e vërtetë se kam gjuajtur edhe unë. Unë dhe familja ime kemi qenë të ulur në një tavoline dhe i biri im ka qenë i ulur përballë meje, ndërkohë që plumbi e ka goditur në shpinë. Kjo që tregon se edhe po të kisha gjuajtur unë, plagosja e tij nuk do ishte e mundur sepse biri im ka qenë ulur përball meje”, tha Xhevat Ademi, deputet i BDI-së.

Ademi pranon gjithashtu se është marrë në pyetje nga policia lidhur me rastin ndërsa kërkon zbardhjen e shpejtë të rasti për të larguar dyshimet që janë paraqitur në opinion.

“Unë kam qenë i ftuar në polici dhe kam dhënë deklaratën si dhe më kanë marrë parafinën e duarve, andaj, inkurajoj si policinë po ashtu edhe prokurorinë që të bëjnë punën e tyre dhe ta zbardhin rastin deri në fund. Unë assesi nuk kam përdorur armë në këtë aheng familjar, madje dënoj ashpër përdorimet e armëve nëpër ahengje të tilla, ku shpesh e pësojnë të pafajshëm”, pohoi Xhevat Ademi, deputet i BDI-së.

Për këtë incident dhjetëra persona janë thirrur në polici për të dhënë dëshmitë e tyre por ende nuk ka një epilog konkret, se kush ka qenë autori i gjuajtjes më armë që la të plagosur dy të rinjtë, A.B dhe F. A, nga Reçica.

Nga prokuroria e Tetovës thonë se lënda edhe është në fazën para hetimore dhe se pritet nga Sektori i Punëve të Brendshme të Tetovës, të bëhet kompletimi i lëndës që më pas të procedohet në Gjykatë. Ndryshe, për përdorim të armëve nëpër ahengje familjare, vitin e shkuar ka pasur mbi pesëdhjetë denoncime dhe ndaj tre personave janë marrë masat adekuate dhe procedura ka përfunduar, ndërsa për 6 raste të tjera, procedura ende vazhdon./Alsat/

Baby Boo