Imran Khan i fiton zgjedhjet në Pakistan


Rezultatet zyrtare të zgjedhjeve kombëtare në Pakistan e nxjerrin fitues udhëheqësin e opozitës, Imran Khan.

Partia e tij, Tehrik-e Insaf, fitoi 109 nga 269 ulëset e Asamblesë Kombëtare, të cilat, megjithatë, nuk i mjaftojnë për të kontrolluar shumicën parlamentare. Asaj do t’i duhen aleatë në legjislaturë për të formuar qeverinë e koalicionit.

Po sipas rezultateve zyrtare, Liga Myslimane e Pakistanit, partia e kryeminstrit të burgosur, Nawaz Sharif, doli e dyta, me 63 ulëse, ndërsa Partia Popullore e Pakistanit e treta, me 39 ulëse.

Khan e shpalli fitoren qysh të enjten, edhe pse partitë rivale e akuzuan për manipulim me vota.

“Faleminderit Zotit, ne kemi fituar dhe kemi qenë të suksesshëm. Me dëshirën e Zotit, do të japim shembull”, tha Khan në një fjalim televiziv.

Khan, 65 vjeç, i shkolluar në Universitetin e Oxfordit, e ka çuar Pakistanin në fitore të Kupës Botërore në Kriket, në vitin 1992. Ai ka hyrë në politikë më 1996.

Khan ka qenë kritik i fuqishëm i ndërhyrjes ushtarake të Shteteve të Bashkuara në rajon dhe i orientimit ekonomik të Pakistanit kah Kina.

Ai e identifikon veten si njeri të popullit dhe ka premtuar se do të krijojë një “shtet të mirëqenies” dhe se do t’iu japë fund dekadave të korrupsionit.

“Sfida ime më e madhe do të jetë punësimi i të rinjve. Kjo është sfida më e madhe. Kemi bërë një plan fantastik për ju; jo një, por disa. Me dëshirën e Zotit, do të sjellim përparim ekonomik në këtë vend”, ka thënë Khan para zgjedhjeve.

Në ditën e zgjedhjeve në Pakistan u shënua edhe një sulm i madh vetëvrasës në qytetin Kueta.

Baby Boo