I shkoi në shtëpi dhe e qëlloi, detaje nga vrasja mes vëllezërve


Konflikti për pronat dyshohet se ka qenë zanafilla e konfliktit mes dy vëllezërve Cami nga Bulqiza, që çoi në vdekjen e të dyve mëngjesin e të enjtes (4 Janar 2024) në kryeqytet.

Krimi në familje ndodhi në banesën e Lulëzim Camit 69 vjeç, në zonën e Freskut në Tiranë rreth orës 07:40.

Gazetari i Klan News Besar Bajraktari ka mësuar se autori, Vehap Cami 63 vjeç, jetonte në zonën e Lundrës.

Një ditë më parë ai kishte ditëlindjen, ndërsa mëngjesin e sotëm shkoi në banesën e të vëllait, Lulëzimit, në Fresk. U fut brenda, aty u përball me vëllain, por nuk patën asnjë debat. Më pas e qëlloi me pistoletë duke e lënë të vdekur në vend.

Pasi i mori jetën vëllait, Vehap Cami vrau edhe veten.

Në momentin e krimit në shtëpi kanë qenë të pranishëm edhe familjarët e Lulëzim Camit, të cilët fatmirësisht nuk pësuan asnjë lëndim.

Grupi hetimor dyshon se përplasja mes vëllezërve ka qenë e hershme për shkak të pronave. Për këtë arsye po pyeten edhe familjarë të tyre për të dhënë më shumë informacione që ndihmojnë hetimin.

Baby Boo