I plagosuri në ngjarjen e mbrëmshme në Shkup është lëshuar në shtëpi, ende nuk ka informacione për autorët e vrasjes së dyfishtë

Prokurori publik kujdestar së bashku me ekipet hetimore policore mbrëmë kanë kryer këqyrje në vendin e ngjarjes, ku mbetën të vrarë dy persona dhe një i tjetër u plagos në Çarshinë e Shkupit.

Nga Prokuroria thonë se autorët e vrasjeve kanë qenë të maskuar, ndërsa pasi e kanë kryer aktin janë larguar me makinë.

“Sipas informacioneve fillestare, disa persona të maskuar me armë zjarri kanë qëlluar në drejtim të dy personave, të cilët kanë gjetur vdekjen në vend, ndërsa i plagosuri është dërguar në spital për trajtim mjekësor. Gjurmët janë fiksuar në vendngjarje dhe prokurori publik lëshoi të gjitha urdhrat dhe udhëzimet e nevojshme për sigurimin e provave që do të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes dhe zbulimin e identitetit të autorëve”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë.

“Më datë 06.03.2023 në orën 20:11. në SPB-Shkup është paraqitur se disa persona qëlluan në J. K. dhe E. I., të cilët kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, dhe A.T., i cili është plagosur dhe dërguar në spital për ndihmë mjekësore”, njoftoi mbrëmë MPB Maqedoni.

Sot nga Spitali i Shkupit njoftojnë se personi i plagosur është lëshuar për kurim shtëpiak.

“Sonte rreth orës 20:15 me veturë private është sjellë në klinikën tonë për ekzaminim një person. Një plagë me armë zjarri është konstatuar në zonën e këmbës së majtë dhe një plagë më e madhe në pjesën e poshtme të këmbës së djathtë. Plagët janë trajtuar, janë bërë regjistrimet e nevojshme, janë fashuar dhe është bërë imobilizimi, pas së cilës personi është lëshuar për mjekim shtëpiak, pra nuk është ndaluar në spital”, thonë nga spitali për AIM.