I pari në Universitetin Teknik të Stambollit, studenti shqiptar: Përvojën time do ta sjell në Shqipëri


Emiljo Mëhillaj është vetëm një nga 8 studentët që kanë dalë me nota të shkëlqyera në Universitetin Teknik të Stambollit.
Duke qenë se studentët kanë dalë me nota të larta, universiteti në fjalë është detyruar që të mos shpallë një të parë, por katër të parë dhe të gjithë ata janë shqiptarë.
Sa i përket Mëhillajt, i cili është i pari në listën e më të mirëve, ai është diplomuar në degën Inxhinieri Elektronike dhe Telekomunikacioni.

Në një intervistë për Abcnews.al i riu ka treguar sesi “përfundoi” në Turqi dhe sesa punë dhe përkushtim i është dashur për t’u renditur mes më të mirëve.
Emiljo tregon se për në Universitetin Teknik të Stambollit përfitoi një bursë nga Ministria e Arsimit, bazuar në rezultatet që ai pati pas provimeve të maturës.

I pyetur rreth vështirësive që mund të ketë hasur në këtë institucion arsimor, ai thotë se duke qenë se në Universitetin Teknik të Stambollit pranohen vetëm më të mirët, konkurrenca nuk ka munguar, por shton ai, me anë të punës munda të arrij këtë rezultat përfundimtar.”
Po ashtu, Emiljo tregon se në Turqi nuk është ndjerë asnjëherë i diferencuar për faktin se ka qenë i huaj.
“Turqit sillen shume mire me te huajt, e veçanërisht me shqiptaret,” shprehet i riu.

Tashmë që studimet universitare i ka kryer, Mëhillaj thotë se do të vazhdojë masterin në ETH Zyrih, Zvicër.
“Atje do te specializohem për Inxhinieri Biomjekësore.”
Edhe pse po edukohet jashtë, Emiljo kërkon që dijet e marra “t’i sjellë” në Shqipëri dhe të japë kontributin e tij në këtë fushë.
“Do të doja që të kontribuoja në zhvillimin e kësaj fushe në vendim tim pas mbarimit të studimeve. Mendoj se Shqipëria ka potencial për t’u zhvilluar në këtë drejtim dhe unë do të sigurohem që përvojën e fituar në universitet ta vendos në funksion të këtij potenciali,” shpjegon ai.

Si përfundim, një këshillë për të rinjtë si ai që aspirojnë të formohen në shkollat jashtë vendit:
“E kuptoj motivimin e të rinjve për të studiuar jashtë pasi universitetet jashtë vendit ofrojnë përgjithësisht një arsimim më të mirë se sa në vendin tonë. Megjithatë, mendoj se secili nga ne që studion jashtë, duhet ta ketë në plan që të japë një kontribut në vendin tonë. Me ardhjen e shumë studenteve nga jashtë vendit, besoj se Shqipëria do të zhvillohet dhe do të jetë një vend më i mirë për brezat e ardhshëm.”

Renditja e studenteve në Universitetin Teknik të Stambollit
Katër të parët janë: Emiljo Mëhillaj në degën Inxhinieri Elektronike dhe Telekomunikacioni; Bianka Pajo në degën Inxhinieri Ndërtimi si edhe Sigela Muharremi dhe Alueda Kuka në degën e Ekonomisë, raporton abcnews.al.

Të dytët e universitetit janë shpallur Arlind Billa në degën Inxhinieri Elektronike dhe Telekomunikacioni dhe Xhoela Bame në degën Biologji Molekulare dhe Gjenetikë.
Vendin e tretë e mori Alket Çiku në degën Inxhinieri Ndërtimi me mesatare 3.94.
Autoriteteve të universitetit u ka bërë përshtypje fakti se tetë të parët e këtij viti ishin shqiptarë, ndërsa po ashtu, e para e vitit të kaluar ishte sërish një shqiptare dhe pikërisht Ida Gjergji.

Baby Boo