I jepet lamtumira e fundit Ridvan Imerit-Riki, ish-futbollistit kumanovar


Ridvan Imeri, ish-futbollisti i mirënjohur i Bashkimit të Kumanovës, Kumanovës, Ish-Cërvena Zvezdës së Gjilanit dhe disa skuadrave të tjera, që ndërroi jetë të shtunën me 11 shtator 2021 në Vjenë të Austrisë, pas një sulmi kardiak, sot (e mërkurë, 15 shtator) u varros me nderime të larta fetare në varrezat e qytetit në vendlindjen e tij – Kumanovë.

Përkundër pandemisë me Covid-19, në këtë ceremoni morën pjesë familjarë, shokë, miqë dhe ish-bashkëlojtarë të tij, mes të cilëve edhe Rexhep Ajeti, Xhemal Zeqiri, Fetah Veliu, Erkan Jusuf, Afrim Latifi, Jeton Qerimi, Ismet Zeqiri, Ismet Bekteshi, Skender Ismaili, Aki Shukriu, Florim Zeqiri, Astrit Ajeti e të tjerë, të cilët shprehën ngushëllimet më të sinqerta për largimin e parakohshëm nga jeta të Ridvan Imerit-Riki.

Ja letra ngushëlluese:
“E dhimbshme, lamtumira e fundit për Ridvan Imerin (1 prill 1965-11 shtator 2021)
Të dashur familjarë dhe miqë,
Ditën e shtunë, me 11 shtator të vitit 2021, u njohëm me lajmin e kobshëm se Ridvan Imeri-Riki, njeriu dhe ish-futbollisti i mrekullueshëm, organizatori i shkëlqyeshëm, u nda nga jeta, pas një sulmi kardiak në Vjenë të Austrisë, ku jetonte dhe vepronte bashkë me familjen e tij.

Ky ishte një moment i vështirë për të gjithë Kumanovën dhe gjetiu, që e njohu dhe e dashuroi aq shumë Ridvanin. Një ish-futbollist dhe një njeri i jashtëzakonshëm që të gjithë jetën ia kushtoi futbollit.
Ridvani lindi me 1 prill të vitit 1965. Karrierën prej futbollisti e nisi në KF Kumanovo në ligën e parë të Maqedonisë për të cilën skuadër luajti nga mesi i viteve të 80-ta të shekullit të kaluar.

Më pas, ai u transferua te Crvena Zvezda e Gjilanit, e cila garonte në Ligën e dytë të ish-Jugosllavisë.
Gjatë viteve 1992/93/94 ishte pjesë e KF Bashkimi Univerzal nga Kumanova që garonet në Ligën e Tretë të Maqedonisë-grupi Veri, me të cilin klub arriti suksese, duke u ngjitur në Ligën e dytë të Maqedonisë-grupi i Lindjes.
Në sezonin 1997/98 luajti për Shmekin nga fshati Rramanli, i cili garonte në Ligën e Tretë.
Nga fundi i karrierës, ai luajti edhe për disa klube modeste të Zvicrës.
Pas përfundimit të futbollit aktiv, Ridvani një kohë të shkurtër punoi si trajner nëe shkollën e futbollit Bashkimi.

Në vitin 2001, ai e mori rrugën e kurbetit, duke u vendosur në Vjenë të Austrisë, ku jetonte së bashku me familjen e tij.
Riki, miku ynë i madh, ne sot do të kujtojmë TY me nderim dhe respekt të thellë.
Pa dyshim se e kam vështirë t’i lexoj këta rreshta për Ty, sepse e di që gjatë leximit do të më tradhtojnë emocionet.

Kumanova mbeti pa Ty Legjendë. Ti ishe një sportist dhe para se gjithash njeri i vërtetë në plot kuptimin e fjalës.
Ishe njeri humanitar, këshillues, fjalëmbël dhe mbështetës i madh i rinisë dhe i të gjithë sportistëve.
Buzëqeshja, dashuria dhe respekti yt për njerëzit do të na mungojnë. Në këtë moment të vështirë për familjen tënde, miqtë e tu të shumtë, lutemi që shpirti yt të pushoj në parajsë. Ridvan Imeri pas vete ka lënë bashkëshorten, dy vajza dhe një djal.
Lamtumirë Riki, gjithmonë do të kujtojmë me dashuri dhe respekt të madh!”.
KF Bashkimi, KF Kumanova Milano dhe miqtë e tij vendosën kurora lulesh mbi varrin e tij.

Baby Boo