Hoxha pranon detyrën: Bujqit do të jenë partnerët tonë


Ministri i ri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujrave, Arjanit Hoxha sot ka marrë detyrën nga paraardhësi i tij Trajan Dimkovski. Përderisa Dimkovski e ka njoftuar Hoxhën me atë që është realizuar në kët sektor dhe atë që e pret në të ardhmen, ministri i ri i Bujqësisë është zotuar të vazhdoj projektet e nisura duke paralajmëruar mjaft projekte të reja.

“Ndjehem i privilegjuar që do të udhëheq me këtë ministri në katër vitet e ardhëshme. Është një ministri komplekse por sfiduese në aspektin e punëve që duhet të bëhen. Nuk na mungon as energjia as ambicja për të realizuar politika të suksesshme. Është një kënaqësi që këtu gjej një ekip profesionist. Ne zotohemi për një impenjim më të madh për të realizuar atë që kemi premtuar. Kjo ministri do të jetë e hapur për bujqit, do të jetë partnere me ta por edhe me partnerët e tjerë që ndikojnë në rritjen dhe zhvillimin e ekonomisë por edhe sektorëve të tjerë të vendit” tha Hoxha.

Hoxha ka potencuar se ai me ekipin e tij do të tregojnë kujdes të veçantë edhe për blerësit dhe përpunuesit e prodhimeve bujqësore, të cilat janë segmente të rëndësishme të zhvillimit të sektorit të bujqësisë.
“Ne vijmë me ekip të përgatitur, të cilët përveç se do të vazhdojnë projektet e filluara do të fillojnë edhe mjaft projekte të reja. Sikurse ishte edhe sllogani ynë në zgjedhje “Mundemi më shumë, mundemi më mirë”, ne jemi të gatshëm për këtë detyrë” ka thënë Hoxha.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së ujrave në ditën e parë të detyrës ka marrë pjesë në pranimin tradicional tek Presidenti i vendit Pendarovski si dhe në takimin e ekipit ekonomik të Qeverisë me Odat ekonomike.

Baby Boo