Hoqi dorë nga kemioterapia për të sjellë në jetë djalin e saj


Kishte ëndërruar gjithmonë një familje të madhe, me shumë nipër dhe mbesa të cilëve do u lexonte përralla dhe do u përgatiste pjatat tradicionale të Sossano-s, qytetit të vogël në Veneto ku kishte lindur, por fati u tregua mizor me Silvia Pozzan, 36-vjeçaren italiane që refuzoi kemioterapinë për të sjellë në jetë djalin e saj, Lorenzo.
“Dëshira e saj më e madhe ishte të bëhej mama. Ma ka thënë këtë gjë që në muajt e parë të njohjes. Jam i bindur që do të ishte një nënë shembullore, por sëmundja ishte më e fortë se ajo dhe djali ynë, tashmë dymuajsh.”, rrëfen bashkëshorti i 30-vjeçares, Francesco, për “Il Giornale”.

“5 vite më parë morëm lajmin që e prisnim prej kohësh, do të bëheshim prindër. Nuk besoj ta kem parë më të lumtur se në atë periudhë. Solli në jetë një vajzë, të cilën e humbëm pak minuta pas lindjes pasi lindi me një keqformim gjenetik. E njëjta situatë u përsërit edhe 3 vite më parë, kur Silvia mbeti shtatzënë për herë të dytë. Në këtë periudhë zbuluam se vuante nga kanceri në mëlçi. Pas një sërë trajtimesh, shumë prej të cilave jashtë Italisë, arriti ta mposhtte atë. Megjithatë pavarësisht gjendjes shëndetësore, Silvia këmbëngulte për t’u bërë nënë.

Para një viti morëm sërish lajmin e shumëpritur, Silvia ishte shtatzënë, por duhej të abortonte pasi iu rishfaq sëmundja. Ishte e vendosur që në fillim, kësaj here nuk kishte kthim pas. Ajo donte ta mbante këtë fëmijë. Për fat të keq, mjekët zbuluan gjithashtu se vuante nga limfoma Hodgkin, një formë agresive e kancerit të gjakut. Tek pacientët që vuajnë prej kësaj sëmundjeje, qelizat e bardha të gjakut rriten në mënyrë të pakontrolluar çka çon në zhvillimin e kancerit në nyjet limfatike. Refuzoi çdo trajtim pasi Lorenzo duhej të jetonte. Solli në jetë djalin tonë dy muaj më parë dhe që nga ajo kohë është kujdesur për të në ambientet e spitalit. Zemra e saj ndaloi së rrahuri pak ditë më parë, një jetë e sakrifikuar për dashurinë.”-përfundon ai.

Baby Boo