Historia e pabesueshme! U rrëmbye 13 vjeç gjatë luftës në Kosovë, bashkohet me familjen pas 24 vitesh


Një histori sa e vërtetë aq e pabesueshme. Abedin Avdiun e gjeti 13 vjeç lufta në Kosovë. Në atë kohë së bashku me 20 fëmijë të tjerë u rrëmbye. Nga ajo ditë familja e dinte të vdekur.

Duket si një skenar filmi, por kjo është historia e 38-vjeçarit Abedin Avdiu, i cili u shfaq në ekran 24 vite pas rrëmbimit, ndërsa kërkonte familjen e tij. Falë emisionit “Pa Gjurmë’’, transmetuar në televizionin Report Tv, familja Avdiu mësoi lajmin se djali i vogël të cilin ata e dinin të vrarë jetonte shëndosh e mirë.

Në një lidhje direkte nga Italia, Abedin Avdiu u surprizua nga moderatorja e programit Odeta Dume, e cila transmetoi videon e babait të tij, Ramadan Avdiut. 38-vjeçari i mbytur në lot nuk mund ta besonte se më në fund kishte gjetur familjen.

Ramadan Avdiu: Abedin, djali im Allah shyqyr. Nëpër telefona e kemi parë …(qan). Unë natë e ditë ta përmendja emrin tënd o Abedin. Babain tënd as natën e as ditën nuk e ka zënë gjumi, lusja Zotin të të gjeja. Kemi menduar se ke vdekur, ti shyqyr je gjallë djali im. Sa më shpejt djali im të vish tek babi.
Abedin Avdiu: Po, ky është babai im!…(përlotet)

Por surprizat për Abedinin nuk do të ndalnin këtu, pasi motra, Aishe dhe vëllai i tij, Sabri kishin udhëtuar nga Mitrovica për të qenë pjesë e studios. Ata folën për herë të parë me njëri-tjetrin pas më shumë se dy dekadave, ndërsa të mbërthyer nga emocionet fjalët ishin të pakta.
Sabri Avdiu: Vëlla, si je?
Abedin Avdiu: Mirë, si je ti vëlla?
Sabri Avdiu: Mezi pres të të takoj, jam i shokuar.
Abedin Avdiu: Nuk e besoja kurrë se do t’ju gjeja.
Aishe Avdiu: Vëlla të gjithë kemi qarë, babai po të pret. Jemi gëzuar shumë. Vëllai jonë kemi qejf sa më shpejt të vish.

I rrëmbyer në moshën 13-vjeçare, Abedin Avdiu bashkë me 20 fëmijë të tjerë u dërguan në Itali nga rrëmbyesit, të cilët i detyronin të vidhnin. Fati donte që vogëlushi t’i shpëtonte rrrëmbyesve e të denonconte në polici autorët. Për vite të tëra u rrit në një jetimore në Itali. Vite më vonë vendosi të kërkojë familjen biologjike. Bashkimi i shumëpritur mes familjes Avdiu dhe djalit të tyre Abedinit pas 24 vitesh ka emocionuar jo vetëm protagonistët e kësaj ngjarje, por të gjithëve ne. Kjo histori është një histori shprese dhe frymëzimi për këdo.

VIDEO

Baby Boo