Historia e 4 vjeçarit nga Tirana i cili u rrah dhe u djeg në dy kopshte shtetërore


Kjo është historia e një djali të vogël nga Tirana, i cili sapo ka mbushur katër vjeç, por që dy muajt e fundit është rrahur dhe djegur në dy kopshte të ndryshme shtetërore që administrohen nga Bashkia Tiranë.

Ai ka rrëfyer në detaje se e kishte rrahur drejtoresha e kopshtit, dhe si e kishte kërcënuar atë që të mos ia tregojë askujt ngjarjen.

A.H. ndiqte Kopështin Nr. 1 në Tiranë dhe më 29 gusht 2018, pasi u kthye në shtëpi, filloi të sillej në mënyrë të pazakontë. Kur nëna e tij u përpoq t’i hiqte këmishën për t’i bërë dush, ai kundërshtoi duke u acaruar emocionalisht dhe duke u sjellë në mënyrë të frikësuar. E ëma zbuloi se, jo për herë të parë, A. H. kishte një shenjë mavi në krah, pa pranuar t’i tregonte asaj se nga se ishte shkaktuar.

Menjëherë A. H. u dërgua nga e ëma në komisariatin e policisë, ku policët i bënë pyetje të thjeshta, por fëmija sërish nuk pranoi të fliste. Të nesërmen në mëngjes, A. H. u paraqit përsëri në komisariat dhe këtë herë u intervistua në prani të policëve, prindërve dhe tre psikologëve.

Në fillim, A. H. u duk ende i tmerruar për të treguar se kush ja kishte shkaktuar lëndimin, por, më në fund, ai tregoi se ishte rrahur me shkop nga drejtoresha e kopështit Nashi Shehapi, më shumë se një herë. Për më tepër, Shehapi e kishte urdhëruar fëmijëm të mos tregonte në shtëpi, duke e frikësuar deri në pikën sa djali dridhej dhe largohej kur dikush shtrinte dorën drejt tij. Gjatë intervistës, A. H. tregoi, gjithashtu, se, kur silleshin keq, fëmijët e kopështit mbylleshin rregullisht në “vrimën e miut” — “vrima e miut” ishte një dollap i errët nën një palë shkallë të kopështit.

Gjatë pyetjeve, A. H. u pyet se çfarë mendonte për edukatoren e tij dhe ai u përgjigj se ai e donte atë dhe ajo ishte një grua e mrekullueshme. Por kur u pyetën për drejtoreshën Nashi, A. H. menjëherë shfaqi shenja shqetësimi dhe frike dhe u përgjigj: “Nashi është një grua e tmerrshme, një shtrigë dhe duhet të shkojë në burg”—teksa drejtonte dorën nga dera e komisariatit të policisë, duke treguar “burgun” ku duhej të dërgohej drejtoresha.

E nxira në krahun e djalit të vogël, sipas matjeve të policisë, ishte 7-10 centimetra e gjatë dhe 5-7 centimetra e gjerë, dhe, sipas mjekut ligjor, ishte e pamundur që kjo lloj shenje të ishte shkaktuar nga një fëmijë tjetër, pasi forca e nevojshme për ta shkaktuar mund të vinte vetëm nga një i rritur. Prindërit e A. H. ngritën padi kundër drejtoreshës së kopështit Nashi Shehapi, dhe menjëherë e larguan fëmijën e tyre nga Kopshti Nr. 1 ​, duke e regjistruar në një kopsht tjetër në Tiranë.

Për fat të keq, pavarësisht raportit të psikologëve, pohimeve të fëmijës A. H., fotografive, raportit mjeko-ligjor dhe trysnisë së prindërve, deri më sot nuk është ndërmarrë asnjë veprim kundër Nashi Shehapit. Çështja u dërgua nga policia gjyqësore në prokurori një muaj e gjysmë më parë, por ajo ka mbetur në vend.

Kemi të bëjmë me një rast me dëshmi të mjaftueshme kundër drejtoreshës së një kopështi, të cilat sugjerojnë se ajo mund të jetë fajtore për abuzime fizike ndaj fëmijëve. Megjithatë, në vend që të pezullohet nga puna në pritje të hetimeve të mëtejshme, apo të thirret për t’u marrë në pyetje, ajo vazhdon detyrën e saj e pa shqetësuar. Për më tepër, çështja po fle në prokurori prej më shumë se dy muajsh dhe prokurorja Bala duket se e ka shmangur babanë e fëmijës, të paktën në dy raste, dhe nuk e ka telefonuar atë kur i është kërkuar.

Pas ngjarjes në Kopështin Nr. 1, A. H. u transferua në një kopësht tjetër publik, Kopështin Nr. 20. Çdo gjë dukej se po shkonte mirë deri më datën 8 tetor 2018, kur babai i fëmijës u lajmërua me telefon se fëmija i tij ishte djegur dhe ishte dërguar në spital. A. H. kishte qenë në klasë por i kishte shpëtuar vëmendjes së edukatores dhe ishte endur i pambikëqyrur në mjedisin ku një pjesëtare e personelit po gatuante fasule. A. H. i kishte dalë përpara dhe ishte përplasur me të, ndërsa ajo po ecte duke mbajtur në duar tenxheren me fasulet e nxehta, e cila u derdh dhe fasulet ranë drejtpërdrejt mbi trupin e fëmijës. Lëngu ishte aq i nxehtë sa A. H. pësoi djegje të gradës së dytë në kraharor, që përveç dëmit fizik, me shumë gjasa, do t’i lërë pasoja psikologjike për gjithë jetën.

Përsa i përket aksidentit në kopshtin numër 20, të gjithë punonjësit e pranishëm kur ndodhi ngjarja shprehën pikëllimin dhe keqardhjen e tyre për atë çfarë ndodhi. Ishte e qartë për prindërit e A. H. se ky ishte një aksident, një aksident që mund të ishte shmangur nëse kopështi do të kishte më shumë personel për të mbikqyrur fëmijët. Kjo ishte një ndjenjë e shprehur nga të gjithë edukatorët, pasi është gati e pamundur që një edukator të mbikëqyrë një grup me 20 deri në 25 fëmijë të vegjël, duke mbajtur para syve çdo njërin prej tyre gjatë gjithë kohës.

 

Baby Boo