Histeri nacionaliste greke në Bularat


Ceremonia e varrimit të Kostandin Kaçifas në Bularat të Gjirokastrës degjeneron në thirrje nacionaliste greke me shprehjet: “Shqiptarë, largohuni! Kjo është Greqi”, “Gjaku na thërret të djegim shqiptarë”, të gjitha këto klithma antishqiptare në praninë e politikanëve ekstremistë grekë dhe priftërinjve të ardhur enkas nga vendi fqinj. Bllokohet nga ekstremistët grekë rruga Gjirokastër-Kakavijë. Shoqërohet në polici kryeekstremisti Babis Harallambos Karathano. Reagon Tsipras: “E kuptoj zemërimin, jemi në ditë zie për familjen e atdheun”, Rama: Hienat përdhosën flamurin e tyre.

Ceremonia e varrimit të Kostandin Kaçifas që mbeti i vrarë më 28 tetor të këtij viti në përplasje me armë me forcat speciale RENEA, është kthyer në pelegrinazh dhe histerizëm me thirrje antishqiptare, flamuj grek, politikanë të ekstremit të djathtë dhe priftërinj të sjellë enkas nga Greqia. Edhe pse ishte kërkuar zyrtarisht nga Athina zyrtare për vetëpërmbajtje dhe qetësi, të ardhurit nga Greqia shkelën edhe parimin e respektit ndaj viktimës, duke e kthyer çështjen në më shumë se politike. Turma shpalosi edhe një flamur të madh ku shkruhej “Vorio Epir”, ndërsa dëgjoheshin edhe thirrjet “Shqiptarë, largohuni! Kjo është Greqi”, “Gjaku na thërret të djegim shqiptarë”. Të gjitha këto thirrje në Bularat, fshatin e Gjirokastrës, aty ku më 28 tetor shtetasi grek Kostandin Kaçifas, i lindur dhe rritur në Bularat qëlloi mbi forcat e policisë dhe terrorizoi banorët. Gjatë ndjekjes nga efektivët e forcave speciale RENEA ai mbeti i vrarë. Ngjarja trazoi politikën në të dyja vendet dhe sikurse ishte paralajmëruar, në ceremoninë e varrimit të 35-vjeçarit Kaçifas “nderin për viktimën” e morën nacionalistët ekstremistë grekë, një pjesë e të cilëve ithtarë të partisë ekstreme të Agimit të Artë. Mes personave që morën pjesë në varrim dhe bënë thirrje irredentiste ishte edhe ekstremisti Babis Harallambos Karathano ekstremisti i njohur, i cili është kryetar i Bashkimit Qendror të Epirit të Veriut, bashkë me të në komisariatin e Gjirokastrës përfunduan edhe Thoma Stefos ish-anëtare e Këshillit të Përgjithshëm DEEEM Omonia, Christos Ntoutsi – ish zyrtari i Qarkut Upper Dropoli, Andrea Kourtis, drejtori i Komunës Heliopolis. Që të katër janë shoqëruar në polici, pasi në momentin që ktheheshin nga ceremonia e varrimit bllokuan aksin Gjirokastër-Kakavijë. Efektivët e grupit operacional kryen arrestimin e tyre dhe ka të dhëna se kanë hyrë në territorin shqiptar ilegalisht. Nuk dihet nëse do të procedohen për tubim të paligjshëm, bllokim të akseve nacionale dhe nxitje të urrejtjes etnike ose fetare. Deri në pasditen e mbrëmshme nuk ka patur njoftim për lirimin e tyre, por policia ka 12 orë kohë për t’i mbajtur të shoqëruar dhe nëse nuk ka prova për akuzat mund të lihen të lirë. Edhe pse nuk ka patur reagim zyrtar nga pala greke për situatën e krijuar, situata duket e tensionuar, kjo për faktin se ekstremistët grekë hodhën parulla antishqiptare dhe arritën deri në fyerje dhe dhunim të territorit shqiptar me shpalosjen e banderolave nacionaliste kundër Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Baby Boo