Hidrocentralet në Sharr: Mbi një milion euro dëmshpërblim për investitorët e 4 hidrocentraleve të vegjël


Katër kompanitë që investuan për hidrocentralet e vegjël në Malin Sharr e që nuk mund t’i ndërtojnë ato për shkak të shpalljes së kësaj zone për park nacional, do marrin 1 milion e 51 mijë euro dëmshpërblim nga shteti. Marrëveshjet për koncesion këto kompani i kanë lidhur në periudhën nga viti 2011 deri në vitin 2018. Ligjin për shpalljen e Malit Sharr si park nacional Kuvendi e miratoi më 30 qershor të vitit 2021, por iniciativa për mbrojtjen e kësaj zone ka filluar 27 vite më parë, shkruan Prizma.

Gjatë kësaj periudhe të gjatë me ndihmën e studimeve të shumta u vërtetuan vlerat natyrore me të cilat Mali Sharr i plotëson kushtet për të fituar mbrojtje institucionale, por edhe pse i kishte ato të dhëna dhe ishte i përfshirë në këtë iniciativë shteti vazhdoi të inkurajojë aktivitete ekonomike në mal të dëmshme për natyrën, siç është ndërtimi i hidrocentraleve të vegjël.

Pasi u bë e qartë se një gjë e tillë nuk mund të vazhdonte, në seancën e mbajtur më 4 tetor të këtij viti Qeveria mori vendim që t’i ndërpresë kontratat dhe koncesionerëve tua kompensojë shpenzimet që i kanë bërë deri më tani për zhvillimin e këtyre projekteve energjetike që tani do duhet t’i ndërpresin.

Fushë atraktive për investim
Pas kërkesës për qasje në informacione me karakter publik, BIRN i mori përllogaritjet sipas të cilave del se për t’i ruajtur lumenjtë malorë në formën e tyre natyrore, pra për të mos i ndryshuar dhe shfrytëzuar ato për prodhimin e energjisë elektrike, do duhet që nga buxheti i shtetit të paguhen pak më shumë se një milion euro.

Kompensim më i lartë prej 600 mijë eurosh do t’i paguhet kompanisë „Gravis Hydro” nga Gostivari, e cila duhej të ndërtonte hidrocentral në lumin Shkumbin sipas kontratës të lidhur në vitin 2018. Rreth 270 mijë euro do të marrë „Tribeca Hydro” nga Tetova për koncesionin e ndërprerë të cilin e fitoi në vitin 2011 për lumin Lubotenska. Në të njëjtin lumë është anuluar edhe projekti EMK Hidrocentrale të vogla nga Shkupi për të cilin kompania do të marrë pak më shumë se 117 mijë euro. Super Nova Energy nga Tetova do të marrë rreth 65 mijë euro për prishjen e marrëveshjes për koncesionin e Lumit Bellovishka të lidhur në vitin 2012.

Kompanitë janë në pronësi të investitorëve vendor dhe të huaj të cilët kanë edhe projekte të tjera me hidrocentrale të vegjël, ndërsa përveç kësaj veprimtarie një pjesë e tyre janë të përfshirë edhe në ndërtimin e objekteve për banim dhe në biznesin e transportit. Kushtet e volitshme në këto dhjetë vitet e fundit tërhoqën investitorë të shumtë në këtë sektor e të cilët zhvilluan mbi njëqind projekte, ndërsa si kushte lehtësuese ishin edhe detyrimet minore e pothuajse formale për mbrojtjen e mjedisit jetësor gjatë ndërtimit dhe funksionimit të centralit.

Me ritëm të përshpejtuar
Nëse një projekt energjetik ndodhet në zonë natyrore të mbrojtur, për të marrë leje për ndërtim investitori duhet të bëjë një studim për vlerësimin e ndikimit ndaj mjedisit jetësor. Ky është një dokument gjithëpërfshirës dhe për përgatitjen e tij duhet mjaft kohë sepse në të përfshihen të gjithë parametrat të cilët mund të kenë ndikim ndaj natyrës, si cikli i stinëve të vitit, ndikimet kumulative të projekteve të tjera energjetike në afërsi, gjendja me biodivezitetin, etj. Studimi gjithmonë kalon në shqyrtim publik, që do të thotë se përveç investitorit dhe nëpunësit që duhet ta japë lejen, që mund ta shohin edhe persona të tjerë profesionistë, si dhe edhe popullata lokale.

Por nëse vendi ku planifikohet të ndërtohet një hidrocentral i vogël për momentin nuk është nën mbrojtje, atëherë për të marrë leje mjafton të bëhet një elaborat për ndikimin ndaj mjedisit jetësor. Ky është një dokument më i thjeshtë, përgatitet për një kohë më të shkurtër dhe nuk ka nevojë që në këtë proces të përfshihet edhe publiku.

Këto elaborate e kanë përshpejtuar aq shpesh procedurën e miratimit të ndërtimit të hidrocentraleve të vegjël, saqë tërhoqën edhe vëmendjen e Entit Shtetëror të Revizionit. Për shembull, në raportin e revizionit për shfrytëzimin e burimeve të ujit të publikuar në vitin 2021 thuhet se me rastin e miratimit të raporteve janë marrë parasysh vetëm dokumentet e planit dhe dokumente të tjera zyrtare, ndërkohë që nuk është bërë asnjë vlerësim për gjendjen aktuale. Pra, nëse për momentin nuk ka asnjë dokument që e mbron zonën, mund të anashkalohen të gjitha të dhënat sipas të cilave ajo mund të mbrohet, si dhe iniciativat që janë në zhvillim e sipër.

Organizatat për mbrojtjen e natyrës të cilat i kanë studiuar më detajisht efektet e ndërtimit të hidrocentraleve të vogla, siç është Eko-svest nga Shkupi, tashmë një kohë të gjatë paralajmërojnë se koncesionet për projekte të tilla energjetike jepen në vende që planifikohen të mbrohen në të ardhmen, sepse janë të përfshira në rrjetet evropiane të zonave me rëndësi të veçantë, si rrjeti Emerald. Në zona të tilla janë dhënë më shumë se 20 koncesione.

Dëmshpërblim për shkak të injorimit të të dhënave
Çfarë do të thotë kjo për Malin Sharr dhe për dëmshpërblimet që tani do të duhet t’i paguajë shteti? Në rezymenë e Studimit për vlerësimin e parkut nacional të publikuar në vitin 2020 është përshkruar e gjithë historia e iniciativës për shpalljen e tij. Aty thuhet se hapi i parë u bë në vitin 1997, kur ka pasur tentativë për miratimin e ligjit me të cilin mali do të bëhej park nacional, por Kuvendi nuk e ka miratuar.

Më pas, që nga viti 2004, në një sërë dokumentesh zyrtare planifikuese të shtetit, si Plani Kombëtar Hapësinor dhe Strategjia Kombëtare për Diversitetin Biologjik, u njoh nevoja për mbrojtjen e zonës. Përfundime të tilla u përsëritën në studime dhe analiza më të fundit.

Më vonë, në vitin 2004, në një numër të madh dokumentesh zyrtare të shtetit, si Plani Kombëtar Hapësinor dhe Strategjia Kombëtare për Diversitetin Biologjik, është njohur nevoja për mbrojtjen e zonës. Përfundime të tilla janë përsëritur edhe në studime dhe analiza më të reja.

Në vitin 2017 një grup prej më shumë se 50 ekspertë nga fusha të ndryshme filluan të punojnë në Studimin e vlerësimit si një dokument kyç për shpalljen e Malit Sharr për park nacional. Versioni përfundimtar i këtij dokumenti u publikua në vitin 2020.

Kjo dëshmon se gjatë gjithë kohës nga fundi i viteve 1990 e deri më sot, shteti ka pasur informacione për vlerat e vërtetuara natyrore të Malit Sharr, si dhe për iniciativat dhe proceset që çuan drejt mbrojtjes së tij si park nacional. Konkretisht, institucionet kanë qenë në dijeni të mundësisë se një ditë mund të anulohen projektet energjetike dhe ekonomike që ata i kanë miratuar në këtë zonë dhe se nëse janë lejuar në pajtim me procedurat ligjore, investitorët privatë do të kishin të drejtën e dëmshpërblimit.

Por, gjatë dhënies së koncesioneve për shfrytëzimin e burimeve të ujit në Malin Sharr kjo rrethanë është injoruar edhe e njëjta gjë është bërë edhe për lokacionet e tjera për të cilat po rrjedh procedura për shpallje ose kanë arsye të vërtetuara se të njëjtat duhet të bëhen zona të mbrojtura.

Ndryshe, më 4 tetor 2022 Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi informacionin lidhur me statusin e Marrëveshjeve koncesionare për hidrocentralet e vogla të vendosura në zonat e mbrojtjes së rreptë dhe të menaxhimit aktiv të Parkut Kombëtar Mali Sharr, për të cilin u zhvillua një procedurë për zgjidhjen miqësore të Marrëveshjeve të Koncesionit për shfrytëzimin e ujit për prodhimin e energjisë elektrike.

Sipas Projektplanit për Menaxhim me Parkun Kombëtar të prezantuar më 11 tetor të vitit 2021, në të gjithë territorin e Parkut Kombëtar “Mali Sharr” nuk do të lejohen të ndërtohen hidrocentrale të reja, miniera dhe të gërmohen miniera, nuk do të bëhen hulumtime gjeologjike e as instalim të infrastrukturës së gazsjellësit. Në të gjitha zonat e menaxhimit do të ndalohet kultivimi i bimëve dhe kafshëve aloktone (jovendase).

Baby Boo