Vrasje turke në mes të një kafe-bari në Shtip. Një 25-vjeçar, ish-student nga Turqia, është qëlluar për vdekje nga një kriminel 4 vite më i ri, me të cilin më parë kishin biseduar në lokal. I dyshuari kishte shkuar në tualet dhe kur ishte kthyer, kishte filluar të qëllonte në drejtim të viktimës, duke e goditur me disa plumba.
I plagosuri ndërroi jetë në spital, ndërsa vrasësi e kishte organizuar paraprakisht arratisjen, ku ishin përfshirë edhe katër bashkëkombës të tij. Ai kishte marrë një taksi, ndërsa të katërtit po udhëtonin përpara tij me një BMW si “pastrues” dhe ishin nisur drejt Shkupit.
Por policia e Shtipit menjëherë përmes mediave lokale dhe rrjeteve sociale publikoi videot e sulmit të armatosur dhe fotografinë e sulmuesit. Me atë ndihmë vizuale, në disa lokacione u vendosën bllokada policore, njëra prej tyre në pikën e pagesës Miladinovci para hyrjes në Shkup.
Policia ishte tashmë e informuar se BMW-ja ishte automjeti i arratisjes dhe e rrethoi atë në pikëpagesë. Vrasësi ndërkohë ndodhej pas tyre dhe tentoi të arratisej përmes fushës. Siç tregojnë pamjet e publikuara nga TV Star, ndjekja vazhdoi në këmbë dhe u aktivizuan edhe dronë policorë.
Tre nga ndihmësit e arratisjes u arrestuan, por shoferi i BMW-së arriti të ikë me veturën përmes pikëpagesës. Më pas, ai doli nga rruga me veturën dhe u kap nga policia. Rreth 300 metra nga pikëpagesa u kap edhe 21-vjeçari shtetas turk.
“Në orën 22:15, në pikën e pagesës Miladinovci, në një aksion të përbashkët të SPB Shtip, SPB Shkup dhe policisë rrugore, u ndalua një veturë ‘BMW’ me targa të Shtipit, në të cilën ndodheshin A.H., T.M., O.M. dhe A.O., me ç’rast A.H. tentoi të arratisej, ndërsa të tjerët u privuan nga liria. Së shpejti, pas masave të ndërmarra, ai dhe autori K.K. u gjetën dhe u arrestuan”, deklaroi Goce Andrevski, zëdhënës i MPB-së.
Nga vendi i ngjarjes janë marrë gëzhoja dhe gjurmë të tjera që do t’i nënshtrohen ekspertizës, policia ka gjetur pistoletën, ndërsa trupi i të ndjerit është dërguar për autopsi. Janë siguruar dhe shqyrtuar pamjet nga kamerat e sigurisë, njoftoi prokuroria. Por për motivet ende nuk ka të dhëna zyrtare.
Vrasësi gjakftohtë kishte mbërritur në Maqedoni një ditë para krimit. Kufirin e kishte kaluar në mënyrë legale dhe kjo ishte vizita e tij e tretë në vend. Ndërkohë, viktima ishte paraqitur si student, por sipas informacioneve nga policia, në vend të provimeve kishte disa kallëzime për posedim të narkotikëve. Motivimi për krimin sillet nga një debat për një vajzë apo borxh, deri te mundësia për një vrasje me pagesë. Hetimet do të zbulojnë nëse janë përfshirë edhe shtetas të tjerë turq në vrasjen në Shtip.