“Herët në mëngjes i vrau familjarët, pas 4 orësh vrau veten”


Kosova u trondit nga një vrasje e shumëfishtë që ndodhi të martën në lagjen “Bojanina” të Gjilanit. Zyrtarja policore, Valdete Bllaca dyshohet se mëngjesin e asaj dite i vrau prindërit, dy vëllezërit dhe më pas veten. Motivi vrasjes ende nuk dihet. Por, Prokuroria e Gjilanit ka dhënë detaje rreth orës kur Bllaca dyshohet t’i ketë kryer vrasjet dhe gjendjes së saj shëndetësore.

Arjeta Shabani

Mëngjesin e së martës një familje e tërë u shua në Gjilan. Zeqir, Hanife, Blerim, Fisnik e Valdete Bllaca u gjetën pa shenja jete në ambientet e shtëpisë së tyre në lagjen “Bojanina”. Vrasja dyshohet se u krye nga e bija e vetme e kësaj familje, e cila më pastaj bëri vetëvrasje.

Sipas Prokurorisë Themelore të Gjilanit, ajo dyshohet t’i ketë kryer vrasjet para orës 08:00 të mëngjesit.

Zëdhënësja kësaj prokurorie, Liridona Xheladini ka deklaruar se zyrtarja policore Valdete Bllaca dyshohet se i kishte vrarë prindërit dhe dy vëllezërit në ora 7 e 40 në mëngjes, derisa jetës së saj i kishte dhënë fund tek pas katër orësh.

“Bazuar në kërkesën tuaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim me policinë e Kosovës është duke hetuar rastin, në të cilin dyshohet se zyrtarja policore, tani e ndjera V.B., në orët e para të mëngjesit rreth orës 7:40 minuta, të datës 18 shkurt 2020, me armë zjarri fillimisht kishte vrarë katër anëtarët e familjes së saj, kurse dyshohet se rreth orës 12:50 minuta, me të njëjtën armë kishte kryer aktin e vetëvrasjes”, ka thënë Xheladini për Express.

Xheladini ka konfirmuar edhe raportimet se e ndjera kishte pranuar tretman mjekësor, disa muaj para se të kryente vrasjen e shumëfishtë.

“E ndjera kishte pranuar tretman mjekësor, ku në bazë të raporteve ishte rekomanduar që e njëjta të punonte pa uniformë dhe pa armë zyrtare”, thuhet në përgjigjet e Xheladinit drejtuar Gazetës Express.

Për gjendjen e saj shëndetësore ishin deklaruar edhe në Policinë e Kosovës.

Në këtë institucion e kishin konfirmuar se Bllaca ishte trajtuar në 14 seanca të ndryshme dëgjimore dhe këshilluese deri në fund të vitit 2019.

Për herë të fundit, ajo kishte mbajtur trajtim në fillim të tetorit të vitit të kaluar, kur edhe ishte rekomanduar lirimi nga bartja e uniformës dhe armës zyrtare.

“Trajtimin e fundit mjekësor psikologjik në klinikë e ka mbajtur me datën 03.10.2019, në të cilin trajtim gjithashtu është rekomanduar lirimi nga bartja e uniformës, përfshirë edhe armën zyrtare për shkak të gjendjes së saj shëndetësore/psikologjike si dhe i është caktuar terapia përkatëse”, kishte njoftuar Policia.

Gazeta Express ka siguruar informacione edhe rreth mënyrës se si u gjetën pesë anëtarët e vdekur të familjes Bllaca në Gjilan.

Në bazë të hetuesve të Policisë së Kosovës, të cilët kanë qenë në vendin e ngjarjes, të vrarët ishin në pjesë të ndryshme të shtëpisë.

Sipas informatave të Gazetës, njëri nga vëllezërit Bllaca dyshohet se u vra në dhomën e gjumit në katin e dytë të shtëpisë ku jetonin familja Bllaca. Ai, aty u gjet pa shenja jete. Tjetri djalë i familjes Bllaca u gjet i shtrirë në korridorin e shtëpisë. Pa shenja jete në korridor u gjet edhe nëna e Valdetes, 64-vjeçare.

Njollat e gjakut kishin përfshirë thuajse të gjithë shtëpinë. Krimin e rëndë, policja e Kosovës, Valdete Bllaca, dyshohet se e vazhdoi në dhomën e ndejës, aty sipas burimeve gjendej babai i saj 70-vjeçar.

Pasi i vrau të gjithë anëtarët e familjes, ajo i dha fund edhe jetës së saj.

Express merr vesh se zyrtarja Valdete Bllaca kishte dy plagë, njërën në shputën e këmbës së majt dhe një në ballë.

Ndërkohë, ende askush nuk po e di se si arma ka mundur që të përfundojë në dorën e Valdete Ballcës. Ajo dyshohet se e ka tërhequr atë nga kasaforta ku ishte e vendosur në stacionin policor.

Për këtë rast, deri tani janë suspenduar katër zyrtarë policorë, me arsyetim se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.

Zyrtarët e suspenduar janë; komandanti i stacionit policor, zëvendës komandanti policor, shefi i operativë të stacionit policor dhe një zyrtar i stafit civil.

Emrat e të suspenduarve janë Alban Ramushi – komandant, Naser Rrahmani – zëvendës komandant, Negovan Mihaljovic dhe Xhavit Azizi. Ndryshe, Valdetja kishte qenë pjesë e Policisë së Kosovës për 18 vite.Ajo fillimisht kishte punuar në Qendrën e Thirrjeve në Prishtinë për t’u transferuar më pas në në Gjilan.

Baby Boo