Helmohen bletet! Spërkatja me pesticide e rre*zikshme për bletët


Spërkatja e kopshteve të pemëve jo rrallë herë shkakton dëme të ndryshme. Kësaj radhe, si pasojë e spërkatjes së kopshtit janë helmuar mijëra bletë të bletarit nga Tetova, Mahir Iljazi. Rreth 60 koshere të këtij bletari nga Tetova tashmë janë bosh pa asnjë bletë, sepse të njëjtat janë helmuar. Këtë e tregojnë edhe pamjet ku tufa me bletë janë të helmuara. Bletari Iljazi thotë se rastin e denoncon që në të ardhmen të mos ndodhin këto gjëra, duke apeluar tek qytetarët që në raste kur bëjnë spërkatjen apo dezinfektim, të njoftojnë bletarët që të mos ndodhin këto fenomene, që u shkaktojnë dëme të mëdha.

“Problemi ynë është bletaria, të cilën e shihni këtu përpara, që është e shkatërruar tërësisht, mbi të gjitha ne e dimë se çdo insekt dëmtohet në qoftë se stërpiket brenda ditës. Të gjitha bletët kanë qenë jashtë kur para 4 ditëve ka ardhur fqinji këtu dhe ka spërkatur drunjtë e vishnjave, që do të thotë se ka spërkatur me insekticide dhe për këtë nuk na ka paralajmëruar që ne bletarët të mbyllim kosheret për një kohë të caktuar, derisa të kalojë efekti i insekticidit, kështu që të gjitha bletët janë shkatërruar tërësisht. Tani është kulminacioni i bletëve, ku çdo koshere ka mbi 70 mijë bletë brenda. Qëllimi ynë është që të vetëdijesojmë popullin që mos të ketë kështu keqpërdorimesh në të ardhmen, sepse kjo është zhdukje në masë e bletëve, 60 koshere bletësh të shkatërruara, humbet viti, humbet mundi, humbin edhe shpresat për punë në këtë veprimtari”, thotë Mahir Iljazi, bletar nga Tetova.

Për këtë bletar, humbjet janë të mëdha, sepse procesi i grumbullimit të mjaltës ka qenë në përfundim e sipër. Dëmi më i madh është humbja e bletëve. “Një koshere me bletë kushton diku rreth 200 euro, por tani nuk është 200 euro sepse tani e ka kulminacionin e zhvillimit, ku brenda 10 ditëve ne prisnim që të vjelim edhe mjaltin. Çdo koshere minimum ka patur 10 kilogram mjaltë. Ne më nuk mund ta përdorim atë mjaltë, por nëse mbetet e shëndetshme për ato bletë që kanë mbetur, shpresojmë që të jetë e shëndetshme që të mundet së paku të përdoret apo shërbejë për bletët që kanë mbetur gjallë. Dëmi i pa rikuperueshëm nuk është tek mjalta, por tek zhdukja e bletëve në masë”, deklaroi ai.

Bletari tjetër, Abdylnaser Jakupi, shprehet se kosheret gjatë vitit i mbajnë edhe në fshatin Veshallë, por atje sulmohen nga ariu. Për këtë vit, këta bletarë kanë mbetur pa asnjë kilogram me mjaltë. “Ne nuk e kemi ndërmend që t’i padisim ata që na kanë shkaktuar këtë dëm të konsiderueshëm, ne shpresojmë që të ngrihet vetëdija tek çdonjëri prej neve, me qëllim që bletarët e tjerë të mos kenë dëme, të mos pësojnë siç kemi pësuar ne. Është e rëndësishme që ne si bletarë të paralajmërohemi kur do të ketë spërkatje, me qëllim që ti mbyllim kosheret, sepse ne nuk e dimë se edhe me çfarë spërkaten pemët, me çfarë pesticide apo insekticide”, tha ai.

Rasti është denoncuar edhe në policinë e Tetovës, prej nga kanë konfirmuar këtë ngjarje. “Më 5 qershor, rreth orës 18 e 20 minuta, personi M. I 60 vjeçar nga Tetova, ka denoncuar se me siguri nga spërkatja me pesticide në pemtari, kanë vdekur mijëra bletë, respektivisht janë shuar 60 koshere me bletë, të cilët kanë qenë të vendosura në afërsi të bletarisë së tij afër stacionit hekurudhor. Ekipi i Policisë së Tetovës ka kryer hetim në vendin e ngjarjes dhe punon në zbardhjen e plotë të rastit”, thotë zëdhënësi i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, Marjan Josifovski.

Baby Boo