Harta, kufij dhe plan për Kosovën: Çfarë mund të ndodhë në muajt në vijim?


Nga Enver Robelli

1.

Sapo të imponohet një qeveri e re në Prishtinë, ka gjasa të fillojë “dialogu mes Kosovës dhe Serbisë”. SHBA-të do të thonë se është vendim i palëve (Kosovës dhe Serbisë) nëse duan prishjen e kufijve të Kosovës, domethënë që një pjesë e konsiderueshme e veriut të Kosovës të bëhet pjesë e Republikës së Serbisë.

Pra, Kosova pritet të mos i ketë kufijtë e 17 shkurtit 2008. Kjo është kërkesa e Serbisë dhe sinjale në këtë drejtim kanë dhënë edhe politikanë të Kosovës të “krahut të luftës”. “Menjëherë do e mbështesja një zgjidhje të tillë” (një zyrtar i lartë i PDK-së në një bisedë konfidenciale me autorin e këtij teksti).

SHBA-të nuk duan të marrin përgjegjësi për prishjen e kufijve të një shteti në Ballkan. Përkundër raporteve të tensionuara me BE-në, megjithatë SHBA-të nuk duan t’u mbetet faji për ndonjë eskalim në Ballkan dhe – rrjedhimisht – destabilizim të Europës.

Andaj do të thonë: “Nuk është punë e jona kjo, por nëse palët duan…”. Këtë e ka thënë që në gusht të vitit 2018 edhe John Boltoni, këshilltari i atëhershëm për siguri nacionale i presidentit Donald Trump. Bolton është larguar për shkak se deshi ta fusë Amerikën në luftë kundër Iranit, por ideja e tij për prishjen e kufijve të Kosovës nuk është fundosur. Vazhdon të jetë aktuale.

2.

Nga prapaskena diplomatët e SHBA-ve nuk do të pengojnë ndarjen apo prishjen e kufijve të Kosovës. Përkundrazi: do t’u ndihmojnë palëve (presidentit të Serbisë dhe kolegut të tij kosovar, të cilët kanë raport mirëbesimi nga takimet e shumta) që rruga për kalimin e “marrëveshjes” të jetë sa më e lehtë.

Pra, do të ketë përkrahje që formulimi i marrëveshjes të jetë “i pranueshëm për të dy palët”. Njëra ndër metodat e ndyra do të jetë etiketimi i kundërshtarëve të marrëveshjes si “antiamerikanë”.

Këtë punë do ta kryejnë kryesisht mediat e afërta me forcat politike që përkrahin marrëveshjen.

3.

Tashmë është bërë e qartë se kushdo që e kundërshton këtë “marrëveshje”, do ta ketë të vështirë të mbijetojë në qeveri në Kosovë.

Brenda pak muajve ky presion i paprecedent nga Washingtoni ka ndikuar të bien dy qeveri të Kosovës. Ky është fakt. Dhe sinjal i keq se sa janë të (pa)vlefshme zgjedhjet demokratike në Kosovë.

Kuptohet, formalisht qeverinë e kanë rrëzuar me mocion deputetët, por presioni duket se ka qenë tepër i madh nga Washingtoni (konkretisht ambasadori Richard Grenell). Këto janë fjalët e një zyrtari të LDK-së: “Jemi mbështetur për muri”.

4.

Derisa në të kaluarën ka pasur ish-komandantë të UÇK-së që janë rebeluar, tani të gjithë janë në një anije. Të gjithë janë të interesuar të shpëtojnë veten nga Gjykata Speciale. Ajo u rri mbi kokë si një re e zezë.

Të gjithë prej vitesh kanë krijuar pasuri marramendëse dhe interesi i tyre primar është të ruajnë këtë pasuri edhe në të ardhmen.

Andaj ata do të shtrijnë dorën edhe për një marrëveshje të keqe. Kundërshtimet që i kanë bërë ndaj kërkesave të SHBA-ve në të kaluarën kanë qenë edhe investim në rritjen e pazarit për interesa personale. Tashmë ka rënë edhe niveli i kritikave ndaj kryeministrit të Shqipërisë, i cili ishte quajtur shitës i territorit të Kosovës.

5.

Qeveria aktuale e Tiranës do të përkrahë çdo marrëveshje që arrin klasa sunduese në Prishtinë, e ka përkrahur edhe më herët. Sepse të tre sundimtarët (në Beograd, Prishtinë, Tiranë) kanë interes të qëndrojnë në pushtet dhe të ruajnë privilegjet që kanë krijuar. Po ra njëri, rrezikohet tjetri.

Andaj edhe alarmi ka qenë aq i madh në shumë pjesë të Ballkanit kur më 6 tetor 2019 Kosova dha sinjal se do heq qafe sistemin e patronazhit, klientelizmit dhe korrupsionit. Me rrëzimin e qeverisë në Prishtinë, tani për tani rreziku i lëvizjeve tektonike politike në vende të tjera të Ballkanit ka kaluar.

6.

Për të shtuar presionin që “marrëveshja me Serbinë” të kalojë sa më shpejt, SHBA-të kanë ulur intensitetin e lobimit për njohjen e Kosovës nga shtetet e tjera. Edhe kërcënimi se do të tërhiqen trupat ushtarake amerikane është përdorur si “instrument torture”. Dhe ekziston rreziku se do të përdoret edhe në të ardhmen.

Ka gjasa që tërheqja e trupave të ndodhë pas kalimit të marrëveshjes, ndonëse në këtë çështje nuk janë të një mendimi Pentagoni (kundër) dhe Shtëpia e Bardhë (për).

Baby Boo