Fatos RUSHITI
Shkup, 8 prill – Në maj bëhen një vit që kur partitë shqiptare – BDI, Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja BESA dhe RDK i dhanë nënshkrimet liderit Zoran Zaev për të siguruar marrjen e mandatit nga presidenti Gjorgje Ivanov për formimin e Qeverisë. Ndërkaq kushti për dhënien e nënshkrimeve ishte marrëveshja për Ligjin për gjuhën shqipe, i cili ende nuk është i zbatueshëm përkundër votimit të tij të dytë, pasi sërish presidenti Ivanov nuk e nënshkroi të njëjtin, shkruan gazeta KOHA.
Përkundër asaj që Maqedonia është shtet parlamentar, në opinion ka dilema se si mundet që Ligji, kur të votohet për së dyti nga shumica e deputetëve, të mos hyrjes në fuqi. I çuditshëm ishte dhe prononcimi i fundit i kryeparlamentarit Talat Xhaferi se nuk do të nënshkruaj dekretin e Presidentit, ndonëse sipas Rregullores, Ligji edhe kur votohet për së dyti – para se të shkojë në Gazetën Zyrtare, përveç nënshkrimit të presidentit, ka dhe nënshkrimin e kryetarit të Parlamentit. Ndonëse flitet hapur nga shumë ekspertë të fushës së Kushtetutës, por edhe nga Qeveria është përsëritur disa herë se presidenti bën shkelje të Kushtetutës, deri më tani asgjë nuk ndërmerret për konstatimin e përgjegjësisë së tij në Parlament. Po ashtu, si nga Parlamenti ashtu dhe nga Qeveria nuk kanë marrë ndonjë iniciativë deri tek Gjykata Kushtetuese për të sqaruar kompetencat e Parlamentit në raport me presidentit.
Askush nuk është në gjendje të thotë se dispozitat kushtetuese, siç është neni 78, konkretizohen përmes ligjeve dhe rregulloreve. E Rregullorja e punës, në nenin 73 ku bëhet fjalë për shpalljen e Ligjit dhe hyrjen në fuqi të tij, në nenet përkatëse lë të nënkuptohet se pas votimit të dytë, Ligji hyn në fuqi pasi të shpallet në Gazetën Zyrtare. Neni 173 (1) Kryetari i Parlamentit, menjëherë pas miratimit, Ligjin ia dërgon Presidentit të Republikës për nënshkrimin e dekretit për shpalljen e ligjit. (2) Nëse Presidenti i Republikës vendos të mos e nënshkruajë dekretin për shpalljen e Ligjit, Parlamenti e rishqyrton ligjin në fazën e leximit të tretë, në afat prej 30 ditësh nga dita e miratimit të Ligjit.(3) Gjatë rishqyrtimit të Ligjit, amendamente mund të parashtrohen vetëm në lidhje me sugjerimet e Presidentit të Republikës. Neni 174 (1) Ligjet, rregullat e tjera dhe aktet e përgjithshme, para se të hyjnë në fuqi, botohen në “Gazetën zyrtare të Republikës së Maqedonisë”.(2) Konkluzionet e Parlamentit shpallen në buletinin e Parlamentit, por nëse vendos Parlamenti, edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë. Ndërkaq, kryeparlamentari Xhaferi, edhe përkundër këtyre dispozitave të Rregullores së punës, nuk e përcjell Ligjin me nënshkrimin e tij deri tek Gazeta Zyrtare.
Në opinion ka pasur zëra se LSDM, vetëm për të marrë mandatin për formimin e Qeverisë, mund të ketë bërë kompromis në lidhje me Ligjin për gjuhët me VMRO-në me qëllim që ky Ligj të zvarritet sa më gjatë të mundet dhe të mos mundet të hyj në fuqi asnjëherë ashtu siç janë marrë vesh partitë shqiptare dhe LSDM paraprakisht para një viti. Përkundër prononcimit publik të kryeministrit Zoran Zaev se pritet se çfarë do të thotë Gjykata Kushtetuese kur Ligjin refuzon ta nënshkruaj presidenti, zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski, përjashton mundësitë që Qeveria do të ngritë iniciativë deri tek Gjykata Kushtetuese. Ai me lehtësi thotë se shumë punë më të rënda janë kryer në Maqedoni, ndërsa do të kryhet edhe Ligji për gjuhët.
“Jo, Zaevi nuk ka thënë që do të ngrisim iniciativë deri tek Gjykata Kushtetuese, por ka thënë se kjo gjykatë duhet të prononcohet nëse ligjet, jo vetëm Ligji për gjuhët, mund të hyj në fuqi edhe nëse nuk e nënshkruan presidenti për herë të dytë. Nuk mund të them më shumë, por vetëm atë që ka dhënë kryeministri se do të shikohen të gjitha mundësitë që kryhet ky problem. Në Maqedoni shumë punë të rënda janë kryer dhe do të kryhet edhe Ligji për gjuhët”, thotë Boshnjakovski. Ai nuk pranon të thotë asgjë se cilat mundësi po shikohen nga Qeveria që Ligji i gjuhës të hyj në fuqi. Ai pranon se kjo çështje u vonua, por se faji për këtë, sipas tij, duhet kërkuar te presidenti.
Në pyetjen e gazetës KOHA nëse kryeministri Zoran Zaev ka kërkuar ndonjë takim me presidentin për të sqaruar këtë çështje, Boshnjakovski tha shkurt se “nuk ka kërkuar asnjë takim kryeministri”. Nga deputetë e BDI-së, Rexhail Ismaili, thotë se presidenti ka shkelur Kushtetutën, ndërsa po shqyrtohen të gjitha mundësitë për të gjykuar presidentin për këtë shkelje. Megjithatë, deri më tani nuk është ndërmarrë diçka konkrete. Sa i përket mundësisë që Ligji të përcillet deri tek Gazeta Zyrtare edhe pa nënshkrimin e Ivanovit, deputeti Ismaili tha se duhet pritur qëndrimet e partive të koalicionit qeveritar BDI-LSDM.