Haradinaj vendos lule në nderim të të rënëve të Luftës së Parë Botërore


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në shënimin e 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, të organizuar nga Ambasada e Francës dhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë.

Në këtë organizim të pranishëm ishin edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt dhe ambasadori i Francës, Didier Chabert, njofton Klan Kosova.

Haradinaj tha se rruga që kanë treguar Franca e Gjermania për ta ndërtuar paqen e qëndrueshme në Europë është shembull që duhet ndjekur.

Ndërsa, ambasadori Heldt, tha se sot i kujtojnë ata dhe të gjithë viktimat e luftërave dhe sundimit të dhunshëm.

” Këto viktima, pa dallime, e kanë merituar që ne të punojmë dhe luftojmë për atë që ata nuk mundën ta përjetojnë më paqen e qëndrueshme, stabilitetin dhe para së gjithash Evropën e bashkuar, në të cilën të gjithë qytetarët jetojnë duke respektuar dinjitetin e tjetrit. Miliona njerëz të vrarë vdiqën para 100 vjetësh sepse shoqëritë nuk ditën më mirë”, tha ai.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, ambasadori francez, Chabert, duke e përcjellë mesazhin e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, tha se më 11 nëntor të vitit 1918 një frymë e thellë lehtësimi përshkoi Francën. Ambasadori Chabert tha se janë mbledhur sot të ndergjegjshëm për historinë e tyre të kaluar dhe për të refuzuar që ajo të përsëritet.

“Ne kujtojmë vuajtjet dhe nderin e dhjetë milionë luftëtarëve të të gjitha vendeve që u dërguan në këto beteja të tmerrshme”, tha ambasadori Chabert, duke shtuar se sot kujtojnë civilët, ushtarët që humbën jetën, fshatrat e rrënuara dhe qytetet e shkatërruara.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin përfaqësues të institucioneve në vend, ambasadorë të akredituar në Kosovë, ushtarakë dhe personalitete të tjera.

Ndërkaq, Haradinaj më pas vendosi kurora lulesh në nderim të të rënëve në Luftën e Parë Botërore.

 

Baby Boo