Haradinaj: Qeveria po na ngul thikë pas shpine


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pasi që pushteti të enjten e ka miratuar Ligjin për pagën minimale, i cili nuk u garanton pension në vlerë të kësaj page veteranëve të luftës.

Sipas Haradinajt, Qeveria me këtë ligj ua ka ngulur thikën pas shpine, siç ka thënë ai, aty ku ju dhemb më së shumti.

“Zbardhja e koordinimit të fshehtë të përfaqësuesve të Albin Kurtit me armiqtë e shtetit të Kosovës, për të përmbysur kategorinë më të shenjtë – luftëtarët e lirisë, është thikë pas shpine”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Thikë pas shpine, sipas tij, është edhe prishja e marrëdhënieve me aleatët e Kosovës, BE-në dhe SHBA-në, që rezultoi me përjashtimin e Kosovës nga ‘Defender 23’, duke e komplikuar tej mase aspiratën e Kosovës për anëtarësim në strukturat euro-atlantike.

“Tërheqja e tij nga veriu, me një vonesë të pashpjegueshme dhe vetëm pasi që Kosova është futur nën sanksione të BE-së dhe të SHBA-së, duke i shkaktuar kështu një dëm të pariparueshëm vendit, nuk mund të konsiderohet ndryshe përveç si një politikë antishtetërore e antikombëtare. Ngjarjet e djeshme në Kuvendin e Kosovës dhe dhuna e shpërfaqur aty, janë alarm se situata mund të përshkallëzohet, jo vetëm në Kuvendin e Kosovës por edhe jashtë tij”, ka shkruar Haradinaj.

Lideri i AAK-së, ka thënë se Kosova nuk mund të qëndrojë e qetë, në kohën kur Qeveria e vendit, na e ngulë thikë pas shpine aty ku na dhemb më së shumti, në lidhjen më të shenjtë të Kosovës, me NATO-n, Amerikën dhe me kategoritë e lirisë.

“Do të jemi të pakompromis dhe më të vendosur se kurrë në mbrojtje të interesave të shtetit e të qytetarit, aspiratës sonë për anëtarësim në NATO, në ruajtjen e miqësisë me aleatët tanë, Amerikën dhe BE e në mbrojtje të vlerave të lirisë sonë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Baby Boo